
Elena Pici
1- Një kredi për shembull
Një kredi e konsideruar historike është firmosur këtë muaj nga Ministria e Financave dhe fituesja e tenderit përkatës Deutsche Bank. Po të analizojmë kushtet financiare të kredisë, në fakt kjo do të ishte ndër huatë me favorizuese për palën shqiptare. Një kredi prej 250 milionë eurosh, me një interes 1.3 % mbi benchmark rate (ky i fundit është aktualisht 0.5%, duke e çuar interesin në total 1.8%), me një afat maturimi 10 vjeçar dhe një tarifë angazhimi1.25% të pagueshme vetëm një herë. Mbi të gjitha, kjo është një kredi e siguruar nga Banka Botërore, që do të thotë se në rast se qeveria shqiptare nuk do të mund të shlyej këtë detyrimin e saj ndaj bankës huadhënëse, atëherë këtë kredi do ta ekzekutojë Banka Botërore për vlerën deri 200 milionë euro. Por sigurisht që kjo garanci nga Banka Botërore ka një kosto financiare, një normë interesi që nuk është bërë e ditur ende, dhe në këtë rast lind pikëpyetja nëse kjo garanci ka qenë e nevojshme dhe financiarisht efiçente. Megjithatë Shqipëria nuk është e para në rajon që merr kredi me garanci të Bankës Botërore. Kjo është aplikuar në 2 vitet e fundit dhe nga shtete të tjera të rajonit.
Qeveria është shprehur se do ta përdorë këtë fond për të ulur defiçitin buxhetor në dy vitet në vijim, i cili nga masa 69% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB, ose ndryshe 7 miliardë euro) që është aktualisht, sipas premtimeve të programin elektoral, në fund te mandatit qeverisës në vitin 2017 duhet të ketë arritur masën 60% te PBB-së. Megjithatë ky fond nuk do të jetë i mjaftueshëm që të shlyhen eurobondet me vlere 300 milionë euro të emetuara në 2010 dhe që maturohen në nëntor të këtij viti, prandaj pritet që qeveria të emetojë eurobonde të reja ose sërish të marrë hua për të mbuluar borxhin prej 550 milionë eurosh në total. Në përfundim mund të themi se kjo është një “kredi me leverdi”, por ashtu siç është parashikuar në programin qeverisës 2013-2017, rritja ekonomike duhet të vijë nëpërmjet ristrukturimit ekonomik me fokus rritjen e PBB-së dhe jo nëpërmjet huave që janë shndërruar në një rreth vicioz.
2- Më në fund një strategji
Muajin e kaluar raportuam ngërçin e të ardhurave buxhetore, dhe rritjen e shpenzimeve qeveritare në masën 6% kundrejt çdo parashikimi financiar të zhvillimit ekonomik. Të njëjtën gjë kishte marrë në konsideratë edhe Ministria e Financave, e cila e ndërgjegjësuar, këtë muaj organizoi konferencën “Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020” me praninë e Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare dhe shqiptare.
Ministri Cani u shpreh “Ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik të vendit ka qenë kurdoherë një prioritet madhor, që ndikon në zhbllokimin e potenciale ekonomike të pa shfrytëzuara që ka vendi. Në këtë strategji synohet të gjenden mekanizma për forcimin e kuadrit të përgjithshëm fiskal. Kjo strategji ka vendosur objektiva të rinj si ne të parandalojmë krijimin e detyrimeve të reja, ku do të realizohet më mire kontrolli i angazhimeve financiare. Në vijim do të bëjmë kufizime të buxhetit të pakontrolluar siç ka ndodhur deri tani dhe kështu vihet në kontroll niveli i shpenzimeve në të ardhmen që mos të krijojmë detyrime të prapambetura” . Në tërësi strategjia vë fokusin në menaxhimin më efiçient të burimeve publike dhe kontrollit financiar përkatës, deficienca këto të cilat deri më tani kanë shkaktuar një humbje prej 100 milionë eurosh dhe shpërdorim fondesh për shkak të mos prioritizimit të projekteve, sipas Jean Eric Paquet.
