![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Ekonomia reale dhe e perceptuar
Gjatë muajit prill, Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA) publikoi rezultatet e një pyetësori që e vendosin Shqipërinë në vendin e fundit ku investitorët gjermanë do investonin sërish, duke treguar kështu se klima e të bërit biznes në vend është përkeqësuar. Megjithatë, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ministri Ahmetaj shprehu mosdakordësinë e tij me gjetjet e pyetësorit, duke pretenduar se: “Ekonomia reale është më mirë se perceptimi. Pretendimet e DIHA nuk përkojnë me realitetin”. Duke qenë se DIHA është ndër të paktat dhoma tregtie e përfaqësuar plotësisht nga biznese gjermane, nuk kemi ndonjë arsye të dukshme për të besuar se gjetjet nuk përfaqësojnë perceptimet reale dhe se mund të ketë ndonjë konflikt të mundshëm interesi[1]. Qoftë edhe vetëm perceptime, ato ndikojnë në vendimmarrjen për investime të huaja në vend, prandaj gjykojmë se është e rëndësishme që gjetjet të merren në konsideratë dhe të ketë angazhime konkrete për përmirësimin e tyre. Në këtë pikë do të vinte në ndihmë analiza e thelluar e gjetjeve për të kuptuar arsyet e përkeqësimit të perceptimeve.
Për t’iu rikthyer “ekonomisë reale”, sikurse pretendon ministri[2]: “Rritja ekonomike e vitit 2016 pritet të jetë tre herë më e lartë sesa ajo në 2013-n”. Megjithatë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i uli pritshmëritë për perspektivën afatgjatë të ekonomisë shqiptare në të gjithë horizontin 5 vjeçar, duke parashikuar se reformat e Rilindjes nuk mund ta çojnë rritjen ekonomike mbi 4 për qind. Bazuar në të dhënat e analizës së fundit të Bankës Botërore (BB), kemi arsye të besojmë se parashikimet e FMN-së qëndrojnë[3] Analiza e saj vëren se ekonomia shqiptare gjatë vitit të kaluar (2015) me të vërtetë përjetoi rritje prej 2.6 për qind, por kjo rritje u shkaktua nga investime infrastrukturore (p.sh. hidrocentrali i Devollit), ndërkohë që konsumi privat i popullsisë ra 2.3 për qind. Sipas vlerësimit të BB, rritja ekonomike e kësaj natyre (me investime në infrastrukture apo tërheqje e bizneseve të huaja) do të vijojë edhe në vitet në vazhdim, kryesisht për shkak të projekteve si Gazsjellësi TransAdriatik (TAP) apo rifutja e kompanisë SHELL, dy investime këto të përmendura me nota pozitive edhe nga ministri Ahmetaj. Sigurisht që të tilla investime janë të rëndësishme dhe dobiprurëse, por rëndësi kanë gjithashtu edhe kushtet e investimit: sa vende pune do të krijohen, në shkëmbim të disa paketave fiskale lehtësuese, sa afatgjate janë investimet dhe çfarë zhvillimi do të sjellin në burimet njerëzore. Një strategji e balancuar e zhvillimit ekonomik duhet të bazohet në katër shtylla: investime infrastrukturore, zhvillim i burimeve njerëzore, nxitje e investimeve lokale dhe tërheqje e investimeve të huaja. Të dhënat e uljes së konsumit tregojnë qartë për një strategji të pa balancuar dhe duke qenë se të ardhurat nuk po rriten (remitancat kanë rënë, pagat në administratë janë ‘ngrirë’ sipas kushteve të FMN dhe norma e re e ulur e interesit në 1,5% nga Banka e Shqipërisë nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh pasi klima për sipërmarrje nuk duket e sigurt) kjo situatë nuk pritet të ndryshojë shpejtë. Madje një zgjatje e saj në kohë (po t’i referohemi edhe raportit të muaj të kaluar në lidhje më dezinflacioni) mund të rrezikojë një stagnim (ngecje e zhvillimit) ekonomik.
Po në lidhje me ‘ekonominë reale’, ministri Ahmetaj u shpreh: “Objektivi i qeverisë është që këtë vit borxhi publik të jetë në nivelin e 70.9 %”. Ky objektiv nuk duket të jetë shumë në përputhje me planin e Zhvillimit Ekonomik të Rilindjes, ku citohet: “Do të mbajmë të kontrolluar deficitin buxhetor në parametrat e kërkuar nga Traktati i Mastricht-it”,[4] pra nuk do të jetë mbi 60% e PBB-së. Sipas të dhënave të vitit 2013[5], borxhi publik i qeverisë u vlerësua në nivelin e 65.08% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nëse do të merrnim parasysh edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë, stoku i borxhit publik arrin në 70.4% të PBB-së. Po ta krahasojmë këtë me synimin e shprehur të ministrit, nuk duket se ka shumë zhvillim. Borxhi përbën një element të rëndësishëm të zhvillimit afatgjatë, pasi shlyerja e tij do të fillojë të ndihet në 5 -7 vjeçarin e ardhshëm. Duke parashikuar detyrimet për pagesën e tij që përkthehet në taksa më të larta dhe frikën e mos rritjes së të ardhurave, konkludojmë, sikurse vumë në dukje më sipër, se konsumatorët (qytetarët) do të ulin kërkesën.
