1- Ndryshe ministria, ndryshe DASH
Një prej shqetësimeve më të mëdha, ngritur vazhdimisht në raportimet e APPA, është zbatimi i ligjit dhe profesionalizmi i punonjësve të policisë së shtetit, si mbrojtës të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Pavarësisht sukseseve të reklamuara nga ana e Ministrisë së Brendshme për ndryshimin e fytyrës së policisë së shtetit dhe kthimin e profesionalizmit në radhët e uniformave blu, raporte të ndryshme ndërkombëtare bien deri diku ndesh me këto deklarata.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH)[1] vinte në dukje mungesën e barazisë në aspektin e zbatimit të ligjit nga ana e policisë. Për më tepër ai vinte në dukje ‘’lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastrukturën e dobët, mungesën e pajisjeve apo vëzhgimin e papërshtatshëm si faktorë ndikues kryesorë në çështjen e zbatimit të ligjeve’’. Për më tepër, pagat e ulëta, motivimi i dobët dhe mungesa e diversitetit të forcës punëtore vijuan të ishin shkaqet kryesore për korrupsionin e lartë dhe shpesh mungesën e profesionalizmit.
Përgjatë vitit të kaluar, Ministria e Brendshme ndërmori një sërë masash për ndryshimin e imazhit të policisë së shtetit dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Problemi në lidhje me këtë qasje të ministrisë është mangësia në të kuptuarit e problemit themelor. Masat kanë qenë kryesisht dekorative, duke u marrë më tepër me imazhin në vend të thelbit. Korrupsioni është një prej shqetësimeve më të mëdha, që prek sipas fjalëve të vetë kryeministrit, ‘’çdo qelizë të shoqërisë shqiptare’’. Ndonëse përmirësimi i fasadës dhe i shërbimit ndaj qytetarëve kanë ndikim në performancën e policisë së shtetit, po injorohen problemet strukturore të institucionit.
Ekzistojnë disa parime të luftës kundër korrupsionit në forcat policore, hartuar në kuadër të Interpolit prej shteteve pjesëmarrëse. Këto parime dhe standarde përshkojnë të gjithë elementet e funksionimit që prej kodit të etikës, tek sistemet e rekrutimit, monitorimit dhe identifikimit të korrupsionit. Më specifikisht manuali i përgatitur nga Interpol parashtron një sërë mekanizmash që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar. Këto mekanizma përfshijnë:
- Shndërrimin e korrupsionit nga një oficer policie në një vepër të rëndë kriminale;
- Ndërmarrja e hapave për t’u siguruar se pagesat e forcave policore dhe punonjësve të tjerë i mundësojnë ata të mbajnë një standard të pranueshëm jetese pa pasur nevojë të gjejnë mënyra të tjera punësimi apo nevojën për të bërë korrupsion;
- Mundësinë e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile për monitorimin e punës së policisë së shtetit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë përmes raportimit të shkeljeve.[2]
2- Kalimi i qetë drejt xhihadit
Ditët e fundit të muajit prill tronditën opinionin publik në Shqipëri pas publikimit të lajmit se nga prej xhihadistëve më famëkeq të shtetit islamik (ISIS) kishte qëndruar për 5 javë në Tiranë para se t’i drejtohej Sirisë. Xhihadisti Xhon njihet si një prej luftëtarëve të ISIS që ka kryer disa prej vrasjeve më makabër dhe me profil të lartë vitet e fundit. Ajo që shqetëson më tepër nuk është në vetvete fakti që ky person i rrezikshëm ka kaluar përmes Shqipërisë për t’ju drejtuar Sirisë, por mënyra e ardhjes, qëndrimit dhe ikjes nga vendi ynë. Historia e xhihadistit Xhon e nxjerrë në mediat e huaja tregon kalvarin e tij, përfshirë qëndrimin në Shqipëri: sipas tyre, ai dhe personi shoqërues kanë hyrë me pasaporta false në Shqipëri përmes aeroportit “Nënë Tereza”, tërësisht të papenguar dhe të pa shqetësuar nga autoritetet shqiptare.[3]
Nuk përbën tashmë risi fakti që Shqipëria ka kufij porozë e shpesh të pambrojtur nga fenomene të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, kriminaliteti ndërkufitar apo edhe kalimi i personave të rrezikshëm, që e zgjedhin këtë rrugë pak të kontrolluar për të vijuar më tej në vende të tjera. Nuk është risi as fakti që Shqipëria shpesh është përdorur si strehë e padukshme në dekadat e fundit. Për këtë arsye, Italia është edhe një ndër vendet që do të ofrojë ndihmë për të mos lejuar militantët e shtetit islamikë të kalojnë përmes Shqipërisë nëse vendi ynë kthehet së shpejti në pikë kalimi për emigrantët sirianë që shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.[4] Në situatën kur ka një kombinim të aftësive të dobëta institucionale dhe një konteksti global të pasigurt, shteti shqiptar duhet të rrisë përpjekjet dhe bashkëpunimet për adresimin e menaxhimit të kufijve, në mënyrë që Shqipëria të mos përdoret dhe shihet si rrugë e sigurt kalimi për terroristët. Në vend që të mbeten në nivelin e publikimit të listave të personave që financojnë terrorizmin apo në nivelin e trajnimeve dhe marrëveshjeve sipërfaqësore të bashkëpunimit, aparati i sigurisë në vend duhet të koordinohet më mirë (me institucione të tjera të sigurisë) për të ofruar një qasje aktive ndaj përballimit të sfidave aktuale të sigurisë.
[1]Department of State. 2015. Albania Human Rights Report. Online: http://www.state.gov/documents/organization/253027.pdf
[2]Open Government Partnership. Standards and guidance: Global Standards to combat corruption in police forces. Online: http://www.opengovguide.com/standards-and-guidance/interpol-global-standards-to-combat-corruption-in-police-forcesservices/
[3]Gazeta Panorama. 27 prill 2016. Xhihadisti Xhon qëndroi në Shqipëri para se të shkonte në Siri. Online: http://www.panorama.com.al/xhihadisti-xhon-qendroi-ne-tirane-para-se-te-shkonte-ne-siri/
[4]Reuters. Albania getting Italian help on border security against migrants. Online; http://uk.reuters.com/article/uk-europe-migrants-albania-idUKKCN0ËH2KX