
B. Kotorri
1- Mish për top
Gjate muajit te fundit ministrja Kodheli bëri shëtitje nëpër gjimnazet e Shqipërisë për t’iu shpjeguar gjimnazistëve dhe të rinjve shqiptarë, se të bashkohesh me Forcat e Armatosura nuk është aq keq sa duket (!) Ajo përdori sidomos trukun e nxitjes së krenarisë femërore kur u thoshte vajzave se duhet t’iu tregojnë prindërve të tyre dhe gjithë shoqërisë se sa të emancipuara janë vajzat duke i shkelur paragjykimet e duke u futur në ushtri. Në fillim të muajit, ministrja mbajti një fjalë përshëndetëse përpara 960 aplikantëve, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e ushtrisë shqiptare. Të gjithë janë të rinj, prej të cilëve vetëm 0.5% janë me diplomë universitare, dhe vetëm 0.5% janë vajza[1]. Sigurisht që ky numër aplikantësh nuk do të thotë domosdoshmërisht numër të pranuarish, pasi parashikohet një moment përzgjedhjeje për më të mirët prej tyre; sigurisht që mund edhe të pretendohet se ky numër është shprehje e suksesit në çështjen e aplikimeve, e se këtë sukses e solli turi i ministres.
Mirëpo sa mund të quhet e tillë një fushatë rekrutimi për rishtarë në ushtri, kur nuk është ndërmarrë ende asnjë reformë trajtimi për oficerët në rezervë, që janë as të papunë e as të punësuar, as aktivë e as në pension? Sa e suksesshme mund të konsiderohet një fushatë që bën thirrje për ushtarë, por nuk bën thirrje për ekspertë. E themi këtë pasi asnjëherë nuk është bërë thirrje për shembull për të shtuar radhët e ekspertëve të sigurisë dhe mbrojtjes, madje shumëkush as që e di ekzistencën e një universiteti ushtarak shqiptar[2]. Akademia e FA ofron edhe programe Master dhe Doktoraturë në studimet e Sigurisë dhe Strategjisë edhe për civilët, por prej vitesh thuajse asnjë civil nuk merr pjesë në kurs. Kështu pra duket sikur ministrja është e shqetësuar të ketë mish për top, ata që shpëtojnë do bëhen topçinj dikur, por për të përcaktuar se ku duhet vendosur e si duhet lëvizur topi duket se FA nuk ka nevojë.
Topi është në fushën e ministres dhe ministrisë që përmes teknicienëve të vet duhet të përcaktojnë një program rekrutimi për të gjithë studentët e ekspertët më të mirë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare e më gjerë, të cilët mund të kontribuojnë me ndihmë për sa u takon çështjeve të sigurisë, terrorizmit, aleancave ushtarake (NATO), etj.
2- VKM FA
Në VKM-në e datës 2 mars, kryeministri ka firmosur për dhënien e dietave ndaj oficerëve të Forcave të Armatosura, edhe në raste kur këta kryejnë kurse. Kjo të bën të mendosh se deri më tani, dietat e këtyre rasteve nuk akordoheshin. Një korrigjim me vend nga qeveria nëse e mendon shkurt. Nëse vendos ama të mendosh më thellë, kupton që kjo është një asgjë në kushtet kur Trajtimi i Forcave të Armatosura ka nevojë për një reformë themelesh, që kurrë nuk ndodhi edhe pse ishte e mezipritur me hyrjen në NATO. Për më tepër mbi rrogat e gradave të FA, mund të gjeni në raportin e APPAs së muajit korrik 2015[3].
Ndër VKM-ra, jo vetëm të këtij muaji duket se sa shumë prona që dikur i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes: tashmë, thjesht me një firmë të kryeministrit dhe me heshtjen e znj. Kodheli, pronat publike te MM, i transferohen lehtësisht subjekteve të tjera shtetërore, dhe shumë shpesh subjekteve të ndryshme private. Pronat ushtarake, jo më kot janë përcaktuar të tilla pasi shpesh paraqesin pozicione strategjike, mirëpo duket sikur strategjinë tanimë nuk e bën më Ministria e Mbrojtjes për llogari të shtetit, por subjekti privat për hir të biznesit.
3- Dëme dhe lëvdata
Në buletinin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 4, janar-dhjetor 2015[4], Ministria e Mbrojtjes rezulton me dëm ekonomik dhe abuzim ndaj shtetit në vend të tretë pas O.S.T-së dhe O.SH.E-së. Paçka se në dokument emërohen qartazi zyrtarët përgjegjës, në ministri nuk ka ndodhur asnjë mea culpa, asnjë apologji, asnjë qortim, dhe aq më pak asnjë shkarkim.
Në kontrast me këtë fakt, në progres raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2015, thuhen fjalët më të mira për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë. Në pamje të parë mund ta gëzojmë këtë lëvdatë, mirëpo nga ana tjetër në raport specifikohet se qëndrimet e Shqipërisë janë të duhurat sepse “(Ndjekin 100%)” direktivat e BE-së. Thënë ndryshe, lëvdatë për të lavdëruar ata vetveten. Sugjerojmë që për çdo rast, Ministria e Mbrojtjes të mbledhë teknicienët më të mirë të vendit dhe të analizojë çdo kazus hap pas hapi, e jo të nxitojë që të jetë e para për t’iu bindur BE-së.
[1]Mbyllet rekrutimi it e rinjve për ne FA http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/newsroom-2/1634-mbyllet-fushata-e-rekrutimeve-per-ne-fa
[2] Faqja zyrtare online e KDS http://www.tradoc.mil.al/
[3]Raporti APPA maj ‘15 https://appa.brentonkotorri.com/raport-maj-2015-ministria-e-mbrojtjes/
[4]Buletini 4 K.L.SH. http://www.klsh.org.al/web/pub/buletini_4_2015_copy_2_2366_1.pdf