![Rezearta Caushaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/11042072_10152755179952098_1617951722_n-211x300.jpg)
Rezearta Caushaj
1- 1- Duke përkthyer Progres-raportin
Është publikuar në fillim të muajit Progres Raporti i Komisionit Europian, që trajton ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE kapitull më kapitull. Ky raport është dokumenti i vetëm i paanshëm De Facto mbi progresin e bërë apo mungesën e tij dhe madje, mënyra se si adresohen problematika, të bën të kuptosh se sa pak transparencë dhe llogaridhënie sigurojnë raportet e prodhuara nga vetë institucionet tona (në rast se raportohet gjithmonë).
Ri sjellim më poshtë disa nga vërejtjet e përbashkëta të raportit të publikuar nga APPA dhe Progres-raportit:
1– Zgjedhjet Lokale 2015 | Pa incidente, por të shënuara nga ndërhyrje politike e sidomos mungesa e profesionalizmit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Raporti evidenton se rekomandimet e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet dhe procedurat demokratike, nuk janë marr parasysh.
2- Puna e Parlamentit | Përshëndet rikthimin e opozitës në Parlament e rritjen e bashkëpunimit ndërpartiak, por thekson se Komisioni AD Hoc parlamentar i ngritur me misionin për përjashtimin e personave me të kaluar kriminale nga postet publike nuk e ka kryer funksionin e tij. Thekson mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional midis hallkave qeverisëse dhe mungesën e përdorimi të interpelancës si mekanizëm kontrollues i Parlamentit ndaj qeverisë. Së fundi, ndonëse thuhet se është rritur roli monitorues ndaj institucioneve të pavarura të Parlamentit, ky i fundit dështon të sigurojë që rekomandimet të zbatohen.
3- Shoqëria Civile | Ministri i Integrimit, Znj. Gjosha ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqërisë civile (vërejmë se, duke qenë se nuk bëhen të ditura cilat grupe kanë qenë pjesëmarrëse, asnjëherë publiku nuk e kupton se cilat grupe e përfaqësojnë në të tilla takime), ku qëllimi i deklaruar, ishte pikërisht konsultimi mbi Progres Raportin. Takimi qëlloi të ishte thjeshtë një lloj “paradë” e radhës, në të cilin Ministria zgjodhi një paragraf të vogël të Progres Raportit, që përuron takimet e konsultimit të zhvilluara me shoqërinë civile dhe, siç është bërë e zakonit, ri përsëriti “angazhimet” dhe “përpjekjet” që do të bëhen në një të ardhme. Nëse pati një diskutim real mbi atë çka mund të bëhet në këtë aspekt nga të dyja palët, këtë qytetari nuk mund ta dijë as nga lajmi i publikuar në Faqen Zyrtare të Ministrisë, ku shkruhet kalimthi se grupet dhanë mendimin e tyre mbi rekomandimet e PR e as në mbulimin mediatik. Shoqëria civile është më tepër një kartë që qeverisë i pëlqen ta përdor për të fituar simpati, por ekspertizën e së cilës nuk e përdor në vendimmarrje.
Sipas Progres Raportit është vlerësuar rritja e konsultimit dhe takimet me grupet e shoqërisë civile, por ai është përqendruar më shumë te fakti që gjithsesi këto takime nuk përkthehen në përfshirje të tyre në vendimmarrje. Nga ana tjetër procedurat fiskale që kërkojnë çdo muaj deklarimin zyrtar si dhe mungesa apo kufizimi i financimit, cenojnë rëndë funksionimin e shoqërisë civile dhe fuqinë e saj në vendimmarrje.
4- Ekonomia | Siç është trajtuar në raporte të mëparshme të APPA, s’mund të mungonte në Progres Raport niveli gjithmonë i lartë i deficitit buxhetor, për të cilin këshillohet që vendi jonë të diversifikojë ekonominë dhe të përpiqet që të tërheq investitor të huaj. Ajo çka përbën më tepër rrezik është rritja e borxhit publik në nivelet mbi 70 %, që nga ana e vet duke kërkuar një investim mesatar të 20 % të GDP çdo vit, ndikon direkt në uljen e nivelit të investimeve dhe jo stabilitetin ekonomik. Faktorët kryesor shikohen në planifikimin e dobët buxhetor nga administrata, mos ndjekja e afateve, planifikimi shumë optimist i mbledhjes së taksave dhe llogaritjes së të ardhurave.
