
Adela Danaj
1- Gjermania dhe Danimarka japin 6,5 milionë euro në mbështetje të sektorit agro-ushqimor
Gjatë muajit prill nga ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave kemi marrë një lajm të mirë. Kjo ministri sëbashku me kompaninë Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ) ka shpallur nisjen e aplikimeve për skemën e granteve në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit në zonat e thella rurale të Shqipërisë, përkatësisht në 6 qarqe: Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë. Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria daneze dhe ajo gjermane për financimin e skemës së granteve kap shifrën e 6,5 milionë eurove. Programi do të zbatohet për një periudhë trevjeçare. Përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë rreth 1000 fermerë, agropërpunues e sipërmarrës vendas që merren me prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe marketimin e produkteve bujqësore në kuadër të 3 zinxhirëve të vlerës: ripërtypësit e vegjël, drurët frutorë dhe arrorët, si edhe bimët mjekësore e aromatike. Ky projekt ka për qëllim zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së banorëve të zonave rurale. Ai synon edhe rritjen e konkurrueshmërisë dhe te aksesit në tregje të prodhimeve bujqësore në 6 qarqet e lartpërmendura. Fondi do të shpërndahet në 6 qarqe për 1.000 fermerë.
Në fakt ajo që vërtet do të na interesonte lidhet me faktin se kur thuhet drurët frutorë dhe arrorët, cilëve drunore i referohet ministria, pasi zonat në të cilat do të iniciohet kjo nismë kanë specifikat e veta në lidhje me kushtet klimaterike, përbërjen e tokës apo përmbajtjen e elementeve të ujit. Shpresojmë të mos dëgjojmë çudira të tipit: në Korçë u mbollën kaq rrënjë shege apo fiku, drunorë frutorë të cilët nuk mund të rriten në ketë zonë për shkak të arsyeve të lartpërmendura.
Gjithashtu, do të kërkonim më shumë detaje në lidhje me shpërndarjen e këtyre fondeve, kujt fermerëve do ti jepen, mbi çfarë kriteresh do të bëhet shpërndarja e tyre, a do të ketë një skemë kontrolli për të mbikëqyrur punën e tyre? Sa garanci do të japin fermerët e përfshirë në këtë skemë mbi efikasitetin e procesit? Dhe mbi të gjitha mos duhet të presim justifikime të llojit: Janë të mbjella drurore dhe do të duhet pak kohë që ata të japin frytet e tyre të para?
Kërkojmë transparencë dhe efiçencë në mënyrë që të përmbushet realisht misioni dhe qëllimi i kësaj nisme, zhvillimi i ekonomisë dhe rritja e mirëqenies së banorëve në zonat rurale. Kujtojmë se sot në Shqipëri territoret rurale ballafaqohen gjithmonë e më shumë me rrezikun e largimit të banorëve prej tyre duke u shndërruar në zona të pabanuar dhe për rrjedhojë të pa shfrytëzuara, ndaj nisma të këtij lloji, në këto kushte marrin akoma më shumë rëndësi.
Referenca: