1- Shqipëri-Kroaci: Bashkëpunim “pa kufij”
Në ditët e para të muajit Nëntor, ministri i shëndetësisë, realizioi nënëshkrimin e planit të bashkëpunimit dy palësh mes tij dhe homologut Kroat në lidhje me sektorin shëndetësor, një bashkëpunim i cili supozohet të zgjasë deri në vitin 2018. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, të dyja shtetet do të kenë një bashkëpunim reciprok midis tyre, ku Shqipëria do të ofrojë mbështetje maksimale në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë për shtetin Kroat.
Ky lajm ishte shokues. Në vendin tonë një nga sektorët më problematik, është pikërisht ai i shëndetësisë dhe mjekësisë në përgjithësi. Kushtet spitalore janë në gjendje të mjerueshme, skandalet në lidhje me tenderat e produkteve farmaceutike kanë qënë kryefjala e kohëve të fundit, urgjenca mjekësore vazhdon të mos jetë urgjencë dhe për të mos folur për shërbimin elektronik i cili as që ekziston. Ndaj, është e tepërt të raportohet që ndihma dhe bashkëpunimi do të jetë reciprok. Çfarë do t’i ofrojmë ne një vendi si Kroacia? Do të bëhemi busulla për t’i orjentuar drejt rrugës së dështimit në shëndetësi?! APPA konstaton se lajmet në faqet zyrtare të ministrive do të jenë me tone pozitive dhe ministri do të jetë gjithmonë “heroi”, por për të disatën herë e sheh me vend të kërkojë që të mos sajohet duke raportuar lajme qesharake. Ndërkohë, realizuam një kërkim të vogël në faqen zyrtare të ministrisë së shëndetësisë së shtetit Kroat dhe aty nuk dalluam as një foto të misnistrit, madje as emrin e tij. Nuk dalluam as ndonjë lajm që trumbetonte arritjet spektakolare të ministrit apo ndonjë përurim në lidhje me inagurimin e ndonjë pajisjeje të re në ndonjë qëndër shëndetësore kroate. Dhe së fundmi, kjo marrëveshje, nga e cila do të përfitojë vetëm Shqipëria dhe aspak Kroacia, është një marrëveshje e cila është iniciuar në vitin 2003, që do të thotë se zoti Beqaj, nuk ka asnjë kontribut. Përfundimi me sukses i nënshkrimit të bashkëpunimit duhet konsideruar si hapi final i një pune disa vjeçare të iniciuar dhe zhvilluar prej paraardhësve të tij.
Referenca:
Ministria e Shëndetësisë, Nëntor 2015, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruajnë planin e ri të bashkëpunimit në shëndetësi
Ministria e Shëndetësisë, Kroaci: http://www.zdravlje.hr/en/ministry