5- Administrata | Progres Raporti përgëzon Ligjin mbi Nëpunësin Civil, i miratuar për të promovuar meritën, konkurrencën dhe profesionistët, por përtej kësaj nuk vëren se ka pasur ndonjë ndryshim të prekshëm. Punonjësit e administratës kanë nevojë të trajnohen dhe të rritet cilësia e rekrutimit të tyre në nivelet e mesme e të ulëta. Një vërejtje, e sjell qysh në raportin e APPA’s për Ministrinë e Integrimit për muajin korrik, i përket specifikisht zgjerimit të kësaj të fundit me staf që do të përfitojë bonuse shtesë për punën e tyre, është se kjo praktikë nuk është në përputhje me ligjin përkatës. Ndërfutja e neneve e shtesave në ligj, ku përjashtohen institucione të caktuara nga zbatimi i ligjit, shihet si një rrezik që duhet shmangur. Mesazhi qartësisht është që, edhe institucione si Ministria e Integrimit duhet t’i nënshtrohen procedurave të rekrutimit si cdo institucion tjetër, duke evituar standarte të dyfista e abuzime kompetencash.
6- Acquis | Në një raport të APPA të muajit Mars është nxjerr në pah nevoja për të punuar më shumë për përshtatjen e legjislacionit dhe nxjerrjen e një raporti që shqyrton problematikat e Acquis në terma cilësor e jo vetëm në ato sasior, sic është bërë deri tani. Kjo në mënyrë që të arrihet të kuptohet se ku calon progresi dhe për cafre ekspertize ka nevojë. Raporti shkon në detaje dhe thekson se legjislacioni nuk është mjaftueshëm gjithëpërfshirës dhe ti referohet resteve specifike
Nga ana tjetër ,APPA disa herë ka nxjerr në pah se si procedurat për miratimin e ligjeve në komisione dhe bashkëpunimi me Ministritë e linjës nuk është në sinkroni, si provë mjafton edhe një konsultim me procesverbalet përkatës. Në fakt mungesa e koordinimit midis institucioneve ka qenë një nga arsyet e dështimit të miratimin e strategjive e projekt-akteve të parashikuara për këtë vit dhe na vjen mirë që titullari i Ministrisë së Integrimit më në fund është përmendur dhe ka mbledhur këtë muaj Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional Të BE, duke kërkuar që të zbatohen afatet e planeve të punës. Shpresojmë që të dëgjojmë për nisma më konkrete në të ardhmen për sa i përket bashkëpunimit institucional dhe mënyrën se si ai do të inkurajohet për të rritur zbatimin e politikave të integruara.
7- Korrupsioni |Vazhdo të qëndrojë në krye të listës së problemeve të vendit dhe ndryshe nga çdo prezantim i portalit korrupsioni.al i qeverisë tanë gjatë këtij viti, në Progres Raport portali as nuk është përmendur, duke u përqendruar më tepër në rolin që duhet të kenë institucione si Njësia për Kontrollin e Brendshëm Administrativ e Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave, që nuk po bën punën e vet apo fakti që përgjegjësitë janë të fragmentuara midis njësive të ndryshme si dhe mungesën e njësive të vlerësimit të riskut si dhe mungesën e zhvillimit të auditeve të brendshme në sinkron me sistemet e brendshme të financave publike.
Në përshtatje edhe të frymës së raporteve të APPA, i gjithë Progres raporti është i mbushur në çdo kapitull që trajton me rekomandime mbi sigurimin e transparencës dhe pavarësisë së organeve të pavarura, që si rrjedhim sjell një mirëfunksionim të gjithë politikave që po tentohet të implementohen, një rritje të cilësisë së informacionit që qytetari disponon dhe një kontroll më i mirë i pushteteve.
Referenca:
https://appa.brentonkotorri.com/raport-korrik-2015-ministria-e-integrimit-europian/
https://appa.brentonkotorri.com/raport-mars-2015-ministria-e-integrimit-europian/
https://appa.brentonkotorri.com/raport-shtator-2015-ministria-e-integrimit-europian/