Në raportin e publikuar nga Ministria e Financave mbi treguesit paraprak fiskalë për tre mujorin e parë të vitit 2016, konfirmohet çfarë kemi trajtuar në raportin paraardhës të APPA –s: të ardhurat janë realizuar, por shpenzimet buxhetore janë problemi i radhës. Në raportin e ministrisë thuhet se performanca e ekonomisë është e kënaqshme! Por e kënaqshme për kë? Balanca e buxhetit është vërtetë pozitive kur, pas realizimit të shpenzimeve, të ardhurat janë më të shumta. Të dhënat e raportit tregojnë se shpenzimet kapitale (ato që nxisin zhvillimin ekonomik) me financim të huaj janë realizuar në nivelin e 75 për qindëshit të atyre të planifikuara për tre mujorin e vitit 2016, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivelin e 85%. Në një situate ku shpenzimet me kapital të huaj realizohen vetëm 75% pse është e rëndësishme të merret borxh i huaj?
Së fundmi, gjatë fjalës së tij në Parlament, Ministri Ahmetaj tha se sipas “ekonomisë reale”: “Kemi ulur numrin e të papunëve të demoralizuar’. Për një dëgjues të thjeshtë fjalia mund të mos bëjë sens, por në terma ekonomikë ne do ta interpretonim fjalën e ministrit si rritje të numrit të individëve, të cilët pasi kishin vendosur të tërhiqeshin nga tregu i punës (p.sh. shtëpiakët) për shumë arsye që variojnë nga mos gjetja e punës për kohë të gjatë deri në arsye personale, tani kanë vendosur t’i rikthehen tregut të punës[6]. Sërish për shumë arsye që mund të jenë nga më pozitivet, ata e shohin tregun e punës më dinamik dhe me më shumë mundësi, çka nënkupton mundësi për të ardhura më të mjaftueshme. Në parim kjo do të ishte një gjë e mirë për “ekonominë reale”, sepse tregon që ekonomia mund të maksimizojnë kapacitet e saj në prodhim dhe janë këto të fundit që llogariten në PBB. Megjithatë, që këto të mira të bëhen reale është e nevojshme të përkojnë me rritjen e ritmit të punësimi, ndryshe do të kontribuojnë në rritjen e papunësisë, që nuk përmendet në fjalën e ministrit.
Është e qartë se qeveria Rama po përdor një ‘terapi shoku’[7] (shock therapy), që me gjithë potencialin për të sjell përfitime afatgjata, është e pritshme të shkaktojë një recension tranzitor, sepse reformat strukturore kanë mospërputhje me planin kohor. Por a është ky çasti i duhur për reforma strukturore? Sa shqiptarë mund të përballojnë humbje afatshkurtra me premtimin e fitimeve afatgjata, po të mendojmë se vijmë pas mos-zhvillimit ekonomik 2009-2013? Ne gjykojmë që reformat duhet të vijojnë/vijonin pas rritjes së kërkesës agregate dhe uljes së papunësisë, të cilat deri më tani nuk duken të jenë targetuar në mënyrë efektive.