Megjithatë rezulton se kjo strategji është hartuar dhe miratuar që në Dhjetor 2014, prandaj me shumë sesa diskutime me palët e interesuara dhe të përfshira, kjo konference ishte sa për të bërë publike strategjinë, e cila të paktën këto 4 muaj të para të implementimit nuk ka pasur një efekt për të bërë diferencën. Por të besojmë se nën moton “ jo më shpenzime të pakontrolluara apo detyrime të prapambetura” kjo strategji do të ketë një efekt afatgjatë.
3- Të besojmë, kë?
Në fund të vitit të kaluar, qeveria deklaroi se do të kompensonte plotësisht shtresat më të varfëra të popullsisë për rritjen e çmimit të energjisë. Për këtë qëllim, në buxhet u përcaktua një fond 1.6 miliardë lekë, i cili do të mbulonte gjithë efektin e rritjes së tarifës për rreth 200 mijë familje në shkallë vendi. Ky kompensim supozohej të parapaguhej, por deri në muajin e katërt të këtij viti asnjë kompensim nuk ka dalë nga buxheti i shtetit. Institucionet e përfshira, qeverisja vendore, ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministria e Financave, kanë reaguar me deklarata zyrtare, dhe për efekt të këtij raportimi ne na intereson qëndrimi i kësaj të fundit, e cila u “akuzua” se këto fonde nuk janë raportuar në zërin përkatës të shpenzimeve në buxhet.
Ministria e Financave ka sqaruar: “Treguesi“ Kompensim për shtresat në nevojë”, pjesë e treguesve fiskale në tabelën e buxhetit 2015 ka një specifike. Pavarësisht se parashikohet si një zë i veçantë (në plan), kur përdoret bëhet pjesë e treguesve të tjerë buxhetore. Kështu p.sh; fondi i kompensimit janar-shkurt-mars, përfituar nga pensionistët, është pjesë e shpenzimeve për sigurimet shoqërore. Nëse kontaktoni me ISSH drejtuesit konfirmojnë se pensionistët kanë përfituar kompensimin e janarit në shkurt dhe të shkurtit në mars, dhe ky shpenzim është i reflektuar në shpenzimet për sigurimet shoqërore, pra atje ku reflektojnë shpenzimet për pensione dhe përfitime të tjera. Po kështu për ndihmën ekonomike, papunësinë apo për punonjësit buxhetore, shpenzimet për kompensimin e energjisë janë pjesë e shpenzimeve në zërat përkatës”.
Ky informacion mbetet për t’u vërtetuar në bilancet e institucioneve të përfshira me dhënien e ndihmës, prandaj do t’i rikthemi për raportim dhe transparencë muajin e ardhshëm.
Referenca:
Anadolu Agency. Prill 2015. Prezantohet strategjia për menaxhimin e financave publike ne Shqiperi. http://www.aa.com.tr/al/ekonomia/493379–prezantohet-strategjia-per-menaxhimin-e-financave-publike-ne-shqiperi
Gazeta Panorama. Prill 2015. Kredia historike e qeverisë shqiptare. http://www.panorama.com.al/kredia-historike-e-qeverise-shqiptare-merren-250-milion-euro-hua-garant-del-banka-boterore/
Gazeta Shqip. Prill 2015. Deutsche Bank fiton tenderin 250 milionë euro hua qeverise. http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/04/08/deutsche-bank-fiton-tenderin-per-250-milione-euro-hua-qeverise/
Gazeta Tema. Prill 2015. Strategjia për menaxhimin e financave publike. http://www.gazetatema.net/web/2015/04/14/strategjia-per-menaxhimin-e-financave-publikecani-stop-shpenzimeve-te-pakontrolluara-dhe-detyrimeve-te-prapambetura/
Monitor.al. Prill 2015. Kompensimi i energjisë elektrike, shpërndarja nuk pasqyrohet ne buxhet. http://www.monitor.al/kompensimi-i-energjise-elektrike-qeveria-pretendon-shperndarjen-nuk-pasqyrohet-ne-buxhet/
Reporter.al. Prill 2015. Deutsche Bank krediton Shqipërinë. http://www.reporter.al/deutsche-bank-krediton-shqiperine-250-milione-euro-per-me-pak-se-2-per-qind-interes/
The Albanian. Prill 2015. Kompensim për dritat, asnjë lek për 4 muaj. http://www.thealbanian.co.uk/kompensimi-per-dritat-asnje-lek-per-kater-muaj.html