![M. Tili](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.-Tili-300x300.jpg)
M. Tili
1- Dyst
Edhe në muajin e tretë të vitit, Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin me shumë zell dhe dashuri ka bërë ASGJË.[1] Nga ky këndvështrim, edhe pse APPA gjithmonë është shprehur që kjo ministri duhet të mbyllet, madje ka bërë edhe rekomandimin që të kalojë në nivel drejtorie në rast se ka diçka për të bërë, uji nuk është vënë në zjarr nga askush. Nuk ka qoftë dhe një ditë të vetme në muajin mars që, ministrja Ermonela Felaj të ketë deklaruar diçka rreth punës së dikasterit që ajo mbulon. Duke qenë se është një ministri pa portofol dhe rrjedhimisht edhe pa buxhet, të krijohet përshtypja se individët e përfshirë në të janë aty pikërisht për të mos punuar. Po kështu edhe në faqen zyrtare të kryeministrisë, përveç profilit të ministres Felaj, nuk ka asnjë informacion tjetër. Ndërsa ueb sajti i ministrisë nuk funksionon (!). Pra nuk ka asnjë të dhënë për atë se çfarë bën dhe nuk bën kjo ministri.
Në sugjerimet tona të bëra publike jo vetëm në raportet mujore, por edhe në deklaratat mediatike, jemi shprehur sikurse e vumë në dukje pak më sipër. Tingëllon e çuditshme, absurde? Në kontekstin e zhvillimeve të fundit mendojmë se mendimet tona të bëra publike nuk janë pa bazë. Konkretisht: në sfondin e zhvillimeve të përgjithshme politike që kanë qenë e mbeten në fokusin e monitorimeve tona dhe veçanërisht në sfondin e marrëdhënieve aktuale mazhorancë – opozitë brenda parlamentit, kjo ministre ka pasur rast të luante një rol kyç si dhe të bëhej promotore e zgjidhjeve. Situatat e tensionuara në parlament mund të kishin qenë edhe një mundësi e mirë që ky institucion të tregonte kapacitetet dhe aftësitë e veta. Madje do të mund të provonte se taksat që shkojnë për ta mbajtur atë do të merrnin kuptim. Por edhe këtë muaj nuk e pamë gjë të tillë!
[1]Faqja zyrtare online http://www.marredhenietmeparlamentin.gov.al/