2-Operacioni anti-informalitet: Faza 2
Ministria e Financave prezantoi gjatë muajit prill fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit, në një aktivitet publik ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, z. Edi Rama. Strategjia bazohet në katër shtylla kryesore: administrimi duke u fokusuar tek platforma e riskut; thjeshtimi i procedurave dhe paketa fiskale; shërbimi ndaj tatimpaguesve dhe komunikimi/ edukimi i tatimpaguesve. Nga prezantimi që ministri Ahmetaj iu bëri katër shtyllave, plani duket i mirë menduar dhe është për t’u përgëzuar. Si risi u prezantuan platforma e riskut, që do të bëjë kampionizimin e bizneseve që do të analizohen. Sistemi ka përzgjedhur aktualisht 300 biznese të mëdha, të shpërndara në të gjithë rajonet e Shqipërisë, për të cilët do të zhvillohet analizë e detajuar në çdo hallkë të zinxhirit të krijimit të vlerës së shtuar, pra deri tek bizneset e vegjël fundorë. Ndryshe nga fokusimi i ish ministrit Cani tek artikujt e cigareve dhe celularëve, ministri Ahmetaj deklaroi se prioritet do të jenë kontrabanda dhe evazioni fiskal me karburantet, zgjedhje kjo që besojmë të jetë e duhura duke pasur parasysh polemikat rreth këtij produkti dhe çmimit të tij në tregun shqiptar[8]. Gjithashtu u prezantuar edhe adresa e postës elektronike, e dedikuar për komunikim efikas dhe të drejtpërdrejtë me sipërmarrjen, për raportimin e rasteve të shkeljeve, por edhe për pyetje, sqarime, informacione, etj. Ajo që vlerësojmë veçanërisht është qasja e partneritetit me biznesin. Ministri Ahmetaj u shpreh: “Nuk ka më ardhje surprize, madje do të shtohet paralajmërimi edhe një muaj ose dy muaj nëse doni, mjafton që të jeni në rregull me përgjegjësinë tuaj tatimore. Nuk është qëllimi që t’ju “kapim gafil”, nuk është ky qëllimi në mënyrë absolute. E kemi thënë në fillim të këtij aksioni, e themi edhe sot. Në këtë aksion ne jemi një palë, nuk jemi dy palë”.
Megjithatë, pas kësaj deklarate dhe asaj se nuk do të kishte rritje taksash për biznesin, portali Syri.net [9] publikoi disa foto me tabelat e detyrimeve tatimore të biznesit të vogël (tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, që paguhet paraprakisht sipas në një përllogaritje që bën zyra e tatimeve bazuar mbi xhiron paraardhëse). Detyrimet tatimore të biznesit të vogël variojnë nga 40 – 60% e xhiros vjetore. Mund të duket si një gabim nga ana e administratës tatimore, por që bizneseve që nuk e kanë paguar në kohë këstin (pra me 20 prill), u ka kushtuar një gjobë automatike nga sistemi me një shumë që është sa 15 për qind e detyrimit. Në përfundim, reformat kërkojnë dhe institucione të mira si dhe miradministrim të strategjisë dhe monitorimi i saj si kushte thelbësore për arritjen e rezultateve të pritshme. Më shumë transparencë është e nevojshme pasi rezultatet e fazës së parë pak u bënë publike nëse ishin të suksesshme apo jo dhe çfarë mësimesh u nxorën që po mbahen parasysh në këtë fazë të dytë. Më shumë se imazhit të ndonjë drejtuesi, ky operacion i rëndësishëm duhet t’i shërbejë mbledhjes së 60 milionë dollarëve, sikurse premtoi kryeministri.[10]
[1] Nuk jemi në dijeni të metodologjisë së përdorur, por i vetmi rast që mund të spekulojmë për konflikt interesi është marrëdhënia e qeverisë shqiptare me drejtuesit e monopolit të aeroportit “Nënë Tereza” nën menaxhimin gjerman, e cila ka pasur shumë diskutime së fundi në lidhje me termat kontraktorë.
[2]Monitor.al. Prill 2016.http://www.monitor.al/ahmetaj-ekonomia-reale-eshte-mire-se-perceptimi-pretendimet-e-diha-nuk-perkojne-realitetin/
[3]Reporter.al. Prill 2016. http://www.reporter.al/rritja-ekonomike-2015-u-shtua-betoni-ra-ndjeshem-konsumi/
[4] Programi i Rilindjes. Fq.20. http://www.edirama.al/files/ProgramiPS.pdf
[5]Shqiptarja.com. Shkurt 2014. http://shqiptarja.com/ekonomi/2733/viti-2013-borxhi-publik-arrin-ne-70-4-te-pbb-ulet-norma-e-interesit-201827.html#sthash.GEEoKfHE.dpuf
[6] Në këtë rast e kemi marr fjalën e Ministrit të mirëqënë, megjithase mbetemi skeptikë se si kjo e dhënë është matur konkretisht dhe në cilin raport bëhet evidente.
[7]Zeqo, E. Mars 2016. http://www.balkanëeb.com/site/ekonomia-zombie-e-shqiperise/
[8]Lapsi.al Prill 2016. http://www.m.lapsi.al/lajme/2016/04/08/ahmetaj-ndryshon-timonin-për-kontrabandën-nga-cigaret-e-celularët-tek-nafta#.Vx9I-scRpxg
[9]Syri.net. Prill 2016. http://www.syri.net/2016/04/21/tabelat-cmenden-tatimet-bizneseve-u-vijne-faturat-e-taksave-sa-55-e-xhiros-vjetore/
[10]Koha Jonë. Prill 2016. http://www.kohajone.com/2016/04/04/aksioni-anti-informalitet-qeveria-nis-fazen-e-dyte/