![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Vlerësime për gjyqtarët
Në kuadër të zbatimit të reformave të nevojshme për pesë prioritetet kyçe, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, më specifikisht Reformës në Drejtësi (ecuria e së cilës është trajtuar në raportin e muajit mars), ministria e Drejtësisë ka dërguar gjatë këtij muaji për miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”, objekt i së cilës janë përfshirë vetëm gjyqtarët dhe kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit.
Bëhet e ditur se gjatë fazës përgatitore të këtij projekt-akti, ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtësisht me aktorët e përfshirë në procesin e vlerësimit, përvoja e të cilëve ka qenë një vlerë e shtuar gjatë hartimit. Grupi i përbashkët i punës përbëhej nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Unionit të Gjyqtarëve, kryetarë gjykate, gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të BE “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS IV), që kanë asistuar në çdo fazë të hartimit të tij.
Sistemi aktual i vlerësimit bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së (Këshilli i Lartë i Drejtësisë) për të mbledhur të dhëna në lidhje me performancën e gjyqtarëve. Metoda aktuale e vlerësimit është e ndërlikuar dhe kërkon shumë punë nga inspektorët e KLD-së, ku nevojiten kërkime të gjata që prekin kohëzgjatjen e procesit. Për më tepër, aktualisht kriteret dhe procedura i ofrojnë relativisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë një hapësirë të gjerë diskrecioni. Ky projektligj vjen pikërisht si nevojë për përmirësimin e veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe efiçiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit. Në ndryshim nga sistemi aktual, ajo që të bie në sy në projektligj është sistemi i ri i vlerësimit që përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit, i cili bëhet i detyrueshëm duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit, duke siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent. Vetëvlerësimi do t’i bashkëngjitet vlerësimit të kryetarit të Gjykatës dhe më pas do t’i përcillet Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në parim ky duket të jetë një sistem objektiv, me disa hallka vlerësimi, por ndoshta do të nevojitet një trajnim për gjyqtarët tanë për të krijuar kulturën e vetëvlerësimit.
Kriteret e vlerësimit janë të përcaktuara qartë dhe janë të matshme, bazuar në tregues të caktuar. Kriteret e vlerësimit janë: aftësia gjyqësore, aftësitë organizative, etika dhe angazhimi për vlerat gjyqësore dhe aftësinë njerëzore dhe angazhimin profesional. Vlerësohen aftësia e gjyqtarit për të përballuar ngarkesën e punës, për të kryer procedurat gjyqësore dhe aftësia për të administruar dosjet gjyqësore. Kriteri “aftësi gjyqësore” vlerësohet në kuptimin e njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor. Mbetet detyrë e ministrisë së Drejtësisë nxjerrja e një manuali udhëzues për të përcaktuar parametrat orientuese mbi te cilat do të zhvillohet kjo pjesë e rëndësishme e vlerësimit. Projektligji shmang përqindjet e prishjes së vendimeve, pra në fund sërish gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për vendimin e dhënë. Vlerësimi do të bëhet të paktën 1 herë në tre vjet për gjyqtarët dhe 1 herë në katër vjet për kryetarët e gjykatave.
Objektivat e këtij ligji lidhen me përcaktimin e parimeve, kritereve dhe procedurave për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. Ligji nuk do të zbatohet për gjyqtarët që janë rekrutuar në inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur vlerësohet veprimtaria e tyre si inspektorë dhe as gjyqtarët e gjykatës së Lartë.
Në përfundim mund të konkludojmë se reforma ka qëllime pozitive, dhe ndër të tjera miratimi i këtij projektligji nuk sjell efekte financiare negative për buxhetin e shtetit. E vetmja sfidë mbetet që pas miratimit të ketë një implementim të drejtë dhe objektiv.
Referenca:
Agjencia Telegrafike Shqiptare. Prill 2015. Sistemi i vlerësimit te gjyqtareve. http://www.ata.gov.al/sistemi-i-vleresimit-te-gjyqtareve-ministria-e-drejtesise-harton-prligjin-e-ri-250607.html
Gazeta Panorama. Prill 2015. Vlerësimi i gjyqtareve, ja drafti i dërguar ne qeveri. http://www.panorama.com.al/vleresimi-i-gjyqtareve-ja-drafti-i-derguar-ne-qeveri/
Gazeta Shekulli. Prill 2015. Ministria e Drejtësisë, projektligj për vlerësimin e gjyqtareve. http://www.shekulli.com.al/p.php?id=217054
Ora News. Prill 2015. Ja kriteret e vlerësimit te gjyqtareve. http://www.oranews.tv/vendi/kriteret-per-vleresimin-e-gjyqtareve-prligji-shkon-ne-qeveri/
Ministria e Drejtësisë. Prill 2015. Projektligji “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën Shqipërisë” http://www.drejtesia.gov.al/al/neësroom/lajme/md-dergon-ne-qeveri-projektligjin-per-sistemin-e-vleresimit-te-gjyqtareve