
B. Kotorri
1- NATO, si konkurs bukurie
Ashtu sikurse në qeverinë Berisha, edhe qeveria Rama me ministrinë e vet të mbrojtjes, e shesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një arritje të madhe. E kjo arritje e madhe shpjegohet fare thjesht: tanimë, shtatë vite pas anëtarësimit të vendit në NATO nuk ka mirëqenie më të lartë për qytetarët shqiptarë, ka mungesë në buxhetin e shtetit për shkak të kuotave vjetore që i duhen paguar NATOs, kemi humbje në jetë njerëzish, të cilat nuk kanë asnjë çmim që mund t’i justifikojë dhe, mbi të gjitha, sillemi si ushtari më i gatshëm e i devotshëm i një ushtrie, që edhe vizionin për të cilin ekziston, iu desh ta rishpikte[1].
Në fund të Luftës së Ftohtë, shumë studiues parashikuan shpërbërjen e NATOs. Kjo aleancë u krijua gjatë Luftës së Ftohtë në mënyrë që Europa Perëndimore të mbrohej prej ndonjë sulmi të mundshëm nga kërcënimi sovjetik. Tanimë që Lufta e Ftohtë ka përfunduar dhe Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, u duk më se e arsyeshme që të pritej shpërbërja e aleancës. Kjo aleancë, nuk veproi kurrë në emër të misionit për hir të të cilit u krijua. Madje, në vitin 1991 në samitin e Romës[2], ajo pranoi se nuk kishte më ndonjë kërcënim sovjetik, me gjithë armatimet që zotëronte ushtria e re ruse. Luftën e parë NATO e realizoi vetëm në 1999-ën kundër Jugosllavisë, kurse artikulli 5 i kartës së kësaj aleance, që i detyron shtetet për mbrojtje të përbashkët në rast të sulmit të armatosur ndaj njërit prej anëtarëve, u aktivizua për herë të parë vetëm në 2001-shin pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA.
Për detyrimet që Shqipëria ka ndaj NATOs[3] në aspektin e politikave publike mund të listojmë[4]: a) Pjesëmarrja në Plan-Veprimin mbi terrorizmin; b) Furnizimi i NATOs me informacione dhe analiza; c) Rritja e kapaciteteve anti – terroriste; dhe d) Forcimi i sigurisë së kufijve. Nëse i marrim me radhë të gjitha këto elemente partneriteti duhet thënë se Shqipëria nuk ka asnjë mundësi reale për t’i përmbushur, dhe në fakt nuk ka asnjë arsye për t’i përmbushur: a)Terrorizmi nuk është një kërcënim direkt për Shqipërinë[5]; b) Shqipëria ka një prej shërbimeve sekrete më të dobëta dhe jo-efikase në rajon[6], dhe më të dobëtin në NATO[7]; c) kapacitetet anti-terroriste të Shqipërisë dëshmohen që prej mangësisë dhe kundërligjshmërisë së vetë akt-akuzës së ngritur prej prokurorisë në gjyqin ndaj disa imamëve të Tiranës ku shërbimi sekret ka dështuar ta furnizojë organin e akuzës me provat e domosdoshme për ngritjen e një aktakuze sipas ligjit, një dështim ky që nuk përmendet assesi në media[8]; d) me krizën e refugjatëve sirianë në kufijtë mes Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, doli në pah fare qartë paaftësia e Shqipërisë për të ruajtur dhe siguruar kufijtë e vet, e dëshmuar kjo që nga pamundësia për të dërguar efektivë të specializuar në terren[9], e deri nga konfuziteti i kryeministrit të vendit, i cili ka artikuluar mendime kontradiktore mbi çështjen[10]–[11].
Të gjitha faktet të çojnë tek një pyetje: çfarë po festojmë kur organizojmë veprimtari për “Shqipërinë në NATO”, sikurse bëri ministria në fillim të muajit prill? Festojmë festën, festojmë që të dukemi se kemi arritur diçka që në thelb nuk përmban asgjë. Kësisoj, argumentet e vetme mbi të cilat qeveritë e kanë mbrojtur anëtarësimin në NATO, kanë qenë të tilla si “Tani jemi pjesë e familjes perëndimore” (shënjues plotësisht bosh), nuk jemi më lindorë komunistë”, apo “Investitorët dhe turistët do të kenë një përshtypje tjetër për Shqipërinë tanimë”. Që do të thotë, se anëtarësimi në NATO është si pjesëmarrja në një konkurs bukurie ku “e rëndësishme është te marrësh pjesë”, sepse mjafton kaq që të tjerët ta shohin imazhin tënd ndryshe, me te kuruar.
