1- Planet Kombëtare
Këtë muaj Ministria ia ka dedikuar “promovimit” të 3 planeve kombëtare të zhvillimit urban, nga të cilët: Plani i Përgjithshëm Kombëtar; Plani i integruar ndër sektorial për Bregdetin dhe Plani ndër sektorial për zonën ekonomike Tiranë -Durrës. Nga dëgjesat e zhvilluara në Korçë dhe Vlorë për këtë muaj mund të kuptohet se në këto plane është përfshirë, me aq sa deklarohet, praktikisht gjithçka që vendi jonë ka nevojë nga ana infrastrukturore, e planifikimit e integrimit të territorit jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon. Projektet nuk janë aq shumë të tillë se sa një konstatim se çfarë ka shkuar keq në zhvillimin e planifikimin e territorit dhe çfarë është e nevojshme të bëhet. Në asnjë lloj mënyre këto “plane’ nuk mund të quhen projekte sepse ato nuk përmbajnë asnjë projekt konkret, në terma afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, as kontraktor që do i vënë në lëvizje e as plan financiar. Një problem më vete janë pikërisht prezantimet e projekteve, të cilat të prezantuara në formën e konsultimeve, janë një shfaqje e paqartësisë që rrethon projektet ku folësit kalojnë nga tema e zhvillimit të parqeve energjitike, të infrastrukturës portuale, te Parqet Natyrore, turizmi e prioriteti i infrastrukturës së biçikletave të gjitha të ngjeshura në 3 minua fjalim (që mund ta aksesoni në videon e sjell te seksioni i Referencave). Sipas vetë Ministrit, Znj. Gjermeni, këto projekte mund të konsultohen online: Në funksion të këtij qëllimi kemi menduar që planet t’i bëjmë interaktive. Pra, i kemi publikuar në një faqe të posaçme online ku secili prej jush mund të japë sugjerime dhe propozime për t’i përmirësuar këto draft-dokumente”, – deklaroi Ministrja.
Ndërkohë deri tani arritëm të gjejmë vetëm njërin prej tyre në Faqen e Ministrisë ( dhe në portalin Planifikimi.gov.al gjetëm një faqe që duhet të kishte informacioni e plotë, por që nuk është i aksesueshëm) dhe mund të themi pa frikë se Plani i Përgjithshëm Kombëtar nuk ofron asnjë detaj mbi misionin e madh që Ministria ka marrë përsipër, as ato më minimale dhe dyshojmë se është e mundur të deshifrohet edhe nga ekspertët e fushës. Më shumë se një strategji komunikimi, transparencë e gjithëpërfshirës, është qartësisht një strategji e fryrë mbi plane fantazma, të dizajnuar për ta bërë publikun e qytetarin e thjeshtë të ndjehet injorant për nga sasia e informacionit që i i ofrohet dhe nga retorika tërësisht boshe, pavarësisht bombardimit me fjalë “integrimi”, ”zhvillim i qëndrueshëm”, “planifikim”, “projekt infrastrukturor”, “legalizim”, “identifikim” të gjitha larg zhargonit operacional që duhet të përmbanin planet.
I këshillojmë Ministrisë, që në vend të militantëve e miqve deputet, të ftojë në këto takime ekspert të fushës, të cilët të mund të vlerësojnë atë çka supozohet është planifikuar , të ndihmojnë publikun të kuptojë dhe të ofrojnë propozimet e tyre për të korrigjuar dokumentet në fjalë.
2- Progres Raporti i KE mbi Zhvillimin Urban
Progres Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë trajtonte në një seksion të veçantë edhe Zhvillimin Urban e planet e shpallura të qeverisë. Më specifikisht, raporti sheh problematika, të raportuara nga APPA më përpara që variojnë që nga mungesa e përgjegjësisë për zyrtarët përgjegjës të shkeljeve në këtë sektor, sidomos për lejet e ndërtimet abuzive e deri te fakti që projekte si Rilindja e qyteteve janë të komprometuara sepse bëhen mbi baza të qarta politike, ku favorizohen Bashkitë e shumicës qeverisëse. Raporti evidenton se janë krijuar shumë institucione, përgjegjësia e kompetencat e të cilave nuk janë të qarta e shpeshherë të mbivendosura, gjë që ndikon në mungesën e efektivitetit të punës së tyre. Një tjetër aspekt i paqartë ka të bëj me përgjegjësinë që u mvishet organeve vendore, sidomos me ndarjen e re administrative, ku deri tani vërehet një tendencë centralizuese, që tenton jo të harmonizojë vendimmarrjen me pushtetin vendor, por në krijimin e agjencive të varura nga organet qendrore dhe dispozitat rregulluese midis tyre nuk janë implementuar. Rekomandohet që të bëhen më transparente vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, inspektorateve e agjencive të tjera.
Referenca:
http://www.planifikimi.gov.al/?q=content/plani-i-pergjithshem-kombetar-ppk
https://www.youtube.com/ëatch?v=JN3rURjOcGk