![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Bilancet financiare dhe pritshmeritë për 2016-n
Ministria e Financave ka raportuar (megjithëse me vonesë) ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve të 10 mujorit të parë të vitit. Të ardhurat totale kanë një diferencë gati 11 miliardë lekë krahasuar me parashikimet për periudhën. Asnjëra nga Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve apo Doganave nuk kanë realizuar planin 100%. Ministria vazhdon të jutifikojë mosrealizimet në dogana për shkak të faktorëve të jashtëm apo uljes së TVSH-së në importe, të cilat pas kaq shumë përsëritjesh duhet të sinjalizojnë qeverinë nëse po targeton sektoret e duhur ekonomik; ndërsa në tatime duket se faktor është Tatimi mbi të ardhurat personale për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit. Sigurisht që për çdo mosrealizim ka arsye, por a duhet vetëm të vijojmë të arsyetohemi dhe mos krijojmë kapacitete për të realizuar planet? Për më tepër, analiza e Reporter.al, konkludon se të ardhurat e qeverisë shënuan një rekord të ri negativ gjatë muajit tetor, duke demonstruar se dhuna ndaj tatimpaguesve, arrestimet dhe kërcënimet për gjoba, bashkë me kontrollet shtesë të tatimorëve, nuk japin rezultat. Nga ana tjetër, megjithëse nga pikëpamja e konsolidimit të deficitit buxhetor mosrealizimi i shpenzimeve (atyre korente) duket të jetë pozitiv, arsyeja që jepet për vonesa tenderimi nuk duket të jetë premtuese.
Ndërkohë që ngelen edhe vetëm 2 muaj për analizë financiare të këtij viti, paketa e re fiskale 2016 është prezantuar. Kryeministri Rama është shprehur: “Faktikisht, për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, d.m.th, të gjithë zejtarët, bojaxhinjtë, elektricistët, hidraulikët, këpucarët, berberët, llamarinistët, teneqepunuesit, biçikleta-rregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, nuk do të paguajnë më. Zero!”. Me këtë premtim kreu i qeverisë beson se numri i të vetëpunësuarve do të rritet dhe papunësia do të ulet. Cfarë të bën tjetër përshtypje në relacionin e projekt-buxhetit 2016, është se Ministria e Financave pret që lufta ndaj antinformalitetit gjatë 2016 të gjenerojë 8.9 miliardë lekë të ardhura ose rreth 64 milionë euro, nga më shumë se 300 milionë euro që pati premtuar Ministri i Financave para mediave në fillim të aksionit.
Një ndryshim tjetër që do të ketë efekte mbi qytetarët e shtresës së mesme është ulja e kufirit që e detyron tatimpaguesin e TAP-it, e cila do të bëhet 1,5 milionë lekë nga punësimi, si dhe 50 000 lekë të ardhura të tjera që nuk i nënshtrohen tatimit në burim, ndërkohë që norma 15% ngelet e pandryshuar. Edhe tatimi për biznesin e vogël ndryshon nga 7,5% mbi fitimin që ishte, tani do të zbriten 50% e të ardhurave dhe mbi pjesën tjetër aplikohet 15% si me biznesine mesëm dhe të madh. Një taksë e debatueshme nga vetë deputetët e mazhorancës është ajo e makinave të luksit, ku si të tilla janë konsideruar ato mbi 3000 kubikë. Në fakt, sugjerimi është që kjo taksë të bazohet mbi cmimet dhe markat.
Me rendësi për tu përmendur nga ky projekt buxhet është numri i punonjësve të administratës publike që do të pësojë një ulje drastike prej 8.1% krahasuar me vitin 2015. Vetëm në Ministrinë e arsimit do të shkurtohen mbi 7000 mësues të arsimit parauniversitar, ndërkohe që institucioni që do të këtë rritje punonjësish duket të jetë vetëm Kryeministria.
2- Doganat “ngelin në klasë” sërisht
Megjithëse doganat po i shtojnë përpjekjet për reformimin e sektorit, rezultatet punës së tyre janë të e pamjaftueshme. Doganat po zhvillojnë fushata kundër informalitetit dhe mallrave të falsifikuara, ndërsa rezultatet e shtatorit dhe tetorit janë sërish më të ulta se një vit më parë. Shifrat e 10-mujorit në dogana tregojnë rreth 4 % më pak se një vit më parë.
Duket se kjo performancë, ka irrituar (dhe me shume të drejtë) Kryeministrin e vendit, i cili në një vizitë të shkurtër, të papritur në dogana ka shprehur se rezultateve skandaloze duhet t’u jepet fund, edhe nëse kjo do të kërkojë pushimin e shumë drejtorëve. Në fakt opozita ka akuzuar qeverinë për korrupsion, kontrabandë dhe paaftësi në dogana, po ashtu ka shprehur akuza për emërime nepotike nga socialistët. Të gjitha këto lënë vend për reflektime.
Referenca:
Gazeta Shqip. Nentor 2015. Bizneset qe ju hiqet taksa vjetore.
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/11/01/rama-dhjete-bizneset-qe-do-tu-hiqet-taksa-vjetore/
Ministria e Financave. Nentor 2015.Ecuria e te ardhurave dhe shpenzimeve.
Panorama.alNentor 2015.Taksa per makinat e luksit.
http://www.panorama.com.al/taksa-per-makinat-e-luksit-edhe-deputetet-e-ps-kunder-qeverise/
Panorama.alNentor 2015.Deshtime ne dogana.
http://www.panorama.com.al/deshtim-edhe-ne-tetor-rama-u-ben-zbor-doganiereve/
Reporter.al. Nentor 2015. Deshtimi i anti-informalitetit
http://www.reporter.al/deshtimi-i-antiinformalitetit-4-5-miliarde-leke-deficit-vetem-ne-tetor/
Shqiptarja.com. Nentor 2015. Buxheti 2016.
http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=190113
Zeri i Amerikes. Nentor 2015. Dogana ne Shqiperi dhe rezultatet
http://www.zeriamerikes.com/content/albania–customs/3039903.html