2- Mungesa e plotë e transparencës dhe e llogaridhënies
Në datën 6 prill, një tragjedi me pasoje humbjen e jetëve të dy ushtarakëve ndodhi në liqenin e Shkodrës[12]. Në deklaratën për shtyp të MM thuhet: “ Sipas planit të fluturimit, helikopteri EC 145, me numër bordi 637, me 3 ekuipazh në bord, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuca, janë nisur nga Farka sot në orën 12:10 në një fluturim stërvitor në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më parë”. Ndërkohë që nuk bëhet publik as plan i fluturimit, as procesverbali i ngarkesës, dhe as vendimi i miratimit të fluturimit. Deri më sot, ende nuk është bërë publik respektimi i protokollit të detyrueshëm të fluturimit, ende nuk është mbyllur hetimi teknik nga kompania prodhuese e EC-145[13], APPA sigurisht që bashkohet në ngushëllimin e familjeve të viktimave.
Sidoqoftë, qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, i raportuar për shtyp nga gjenerali i FA, dhe asnjëherë nga ministrja, ishte si dhënia e pretencës përpara shpalljes së akuzës. Ndërkohë që edhe sot, pas një muaji nga ngjarja, ende nuk kemi një raport përfundimtar të hetimit të rastit, ministria, brenda pak orëve, vendosi t’i shpallë pilotët Dëshmorë të Atdheut. Qeveria shqiptare që ditën e parë bëri përpjekje të qarta për ta varrosur të vërtetën e rrëzimit të helikopterit, madje në Varrezën e Dëshmorëve. Një nxitim i tillë është shumë i dyshimtë, duke pasur parasysh se një nga hipotezat për rrëzimin e helikopterit që u dha në njoftimin zyrtar për ngjarjen ishte gabimi njerëzor. Por nëse helikopteri është rrëzuar për shkak të një gabimi njerëzor, pilotët nuk janë dëshmorë, por viktima. Ministria e Mbrojtjes, përveç bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, duhet të vendosë në dispozicion të publikut të gjithë dokumentacionin e lidhur me çështjen. Qytetarët kanë të drejtë të dinë.
[1] Rishpikja e NATOS, Revista shkencore e Komitetit Kombetar mbi Politiken e Jashtme Amerikane
http://www.tandfonline.com/doi/abs/10.1080/10803920.1999.10392006?journalCode=uafp20
[2] Koncepti i ri strategjik i NATOshttp://www.nato.int/docu/comm/49-95/c911108a.htm
[3] Shqiperia ne NATO MPJ http://www.punetejashtme.gov.al/en/mission/albania-in-nato
[4] Artikull në Web-in e NATOs mbi partneritetin me Shqiperinehttp://www.nato.int/cps/ic/natohq/topics_48891.htm#key
[5] Analizë nga Sidita Kushihttp://www.e-ir.info/2015/03/04/balkanizing-the-ëar-on-terror/
[6] Roli i SHISH http://www.shish.gov.al/roli.html
[7] Sh.I.SH në krahasim me vendet e tjera te NATOs http://foreignpolicy.com/2008/01/21/the-list-the-ëorlds-top-spy-agencies/
[8] Akuza ndaj imameve http://www.panorama.com.al/gjyqi-ndaj-imameve-i-arrestuari-kerkon-berishen-deshmitar-te-provoje-thirrjet-kunder-regjimit-te-bashar-al-assad/
[9] Shqiperia i kerkon ndihme Italise http://www.tgcom24.mediaset.it/mondo/migranti-tirana-chiede-poliziotti-italiani-per-presidiare-le-frontiere_2164631-201602a.shtml
[10] Rama per emigrantet 1- http://opinion.al/rama-per-emigrantet-shqiperia-nuk-do-ta-hape-kufirin-evropa-nuk-na-e-hedh-dot/
Rama per emigrantet 2- http://www.oranews.tv/vendi/emigrantet-nga-siria-rama-nese-vijne-na-gjejne-te-pergatitur/
Rama per emigrantet 3- http://www.neoalb.com/aktualitet/rama-per-ëall-street-journal-nuk-do-ngreme-mure-per-emigrantet/
[12] Rrezimi i helikopterit EC-145 http://www.oranews.tv/vendi/malesi-e-madhe-raportohet-se-eshte-rrezuar-nje-helikopter-ne-grizhe/
[13] Eurocopter EC-145 http://airbushelicoptersinc.com/products/EC145-specs.asp