
Gerion Treska
1- Ftesa jo krejt e pastër për të bërë biznes në Shqipëri!
Megjithëse me një muaj diferencë, dy qëndrime të ndryshme vijnë në lidhje me klimën e biznesit në Shqipëri. Ministri Gjiknuri në një vizitë pune në Hagë në fillim të muajit prill, në takimin me Ministrin e Çështjeve Ekonomike Henk Kamp, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, u ndal tek masat e ndërmarra nga qeveria pёr tё krijuar njё klimё sa mё miqёsore ndaj biznesit tё huaj e vendas, Ministri Gjiknuri theksoi se Shqipёria ofron mundёsi tё mёdha falё rezervave tё saja nё burime natyrore. Më në detaj, bashkёbiseduesit u ndalёn edhe nё procedurat e ofrimit pёr aktivitet kёrkimi tё blloqeve tё lira tё naftёs dhe gazit. Duke marrё nё konsideratё edhe rezultatet pozitive tё kёrkimeve tё kompanisё SHELL e Petromanas nё zonёn e Shpiragut.
Me po të njëjtën ftesë ministri Gjiknuri u foli edhe investitorëve të huaj pjesëmarrës në Forumin e Biznesit të organizuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë së Estonisë në Tiranë, duke u përqëndruar tek vizioni i tij se Shqipëria nga pikpamja energjetike mund të bëhet një aktor me rëndësi për Europën Juglindore, megjithese Shqipëria ka një treg të vogël të energjisë elektrike, po punohet që të krijohet infrastruktura që Shqipëria të jetë e ndërlidhur me të gjitha vendet fqinje. Për këtë qëllim pritet të kalojë në Parlament ligji i ri i energjisë, i cili do të jetë një fillim për liberalizimin e tregut të energjisë.
Ndërkohë ne fund të muajit, në Mbledhjen e Asamblese së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë gjatë së cilës u prezantua Indeksi i Biznesit të Am Cham (ABI). Indeksi, i cili mat 27 indikatorë që lidhen me klimën e biznesit, performancën e ekonomisë, reformat dhe politikat e qeverisë, marrëdhenien me administratën tatimore, doganore, Ministritë dhe qeverisjen lokale, furnizimin me energji, sistemin e taksave, rendin dhe sigurinë, klimën e brendshme politike apo edhe vetë performacën e bizneseve si kërkesa për mallrat dhe sherbimet e tyre, investimet, punësimin etj, pavarësisht se Shqipëria shënoi këtë vit një rritje me 2,56 pikë krahasuar me vitin 2013, Ambasadori Amerikan Donald Lu, pasi vlerësoi punën e bere nga Ministri Ahmetaj dhe ekipi i tij në mbështetje të biznesit në vend dhe për adresimin e problemeve të tyre, tha se klima e biznesit në Shqipëri nuk është ende ajo e duhura.
Inkurajimet “jeni në rrugën e duhur” kanë prej vitesh tashmë duke na rrahur shpatullat ndërkohë që marketingu i qeverisë jashtë vendit mbetet për t’u verifikuar dhe monitoruar. Të ftosh për të bërë biznes investitorë të huaj me një nivel të lartë taksash, informaliteti dhe burokracie administrative, sipas Dhomës Amerikane të Tregëtisë, nuk duket fort mirëpritëse, sidomos krahasauar me rajonin, pavarësisht resurseve dhe mundësivë të biznesit, një ftesë e tillë mbetet një sipërmarrje në vetvete mjaft e rrezikshme. Por në fund të ditës edhe qeveria duhet të bëjë punën e saj duke ftuar investitorët e huaj pasi mesa duket ata vendas e shterruan kapitalin investues ose po e ruajnë për ditë më të vështira.
2- Fantazmat e Marinzës!
Ngjarja e ditës së parë të muajit prill në Marinzë ishte një incident, i cili fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz, banorë të zonës ose punonjës të kompanisë Bankers. Shumë fantzma qarkullojnë mbi këtë skenar i cili nisi dhe nuk po di të përfundojë.
