![E. Kapaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Kapaj-300x300.jpg)
E. Kapaj
1-Besimi i publikut tek sistemi ligjor duhet të përmirësohet.
Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë pjesë në analizën e përbashkët të punës së Gjykatës së Apelit, Tiranë, dhe Gjykatave të Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dibër, Mat, Kurbin dhe Krujë . Gjatë fjalës së tij ministri evidentoi disa çështje që kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe që lidhen me përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor. Një ndër problematikat e theksuara ka të bëjë me vendimet gjyqësore për kreditë e këqija, vendime këto që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e punës së shërbimit përmbarimor. Po ashtu në analizën e radhës u theksua edhe rëndësia e respektimit të procedurave gjyqësore, e afateve në gjykim. Ministri në fjalën e tij adresoi edhe problemin e çështjeve gjyqësore në lidhje me mosmarrëveshjet mbi pronësinë [1]. Diskutimi dhe bashkëpunimi për zgjidhjen e këtyre çështjeve sipas Manjani do të ndihmonte në ndryshimin e perceptimit ndaj gjykatës dhe reduktimin e korrupsionit.
2-Ç’duhet bërë për ta minimizuar dhe eliminuar korrupsionin?
Analiza e sistemit ligjor tregon se besimi i publikut në Shqipëri ndaj tij është i ulët. Besimi i publikut është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, pasi ai krijon një klimë, ku investuesit janë të sigurt se janë në një fushë loje të drejtë, ku bankat kanë sigurinë se kreditë e pashlyera do të mund t’u kthehen dhe ku njerëzit i paguajnë taksat e tyre, që nga ana tjetër shërbejnë për të përmirësuar infrastrukturën. Me një sistem ligjor mos funksionues, njerëzit natyrisht që ndihen të pasigurt. Elementi themelor për krijimin e besimit të publikut është bindja se rregullat, për të cilat bihet dakord në një mënyrë demokratike, zbatohen nga e gjithë shoqëria si dhe nga strukturat shtetërore.
Transparenca është një aspekt me peshë në çështjen e besueshmërisë. Kur një aktor në sistemin ligjor do të reflektojë transparencë në lidhje me punën që kryen, atëherë ka më shumë mundësi që njerëzit të kenë besim në të. Një sistem transparent krijon kushtet për izolimin dhe nxjerrjen jashtë sistemit të elementëve të korruptuar. Por duhet vënë në dukje se korrupsioni është një dukuri në të cilën njerëzit përfshihen edhe në mënyrë të pavullnetshme. Ndaj, është e rëndësishme për sistemin ligjor që t’i mbrojë pjesëmarrësit e vet nga korrupsioni i pavullnetshëm. Për ata që janë të korruptuar në mënyrë të vullnetshme, sistemi ligjor duhet të zbatojë sanksione të rrepta në një mënyrë uniforme. Ndodh që sistemi ynë ligjor të ketë një reputacion që është më i keq nga sa meriton. Një opinion i këtillë ekziston sidomos tek individë, të cilët nuk e kuptojnë se si funksionojnë institucionet e prandaj edhe dyshojnë. Në një sistem transparent, korrupsioni është shumë më i vështirë se sa në një sistem të turbulluar; kur njerëzit i kuptojnë proceset, ka më pak të ngjarë që të mendojnë se ato janë të korruptuara. Sikurse evidentohen lehtësisht më lart, faktorët që ndikojnë në mirëfunksionimin e institucioneve dhe në parandalimin e korrupsionit janë:
1) Procedurat transparente të kontraktimit
2) Publikimi i akteve apo i vendimeve administrative
3) Sigurimi i aksesit për informacionin e kërkuar
Hapi i parë, që do të jepte efektin maksimal në reduktimin e korrupsionit në Shqipëri, do të ishte reduktimi i rolit të qeverisë në shoqëri. Kjo do të thotë: kthimi i të drejtës së pronësisë private (akoma e pazgjidhur) tek individët si dhe njohja e të drejtës së çdo qytetari të thjeshtë për t’u përfshirë në aktivitetin ekonomik (pra, jo vetëm familja, farefisi, apo shoqëria e elitës qeveritare).
