![Mimi Barushi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/01/Mimi-Barushi-279x300.jpg)
Mimi Barushi
1– Një reformë në nevojë të reformimit
Reforma administrativo–territoriale e ndryshoi hartën e Shqipërisë duke reduktuar numrin e njësive lokale nga 400 në 61 të tilla. Ndarja e re administrative u ndërmor duke synuar të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërësore, për të fuqizuar njësitë e qeverisjes vendore, duke rritur kapacitetin e tyre dhe ulur kostot administrative, si dhe duke përmirësuar eficiencën e menaxhimit të burimeve njerëzore e financiare.[1] Diskutimet që nisën në vitin 2015 mbi ndarjen e re administrative vazhdojnë ende në këto ditë. Shoqata Shqiptare e Bashkive, që përfaqëson 15 bashkitë e drejtuara nga partitë opozitare dhe një e minoritetit grek, shpreh vazhdimisht shqetësimin për mënyrën sesi po realizohet reforma territoriale, apo për ndarjen e kufijve dhe përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, misioni i Këshillit të Europës, i drejtuar nga Jos Wienen, pas mbledhjes së informacionit mbi reformën e re administrative dhe impaktin e saj në Shqipëri, raporton se reforma është ende konfuze për kryetarët e rinj të bashkive, duke vënë ne dukje çorientimin në lidhje me kompetencat dhe strukturat përkatëse. KE thekson mungesën e fondeve nga ana e qeverisë për bashkitë e reja, si dhe shqetësimin për mënyrën e dhënies së fondeve, pasi “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve” menaxhohet nga qeveria qendrore. Qeveria ofroi 88 milionë euro në vitin 2014 dhe 87 milionë euro në 2015 për zhvillimin rajonal dhe thuajse gjysma e kësaj sasie u përdor gjithashtu për rilindjen urbane të qyteteve të vogla. Pas raundit të parë të aplikimeve në vitin 2016, qeveria ka ofruar 28 milionë euro për zhvillimin rajonal.[2] Në tërësi reforma konsiderohet nga KE si e ngadaltë dhe e vështirë për t’u realizuar.
2 – Është rilindja estetike një element i mjaftueshëm për ripopullimin e qyteteve dhe fshatrave tona?
Në programin e qeverisë 2013 – 2017 thuhet: Do të ndërmerret një program i thellë reformues për rigjenerimin urban dhe zhvillimin cilësor të tokës përmes projektesh-pilot për qendrat urbane, por edhe përmes mbështetjes së projekteve dhe agjendave të zhvillimit të lagjeve, mbi baza konkurruese. Do të mbështetim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në zhvillimin e tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore, për të garantuar partneritet publik e privat në financimin e strukturave dhe shërbimeve, duke administruar shpërndarjen e së drejtës së zhvillimit. Ndërkohë, diskutimi mbi rilindjen e qyteteve, si pjesë e diskutimit të reformës administrative-territoriale, është kthyer në temë kryesore tashmë.
Qeveria akuzohet nga Shoqata e Bashkive për favorizim të bashkive që qeverisen nga Partia Socialiste në financim dhe mbështetje, si dhe për keqmenaxhim të fondeve në rregullimin sipërfaqësor të infrastrukturës e fasadave të ndërtesave. Shërbimet nuk janë kanalizuar aty ku nevoja është më e madhe, si rrugët, urat apo linjat hekurudhore, që mund të lehtësonin jetën e popullsisë vendase dhe zvogëlonin migrimin e tyre. Ekspertët, arkitektët dhe urbanistët janë të shqetësuar për transparencën dhe mënyrën se si operohet në përgatitjen e planeve urbanistike dhe arkitekturore të qyteteve. Do të sugjeronim që në vend që të hapeshin tendera dhe të përzgjidhej studioja sipas mënyrës të deritanishme, (në raportin e janar-shkurt kemi diskutuar për këtë), të merrej kohë përgatitore më parë, të kishte diskutime publike mbi nevojat e komunitetit, të prezantoheshin mundësitë nga studiot e ndryshme dhe të zhvillohej një debat i hapur dhe më pas të bëhej përzgjedhja dhe zbatimi.
[1]Vizioni për Reformën Administrative Territoriale. – http://www.reformaterritoriale.al/kryesore/harta-me-61-bashki
[2] Përpjekja për rilindjen e qyteteve të voglanë Shqipëri ngjall debate – http://pushtetivendor.reporter.al/perpjekja-per-rilindjen-e-qyteteve-te-vogla-ne-shqiperi-ngjall-debate/