Sipas Raportit paraprak për ngjarjen e ndodhur në Pusin nr.5761 në vendburimin Marinzë, Kompania “BANKERS Petroleum Albania Ltd.” mbështetur në Marrëveshjen Hidrokarbure të miratuar në vitin 2004, ushtron aktivitetin e saj në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Në zonën ku ndodhi Fontana, me sheshin P29a kishte projektuar të realizonte shpimin e 11 puseve horizontale në përputhje me planin e zhvillimit. Në këtë shesh ishin realizuar deri ne fund te marsit 2015, 9 shpime horizontale, të gjithë në shtresat e këtij vendburimi. Ndërsa një paragraf më sipër thuhet se Aktiviteti i shpimit të pusit zhvillohet në bazë të Lejes Zhvillimore Komplekse te miratuar me vendimin e KKT nr. 4, date 04.07.2013 dhe te zbardhur me Lejen e miratuar nga MEI me nr. 4002/1, date 24.07.2014, e vlefshme deri në datën 17.07.2016.
Shkaqet që përmend Ministria janë si më poshtë:
- Mungesa e linjës së dytë të preventorëve, megjithëse ishte parashikuar në projekt.
- Veprimet e personelit të sondës, ndërkohë që presioni real arriti në 38 bar, 3.8 herë më i lartë se presioni i çarjes hidraulike të formacioneve poshtë konduktorit). Pra kompania Bankers Petroleum nuk duhet të lejonte rritjen e presionit në kezing mbi 10 bar.
- Prezenca e Gazit, kompania Bankers Petroleum nuk ka studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth të shpuar më përpara nga kompania Albpetrol, duke neglizhuar këtë informacion shumë të rëndësishëm ku në Prill-Qershor 1991 ishin injektuar 2.293.329 m³ gaz karbonik.
- Solucioni argjilor, solucioni argjilor rezervë nuk ishte në parametrat e duhura, për të mbytur fontanën.
Sipas Ministrit Gjiknuri, Albpetroli është bashkëzhvillues pasi është ai që ka marrëdhënien dhe detyrimin për monitorimin teknik e planifikimin zhvillimor të shoqërisë. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore aprovon planin e zhvillimit dhe ushtron kontrollin përmes auditit teknik e financiar. Thënë më thjeshtë, aspektet teknike dhe operacionale të kërkimit të naftës i monitoron Albpetroli ndërsa AKBN kryen auditimin financiar.
Ndërkohë që Ministria ka dhënë një leje të miratuar me nr. 4002/1 të vlefshme deri më datën 17.07.2016 dhe Alpetrol është bashkëzhvillues, asnjëri nuk konstatoi të paktën mungesën e linjës së dytë të preventorëve megjithëse ishte parashikuar në projekt?
Gjithçka që mund të thotë Ministri për kontrollet është se nga autoritetet shqiptare janë bërë vazhdimisht monitorime, nuk mund të flasë për cilësinë e tyre. Gjithsesi, si ministër them se mbase cilësia e tyre nuk ka qenë e duhur në auditimet e mëparshme. Patjetër që cilësia e auditimit duhet të jetë më e lartë dhe ne po e përmirësojmë këtë cilësi. Janë kryer auditimet e fundit për të cilat është arritur në fazën e ballafaqimit dhe për shkak të konfidencialitetit që ka marrëveshja hidrokarbure nuk mund të jepen më shumë detaje.
Kjo ishte fantazma e parë e Marinzës, e cila endet në raporte analiza dhe vlerësime të cilat do të shtjellohen dhe monitorohen ne raportet në vijim.
Referenca:
- http://www.gazetatema.net/web/2015/04/27/ambasadori-lu-klima-e-biznesit-ne-shqiperi-me-e-mire-se-dy-vite-me-pare-ahmetaj-shume-shpejt-prezantojme-aksionin-kunder-informalitetit/
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/ministrat-bushati-dhe-gjiknuri-zhvillojne-vizite-zyrtare-ne-hollande
- http://www.oranews.tv/ekonomi/klima-e-biznesit-dhat-shqetesuese-taksat-informaliteti-dhe-burokracite/
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/shqiperia-ofron-potenciale-te-medha-per-investimet-e-huaja
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/deklarata-per-shtyp/raporti-paraprak-per-ngjarjen-e-ndodhur-ne-marinze
- http://www.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/marinza-gjiknuri-kompania-ka-pergjegjesine-e-plote