1- Vdekja nga Nafta në Patos-Marinzë
Në mëngjesin e 1 prillit, në zonën e Patos-Marinzës shpërtheu gaz natyror, ujë dhe argjile. Gjithçka ndodhi rreth 10 km larg qytetit të Fierit.
Nga shpërthimi i dy puseve, të cilët përmbytën zonat e banuara përreth, u prek kufiri i rrezikut të katastrofës humanitare dhe asaj mjedisore.
Dy shpërthime të tjera shoqëruan shpërhapjen e gazit në ambient. Sipas prefekturës këto shpërthime nisën kur kompania ‘Bankers Petroleum’ po kryente operacione shpimi. Menjëherë u krye evakuimi i banorëve nga banesat që tashmë konsiderohen të pabanueshme. Zonën Patos–Marinzë Ministri i Mjedisit, Lefter Koka e vizitoi vetëm pas 8 ditësh. Për të parë nga afër situatën u shoqërua edhe nga Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ergys Agasi.
“Duhet të kuptoni miqtë e mi që tetë vjet këtu është punuar në atë mënyrë që është punuar duke mos u kontrolluar. Mora vesh që deputetë të Partisë Demokratike do të vijnë të qajnë sot (9 prill) për dëmin, që në fakt është krijuar prej tyre”, tha Ministri Koka, “Ne sot nuk jemi për t’u fshehur pas gishtit dhe për të thënë që të tjerët e krijuan situatën. Por jemi për të vënë në vend dinjitetin e banorëve të zonës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.”
Është për të ardhur keq që Ministri politizoi një ngjarje kaq tragjike. Por meqë ishte vetë ai që vendosi ta politizojë dhe t’i përcaktojë fajtorët, le të përmendim dy fakte që tregojnë më së miri që edhe qeveria aktuale kishte 2 vite mundësi “për të vënë në vend dinjitetin e banorëve të zonës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”.
- Më 15 shtator 2014, në fshatin Vërri të Fierit ka pasur shpërthim të gazit dhe të naftës mbi sipërfaqe, por ngjarja pati mbulim të vakët mediatik.
- Më 11 nëntor të vitit 2014 Instituti i Shëndetit Publik publikon një raport ku vlerëson se gjatë viteve 2012-2014 ka rritje të rasteve me astmë bronkiale, bronkit kronik, emfizemë dhe kancer pulmoni në fshatrat Marinzë dhe Zharrës.
Edhe pse kishte këto raporte, ku ishte Ministri? Ku ishte ky pushtetar kur në shtator të 2014-ës ndodhën shpërthime? Ku ishte Ministri në nëntor të 2014-ës, kur ISHP publikoi se në tre vitet e fundit ka pasur rritje të rasteve të sëmundshmërisë në këtë zonë? Pas këtyre sinjaleve çfarë masash mori Ministria e Mjedisit për të “vënë në vend dinjitetin” e këtyre njerëzve?
Koha kur kundërshtari politik përmendet si justifikim ndaj paaftësisë për të menaxhuar situatat duhet të ikë njëherë e përgjithmonë. Janë autoritetet e Shtetit ato të cilat janë përgjegjëse për të marrë masa urgjente, të cilat duhet të garantojnë jetën dhe shëndetin e banorëve të zonës. Të drejtat themelore të qytetarëve të vendit nuk duhet të shkelen për interesa ekonomike apo dhe politike.
2- Pas “Bankers Petroleum” radhën e mori “Kurum”
Një tjetër lajm që bëri bujë këtë muaj ishte pezullimi i aktivitetit të shoqërisë Kurum International Sh.a. në qarkun e Elbasanit. Pezullimi u vendos më 10 prill nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve, pasi u konstatuan shkelje dhe mungesa dokumentacioni. Inspektorati i la Kurum-it afat deri më 20 maj për të rregulluar të gjitha “gabimet” që iu vunë në dukje.
Më dhjetor 2014 u publikua se skoriet e nxjerra nga Kurum depozitoheshin në mënyrë të paligjshme në bregun e lumit Shkumbin, ku nga i gjithë ky aktivitet është krijuar një kodër “të paktën 200 metra e gjerë dhe rreth 20 metra e lartë”. Pesë muaj më pas nuk është marrë asnjë nismë nga ana e Ministrisë për të bërë investigimet e duhura. Mjaftonte një vizitë nga ana e ISHMP për të vënë re këtë kodër, jo dhe aq të vogël, por ajo nuk u realizua deri në momentin që bëri bujë “Bankers Petroleum”. Një strategji e mirë për të tërhequr vëmendjen nga situata e jashtëzakonshme që ndodhi në Fier, ishte pezullimi i aktivitetit të Kurum. Pezullim që erdhi pas shumë lobimesh që ishin bërë nga mediat, aktivistët dhe nga vetë banorët e zonës.
Por Kurum nuk e “vrau” shumë mendjen për pezullimin që mori nga ISHMP sepse katër ditë pas këtij vendimi ajo rinisi aktivitetin e saj normalisht. Në media u bënë publike pamje filmike ku shihej mjaft qartë se urdhri i Ministrisë së Mjedisit ishte shkelur me të dyja këmbët nga drejtuesit e kompanisë turke.
Më pas në ditët në vazhdim nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Mjedisit apo ISHMP, çka lë hapësira për të hedhur dyshime që pezullimi i aktivitetit të Kurum-it të ketë qenë thjeshtë një fasadë, apo një fushatë mediatike.
Referenca:
- Artikull: Ministri Koka ndjek nga afer situatën në Patos Marinzë
(http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-koka-ndjek-nga-afer-situaten-ne-patos-marinze&page=1 ) - Artikull: Ministri Koka ndjek nga afer situatën në Patos Marinzë
(http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-koka-ndjek-nga-afer-situaten-ne-patos-marinze&page=1 ) - Artikull: Fier, shpërthim gazi në puset e naftës, evakuohen banorët e një fshati
(http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/09/16/fier-shperthim-gazi-ne-puset-e-naftes-evakuohen-banoret-e-nje-fshati/ ) - Raport, Institutit të Shëndetit Publik.
(http://www.reporter.al/wp-content/uploads/ISHP-skanim.pdf ) - Artikull: ISHMPU pezullon aktivitetin e Shoqërisë Kurum international Sh.a në qarkun e Elbasanit
(http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ishmpu-pezullon-aktivitetin-e-shoqerise-kurum-international-sh-a-ne-qarkun-e-elbasanit&page=1 ) - Artikull: Mali i plehrave i nxjerr bojën qeverisë Rama
(http://www.reporter.al/mali-plehrave-nxjerr-bojen-qeverise-rama/ ) - Video: A1 Report – Pezullimi/ KURUM shpërfill Mjedisin, nis punën në Elbasan
(https://www.youtube.com/watch?v=wligS9rQhXw )