
Flutura Gjana
1- Landfilli i Elbasanit
Inagurimi i landfill-it të Elbasanit është një nga aktivitetet që është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit. Landfill i cili do të realizojë përpunimin e mbetjeve të qytetit të Elbasanit dhe do të realizojë trajtimin teknologjik të tyre nga i cili pritet të përftohet 17 250 Mwh në vit. Ndërtimi i tij nisi në mars të këtij viti dhe vlera e këtij investimi është 22 milionë euro. Por pikëpyetje të shumta ngrihen rreth kësaj çeshtjeje. Së pari për mënyrën se si u realizua dhënia e tenderit, ku u vendos të jepej një tender me negocim, i cili bie në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike.
Së dyti, rreth kompanisë Albtek Energy sh.p.k., partnere me qeverinë në këtë projekt, ku do të investojë 9.5 milion euro (12 milion euro do të investoheshin nga qeveria). Me një kërkim të thjeshtë në website-in www.qkr.gov.al konstatojmë Albtek Energy sh.p.k. është një kompani e cila është krijuar vetëm 5 muaj para shpalljes së këtij tenderi. Aksionerja e vetme e kësaj kompanie e cila pritej të investonte 9 milion euro, vazhdon të ketë të regjistruar vetëm 100,000 lek kapital.
Së treti, kjo marrëveshje detyron shtetin që të përjashtojë nga përdorimi dhe përpunimi i mbetjeve të qarkut të Elbasanit çdo operator tjetër. Në Elbasan kemi të bëjmë me sasi më të mëdha të mbetjeve të biodegradueshme të cilat është më e volitshme që të riciklohen dhe të përdoren si pleh organik se sa të shfrytëzohen si burim energjie për inceneratorin. Incenrator që do të ketë impaktin e vet negativ në ajër.
Së katërti ky vendim bie ndesh me “Ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve” dhe me “Strategjinë e BE-së, për përdorimin efiçent të burimeve”. Konkretisht ligji detyron bashkitë që të grumbullojnë në mënyrë të diferencuar dhe të riciklojnë mbetjet, pra riciklimi ka prioritet ndaj incenerimit. Ndërsa strategjia deklaron se në inceneratorë do të duhet të përfundojnë vetëm mbetjet e pariciklueshme dhe të pakompostueshme. Në mungesë të procedurës normale që duhet të kalojë çdo tender dhe ofertave të shumta që mund të vinin, nuk dimë kostot oportune që kemi humbur. Si për shembull, çfarë teknologjish me më pak ndotje mund të ishin përdorur, kjo bashkangjitur me analizën e kostove financiare.
Së pesti, fillimi i punimeve me kaq nxitim e bëri ndërtimin e këtij inceneratori fakt të kryer. Nuk u mor parasysh as mendimi i komuniteteve lokale, i cili në “Raportin Paraprakt të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis” shprehet dukshëm në kundërshtim të këtij projekti, pra u shkel dhe ligji për autonominë e organeve vendore.
Më 16 nëntor deklarohet inagurimi i këtij investimi, dhe përveç fjalëve me ngjyrim politik të kryeministrit Rama nuk jepet asnjë informacion, rreth teknologjisë, impaktit që do të ketë në ajër, dhe përfitimin ekonomike që qeveria parashikon të ketë pas 7 viteve që do ta marrë në posedim. Kur rryma e mbetjeve do të jetë ulur ndjeshëm dhe pritet që një pjesë e kapacitetit të këtij inceneratori të dalë jashtë përdorimit. Lind pyetja, nëse vërtet është me interes që shteti ynë të investojë në kapacitete të panevojshme?
Referenca:
Nis ndërtimi i landfillit në Elbasan
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=229378
Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë: 6 Janar 2015
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2014/PDF-2014/202-2014.pdf
Incineratori ne Elbasan katapultohet
http://www.peshkupauje.com/2015/04/incineratori-ne-elbasan-po-ndertohet-me-shkelje-te
Raporti Paraprak i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis
http://akm.gov.al/assets/vnm-paraprake-albtek-energy.pdf
Inaugurohet Landfilli i Elbasanit
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/inaugurohet-landfilli-i-elbasanit&page=1
http://www.peshkupauje.com/2015/04/incineratori-ne-elbasan-po-ndertohet-me-shkelje-te
Raporti Paraprak i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis
http://akm.gov.al/assets/vnm-paraprake-albtek-energy.pdf
Inaugurohet Landfilli i Elbasanit
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/inaugurohet-landfilli-i-elbasanit&page=1