Si hap i dytë mund të konsiderohet plotësimi i kuadrit ligjor në çdo nivel dhe eliminimi i mundësisë për interpretime subjektive. Njëkohësisht, është i rëndësishëm edhe informimi i plotë e i saktë i qytetarëve të thjeshtë për rregullat e lojës (ligjet, etj.) pra edukimi ligjor. Po kështu, duhet plotësuar kuadri ligjor për penalizimin e korrupsionit (kërkesë kjo e ngritur edhe ditët e fundit në Shqipëri nga ekspertë) me adoptimin e ligjeve të forta penalizuese për të korruptuarit (e kundërta duket se ka ndodhur nën qeverisjen e fundit) dhe zbatimi i tyre. Plotësimi i kuadrit ligjor do të bënte të mundur eliminimin apo luftimin e:
- Korrupsionit, që ndodh për shkak të mungesës së ligjeve apo/edhe nën-ligjeve, direktivave, etj., apo/edhe paqartësisë së tyre (me pak fjalë kur rregullat e lojës nuk janë përcaktuar qartë). Në këtë rast, nëpunësi i administratës qeveritare që duhet të zbatojë këto ligje, nën-ligje etj. vendos në mënyrë subjektive për zbatimin e tyre – disa herë pa abuzuar (kupto: pa pranuar shpërblim nga qytetari i thjeshtë), por në shumicën e rasteve duke abuzuar qëllimisht (sepse ndihet i mbrojtur nga fakti që nuk mund të penalizohet).
- Korrupsionit, që ndodh kur kuadri ligjor është i plotë dhe i saktë, por nëpunësi shtetëror vendos, me ndërgjegje të plotë, që të mos e zbatojë atë siç duhet, në shkëmbim të një shpërblimi material. Është e rëndësishme të theksohet se ky aspekt i korrupsionit përbën shkelje të hapur të ligjit dhe si rrjedhojë është i penalizueshëm.
Korrupsioni politik, ndryshon nga korrupsioni burokratik, që nënkupton korrupsionin në administratën publike, pra në nivelet e ulëta të ekzekutivit. Ky është korrupsioni që qytetarët ndeshin çdo ditë në përballjen e tyre me administratën publike dhe shërbimet si spitalet, shkollat, autoritetet lokale të licencimit, policinë, autoritetet taksuese e me radhë.
Për t’i dalluar të dy format, korrupsioni politik përfshin shpërfytyrimin ose korruptimin e funksioneve qendrore të qeverisjes, si atë ligjor, ekonomik apo çdo funksion tjetër vendimmarrës si edhe zhvillimin apo zbatimin e legjislacionit dhe varësinë e sistemit gjyqësor, kurse korrupsioni burokratik zhvillohet dhe ekziston brenda një platforme të caktuar qeverisjeje dhe shoqërore. Me fjalë të tjera korrupsioni politik ka një rol primar (nxitës ose frenues) ndaj atij burokratik. Në varësi të mënyrës së “privatizimit” të përfitimeve nga korrupsioni, ai klasifikohet si individual, kur përfitimi shkon kryesisht tek një individ, ose kolektiv, kur përfitimi shkon tek një grup i caktuar i bashkuar për një arsye apo tjetër. Korrupsioni mund të frenohet vetëm duke demokratizuar shtetin. Konkurrenca ekonomike dhe politike, transparenca dhe përgjegjësia, të shoqëruara me principet demokratike si kontrolli dhe balanca janë instrumentet e nevojshme për të kufizuar korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit.
Rritja e barabartë dhe gjithëpërfshirëse është shumë e rëndësishme për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social. Është e rëndësishme që proceset e zhvillimit të mos përjashtojnë apo të mos lënë asnjë njeri mënjanë. Ka grupe që përballen me pengesa të ndryshme, që nuk i lejojnë të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, ndaj që politikat të jenë të efektshme, duhet të tregtohen ndaj nevojave të tyre. Natyra shumë dimensionale e varfërisë dhe e përjashtimit social kërkon veprim në shumë fronte.
Referenca:
Konventa të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë
Konventa e Ligjit Civil kundër korrupsionit (2000) [2]
Konventa Penale kundër korrupsionit (2001)[3]
Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit (UNCAC) (2006)[4]
[1]Ministri Manjani: Respektoni afatet në gjykim
[2]Konventa e Ligjit Civil Kundër Korrupsionit http://www.hidaa.gov.al/Konventa/Konventa%20Civile%20e%20Korrupsionit.pdf
[3]Konventa Penale kundër korrupsionitëhttp://www.crca.al/sites/default/files/publications/Përmbledhese%20e%20akteve%20nderkombetare%20per%20Drejtësine.pdf
[4]Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC)