1- Terrorizmi si kërcënim (ndër)kombëtar
Këtë muaj, ndërkohë që qytete të ndryshme të botës u goditën rëndë nga akte terroriste të Shtetit Islamik (ISIS), duke krijuar sfida të forta sigurie dhe pasiguri për aftësinë e terrorizmit për të depërtuar në shoqëri, Shqipëria miratoi në parlament Strategjinë Kombëtare të Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, së bashku me planin e veprimit.
Aspekti pozitiv i Strategjisë është qasja shumëdimensionale që i është kushtuar problemit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke lëvizur përtej përcaktimit të çështjes si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare e për rrjedhojë që kërkon përgjigje në nivel sigurie kombëtare. Strategjia e miratuar përfshin një sërë institucionesh publike në miratimin e saj, përkatësisht: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Cështjeve Sociale dhe Rinisë. Përveç kësaj në masat konkrete që propozohen në nivel shoqëror nënkuptohet dhe promovohet edhe roli i shoqërisë civile si partner në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe vënia e theksit tek masat parandaluese që vendosin në qendër komunitetin dhe nevojat e tij.
Qëllimi kryesr i strategjisë është ‘’krijimi i një mjedisi të begatë dhe gjithëpërfshirës për qytetarët’’ dhe një sërë masash propozohen për të arritur tek ky qëllim. Specifikisht masat e propozuara mund të grupohen si më poshtë:
1-Nxitja e vlerave të tolerancës nëpërmjet arsimit. Ideja kryesore pas kësaj mase është nxitja e shkollës si qendër komunitare, jo vetëm si ambjent nxënieje për fëmijët. Kjo e fundit ka qenë në planin e qeverisë qysh prej ardhjes në pushtet. Për rrjedhojë strategjia parashikon shtrirjen e këtij parimi në zonat më të rrezikuara dhe të prekura nga fenomeni i ekstremizmit (ose potencialisht) të dhunshëm. Në praktikë kjo do të përkthehet në trajnimin e mësuesve që të dallojnë herët shenjat e radikalizimit dhe ekstremizmit dhe adresimin e tyre qysh në këtë fazë të hershme të zhvillimit të të rinjve. Rivitalizimi i jetës shkollore, përmes aktiviteteve jashtëshkollore, artistike dhe sportive, për të rritur ndjenjën e komunitetit dhe vlerat e përbashkëta është gjithashtu masë konkrete, pjesë e kategorisë së kthimit të shkollës në qendër komunitare.
2-Trajtimi i shkaqeve socio-ekonomike që mund të shtyjnë shumë të rinj dhe të rritur të bien pre e radikalizmit. Në këtë kuadër propozohet nxitja e formimit profesional dhe ndërmjetësimi midis të rinjve të papunë dhe tregut të punës nga ana e institucioneve shtetërore.
3-Policimi në komunitet. Ky aspekt ka qenë një prej themeleve të qasjes reformuese të policisë së shtetit, për rrjedhojë kjo përbën thjesht ripërsëritje të masave të kahershme të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të adresuar jo vetëm ekstremizmin e dhunshëm por edhe fenomene të tjera që lidhen me rendin publik dhe sigurinë që kanë në qendër të vëmendjes komunitetin dhe nevojat e tij.
4-Fuqizimi i shoqërisë civile përmes mbështjetjes me projekte në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Ndërkohë që roli i shoqërisë civile duhet të jetë më aktiv dhe duhet të shihet si aktor i rëndësishëm në këtë luftë të përbashkët, është e rëndësishme të mos keqpërdoret AMSHC dhe mbështetja ndaj shoqërisë civile për të favorizuar subjekte të ndryshme.
Synohet gjithashtu të hartohet një strategji komunikimi që do të përdoret nga të gjithë aktorët lokalë në iniciativat e tyre për të kundërshtuar radikalizmin. Në strategji parashikohet që kjo strategji do të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar shtetërorë dhe jo-shtetërorë. Mbetet për t’u parë si do të jetë kjo strategji komunikimi, çfarë ndikimi do të ketë në komunitet dhe sa realisht do të reflektohen nevojat e komunitetit në të.
Pjesa tjetër e masave të parashikuara ir eferohen ndarjes së informacionit, trajnimit të stafit që është në vijën e parë të veprimit dhe punonjësve të institucioneve të sigurisë. Është për t’u theksuar se bashkëpunimi në nivel rajonal dhe ndërkombëtar zë po ashtu një vend të rëndësishëm në strategji, duke u angazhuar se do të vihet në krye të një nisme rajonale për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet fqinjëve për adresimin e këtij problem. Megjithatë nuk specifikohet më tej cila është nisma dhe çfarë përfshin ajo konkretisht. Megjithë parashikimet e strategjisë, ana negative e saj është se plani i veprimit i hartuar dështon të ofrojë informacion më të detajuar mbi hapat konkretë që do të ndërmerren në kuadër të strategjisë. Ky dështim vjen nga dy faktorë:
1-Plani i veprimit nuk përfshin asnjë plan kohor për aprovimin dhe zbatimin e masave të ndryshme të strategjisë. Pa një plan kohor të qartë nuk dihet si, ku, kur dhe çfarë do të bëhet konkretisht në terren. Institucionet përkatëse duhen pajisur (ose duhet të hartojnë) planet më konkrete të veprimit dhe afatet përkatëse kohore nëse duam të arrihen rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.
2-Plani i veprimit, përveçse nuk ka një afat kohor për zbatimin e strategjisë, i mungojnë gjithashtu veprimet konkrete. Ajo që bie në sy është se plani i veprimit nuk është gjë tjetër veçse përsëritje e pjesëve të ndryshme të strategjisë, por këtë herë në një tabelë. Është e rëndësishme që çdo politikë që miratohet të ketë jo vetëm synime dhe qëllime të qarta por ede të jetë operacionale. Për sa kohë thjesht deklarohet se do të bëhen trajnime dhe nxitet ndjenja komunitare nuk kemi thënë asgjë në terma konkretë për të arritur produkte të prekshme për vetë komunitetin.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online
Fletorja Zyrtare. Nentor 2015. Online
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/203-2015.pdf