![F. Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/F.-Gjana-300x300.jpg)
F. Gjana
1- HEC-o Mania
Vitet e fundit Shqipërinë e ka përfshirë mania e ndërtimit të hidrocentraleve vend e pavend. Kjo e nxitur edhe nga financimet e shumta që kanë vënë në dispozicion vendet perëndimore me ‘’arsyen’’ për të nxjerrë vendin nga kriza energjitike. Institucionet e tyre nuk kanë qenë karshi Shqipërisë aq korrekte sa do të ishin në qoftë se do të duhej të financonin ndërtimin e këtyre veprave në vendet përkatëse. Por për ekosistemin a ka menduar njeri? Po për shpyllëzimet që po ndodhin si pasojë e nisjes së zbatimit të këtyre projekteve? Po për ndryshimet në biodiversitet, ndryshime që kanë filluar të duken që tani.
Ndodhemi në një situatë kritike: në shkallë vendi janë ndërtuar apo janë në proces ndërtimi qindra hidrocentrale, madje edhe në zona apo parqe të mbrojtura, numri i të cilave shkon në 67. Ndër to, 21 janë ndërtuar dhe 44 janë në ndërtim. Rasti i fundit është ai i Luginës së Valbonës. Lajmi për të u bë publik pas nisjes së punimeve. Për shkak të masivitetit që ka marrë aplikimi i kësaj metode të përftimit të energjisë nga burime të rinovueshme, jemi në pikën kur energjia e rinovueshme po merret me negativitet.
Fundi i Luginës së Valbonës ?
Është një nga të paktat vende që i ka mbijetuar dorës shkatërruese që ka kapur bukuritë e natyrës sonë shqiptare. 11 hidrocentrale janë projektuar të ndërtohen përgjatë 25 km që do të thotë dënim me vdekje për lumin e Valbonës. Ky kërcënim i vjen nga vetë shteti ynë që ka miratuar këto projekte shkatërrimtare. Lugina e Valbonës mban statusin e zonës së mbrojtur [1] nga shteti shqiptar që në muajin janar të vitit 1996[2]. Miratimi i këtij projekti ka shkelur haptas disa ligje të shtetit shqiptar.
Shkelja e parë është ajo e nenit 4 të ligjit[3] nr. 8906, për Zonat e Mbrojtura ku shprehet qartë se:
’’…Çdo plan ose projekt, që mund të ndikojë në zonë, i nënshtrohet procedurave ligjore të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ministria përgjegjëse për mjedisin pranon planin ose projektin, vetëm pasi sigurohet se ai nuk ndikon negativisht ne integritetin e zonës, si dhe pasi ka marrë mendimin e publikut’’
Në ligj parashikohet që çdo plan apo projekt aprovohet vetëm pasi është marrë dhe mendimi i publikut. Në rastin në fjalë kjo gjë nuk ka ndodhur. Shkelja e dytë, miratimi i projektit të ndërtimit të hidrocentraleve, bie ndesh me pikën e parë të nenit 25, që citon se për zonat e mbrojtura do të përkrahen vetëm ato nisma që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të saj.
’’…Përkrahja e nismave apo projekteve që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur ose që ndikojnë pozitivisht në to.’’
Secili nga ne është në gjendje të kuptojë që ndërtimi i një hidrocentrali kurrsesi nuk mund të përmirësojë treguesit ekologjik të zonës së mbrojtur. Shkelja e tretë lidhet me lejet mjedisore. Pika 2 e nenit 25 përcakton:
’’Veprimtaritë mund të ushtrohen vetëm pasi të jetë marrë më parë leja e mjedisit, ose pasi të jetë marrë miratimi i organit të mbrojtjes së zonës…’’
Për të marrë një leje mjedisore duhet që të jetë bërë raporti i plotë i studimit të vlerës si dhe i ndikimit në mjedis të një vepre të tillë ekonomike. Por kreu i AKZM-së zoti Zamir Dedej, ka deklaruar[4] se ‘’Raporti i ndikimit në mjedis’’ që Ministria e Mjedisit ka dhënë në 2013-ën, nuk e përfshin një studim të tillë. Pra, nuk kemi asnjë studim se çfarë do të ndodhë me këtë pasuri natyrore pas fillimit të punimeve.
Shkelja e katërt, neni 32 i cili parashikon sanksionet që duhet të merren në qoftë se shkelen dispozitat e ligjit për zonat e mbrojtura. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndëshkimore kundrejt shkelësve të ligjit.
Ministria e Mjedisit është institucioni përgjegjës për menaxhimin e zonave të mbrojtura. Por ajo ka zgjedhur të heshtë para këtij krimi që do t’i bëhet natyrës. Kujtojmë se në nëntor të vitit 2015, Ministri Koka në prezantimin[5] e ’’Programit Strategjik të Zonave të Mbrojtura 2016-2020’’ është zotuar se do të lejohet vetëm zhvillimi i aktiviteteve të qëndrueshme në këto zona, por mesa duket ndryshe flitet, ndryshe veprohet. Edhe protestat[6] e banorëve të zonës kanë rënë në vesh të shurdhët.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Mjedisit të reagojë dhe të bëjë detyrën e saj për të mos lejuar një katastrofë mjedisore. Ne vazhdojmë të lobojmë për vendosjen e moratoriumit për HEC-et, sepse duhet të mbrohet trashëgimia që na është lënë nga natyra.
[1]Rrjeti i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri
(http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Biodiversiteti/RRJETI_I_ZONAVE_TE_MBROJTURA_janar_2015_ok.pdf)
[2]VKM nr.102,date 15.01.1996
[3]LIGJ Nr. 8906, datë 6.6.2002 “PËR ZONAT E MBROJTURA”
(http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Biodiversiteti/2002_Ligj-Zonat_e_Mbrojtura_Konsoliduar.pdf)
[4]Artikull:Kreu i AKZM, Zamir Dedej: Ja zgjidhja për HEC-et në Valbonë
(http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/kreu-i-akzm-zamir-dedej-ja-zgjidhja-per-hec-et-ne-valbone/)
[5]Artikull:Fjala e plotë e Ministrit të Mjedisit z. Lefter Koka
[6]Artikull: Protesta kundër ndërtimit të HEC-ve mbi Valbonë
(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=323927)