
M. Llubani
1- Ministri paradoksesh
Në një kohë kur muaji mars u ‘’njollos’’ nga dhuna e vazhdueshme e policisë së shtetit dhe asaj bashkiake kundrejt një grupi protestuesish kundër betonizimit të liqenit artificial të Tiranës, si e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në kryeqytet, Ministria e Brendshme e nis muajin me një lajm sa ironik aq edhe absurd për përmirësimin e shërbimit cilësor dhe të qetë për qytetarët. Në një deklaratë për shtyp ministri Tahiri shprehet : ‘’ Ju e dini që në themel të punës tonë qëndron filozofia e shërbimit ndaj qytetarëve. Dhe mendojmë se punonjësi i policisë, para së gjithave, është një shërbyes i qytetarëve.’’[1]
Në fakt ngjarjet e kohëve të fundit, që e kanë detyruar vetë ministrinë të marrë masa kundër punonjësve që ushtrojnë dhunë të pajustifikuar mbi qytetarin, veshur nën petkun e pushteti të forcave policore, tregojnë se kjo filozofi është në rastin më të mirë thjesht e shkruar në letër dhe e trumbetuar e në rastin më të keq një propagandë boshe.
Në raportin e dy muajve të kaluar e njëjta problematikë u ngrit nga APPA, por në vend të një reflektimi institucional për të materializuar vërtetë ‘’filozofinë’’ e pretenduar të policimit në komunitet dhe vendosjen e qytetarit në qendër të punës së forcave policore, duket se metodat e vjetra të mungesës së llogaridhënies dhe kuptimit të rolit të policisë së shtetit, janë rrënjosur në kulturën institucionale duke krijuar mospërputhje ndërmjet premtimeve dhe realitetit në terren. Sigurisht çdo iniciativë që lehtëson shërbimin ndaj qytetarin është e mirëpritur dhe fakti që Ministria po investon në krijimin dhe rikonstruksionin e sporteleve të policisë rrugore si përmirësime infrastrukturore është për t’u vlerësuar. Gjithsesi, në vend që të fokusohet në detaje të përgjithshme që nuk thonë asgjë për mënyrën e financimit të këtij projekti, ministria është e lutur të bëjë transparent donatorin, shumën e alokuar për këtë projekt, periudhën kohorë të implementimit dhe informacione të tjera që jo vetëm do ta bënin projektin më transparent në sytë e publikut dhe grupeve të interesit, por do të krijonin edhe mekanizma për llogaridhënien.
2- Ku qëndron kufiri ndërmjet privates dhe publikes?
Disa muaj më parë Ministria e Brendshme paralajmëroi hartimin e një draft ligji mbi masat shtesë të sigurisë që duhen ndërmarrë nga subjektet private për të ndihmuar dhe lehtësuar punën e policisë së shtetit në krijimin e një ambienti më të sigurt e të mbrojtur kundër kriminalitetit. Në fakt, nëse shohim qëllimin dhe filozofinë e ligjit duhet vlerësuar fryma e krijimit të një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet subjekteve publike e private dhe policisë së shtetit për të siguruar kushtet për më tepër siguri. Megjithatë ligji duhet të ketë parasysh disa konsiderata që lidhen me faktorë të tjerë, si për shembull e drejta e privatësisë, që gjithashtu rregullohet me ligj.
Dispozitat ligjore, sikurse janë parashikuar, krijojnë perceptimin e krijimit të një shoqërie ‘’vëzhgimi’’ për shkak të ‘’detyrimit’’ dhe imponimit që u bën subjekteve të përzgjedhura publike e private për t’u pajisur me kamera CCTV dhe mjete të tjera teknike që do të jenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me operatorët qendrorë të policisë së shtetit.[2] Pyetja që ngrihet është : cilat do të jenë mekanizmat që do të sigurojnë se mjetet e vëzhgimit nuk do të keqpërdoren për interesa të ndryshme private nga ana e institucioneve publike e private si edhe nga ana e policisë. Cilat do të jenë mekanizmat e kontrollit, balancimit si edhe monitorimit? Mos vallë, edhe në këtë rast mund të krijohen kushte për abuzim me tenderimin e kamerave CCTV, sikurse u krijua me kasën fiskale? Nuk janë të pakta përvojat kur nisma ligjore, që tentojnë të rregullojnë një politikë publike në të mirë të kësaj të fundit, të keqpërdoren dhe keqinterpretohen duke cenuar interesin publik. Së fundi, lind gjithnjë pyetja : cili ka qenë konsultimi publik i zhvilluar nga Ministria e Punëve të Brendshme për hartimin dhe prezantimin e këtij draft ligji? Ky është një ligj që prek një pjesë të mirë të komunitetit dhe grupeve të interesit e duhet të kishte konsultime të gjera me publikun. Ku janë njoftimet e ministrisë për këto konsultime në bazë të ligjit « Mbi Njoftimin dhe Konsultimin Publik »? Mos na duhet të pohojmë se ligjet në Shqipëri janë thjesht fjalë të hedhura në letër?
[1]Ministria e Punëve të Brendshme. Cilësi dhe qetësi për qytetarin me sportelet e reja të policisë rrugore. Online: http://www.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/lajme/cilesi-e-qetesi-per-qytetarin-me-sportelet-e-reja-te-policise-rrugore&page=2
[2]Projekt ligj për masat shtesë të sigurisë publike. Online: http://www.parlament.al/ëp-content/uploads/sites/4/2016/01/pligj_siguria_publike_24614_1.pdf