
B. Llalla
1- Kultura e koncesionit dhe trashëgimia
Prirja e qeverisë dhe e politikave aktuale që ka shqetësuar shumëkënd në shoqërinë shqiptare, mbetet aksioni “koncesion”, një kulturë politiko-ekonomike mbisunduese në vitet e fundit. Kësaj mode nuk mundi t’i shpëtonte as Ministria e Kulturës, që erdhi në qendër të vëmendjes së opinionit publik nëpërmjet një urdhri, sipas të cilit do të jepen me koncesion, ose në artikulimin e moderuar “do menaxhohen së bashku me partnerët publikë e privatë”, monumentet e kulturës në Shqipëri, në administrim të MK dhe institucioneve të varësisë.
Ajo që mësuam menjëherë pas publikimit të këtij lajmi[1] ishte se ky urdhër ishte firmosur nga ministrja e Kulturës që në muajin tetor të vitit 2015 dhe publikimi i tij në fletoren zyrtare u bë vetëm në datën 17 mars 2016.
Së pari, këtu kemi një shkelje të të drejtës së informimit publik nga ana e institucioneve shqiptare, pasi urdhri u publikua rreth 5-6 muaj me vonesë. Më tej, shumë specialistë të fushës apo opinionistë të ndryshëm dhe media kanë kontestuar faktin se për hartimin e këtij vendimi nuk janë konsultuar grupe interesi dhe specialistë të trashëgimisë kulturore. Ndërmarrja e një hapi të këtillë nuk është paraprirë nga transparenca, ndërkohë që formulimi i urdhrit është bërë pa zhvilluar më parë një debat mbi çështjen në fjalë.
Shqetësimi kryesor lidhet me aftësitë menaxhuese të këtij institucioni të një rëndësie të veçantë për sa u përket pasurive kombëtare dhe ruajtjes e mirëmbajtjes së tyre. Sikurse do të thoshte në të shkuarën ministrja e kulturës gjatë një interviste, “ne nuk kemi prioritete se të gjitha janë prioritet dhe të gjitha i kemi prioritet”, një frazë që me sa duket përdoret për të justifikuar përpjekjet e institucionit për të dalë nga kornizat e profilit të vet kur është fjala për para dhe bashkëpunëtorë. Ajo të çon natyrshëm në përfundime që vënë në dyshim aftësitë menaxheriale dhe vizionin e liderit të këtij dikasteri, po ashtu sikurse edhe veprimtaritë e ditëve të sotme, që projektojnë hijen e dyshimit mbi aftësitë bashkëpunuese dhe përgjegjshmërinë e MK-së në realizimin e punës sipas profilit të caktuar.
Pyetja që të vjen menjëherë ndërmend sapo ndeshesh me lajme të kësaj natyre, është: Sa i domosdoshëm është një urdhër veprimi i kësaj natyre? Çfarë ka bërë efektivisht MK-ja gjatë këtyre viteve për çështjet e trashëgimisë kulturore?[2]A nuk ekzistojnë mundësi apo variante të tjera në funksion të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së këtyre aseteve kulturore?
Menjëherë pas replikave të shumta me të cilat u përball MK-ja pas publikimit të lajmit, ministrja e kulturës reagoi duke raportuar mbi situatën alarmante të monumenteve. Në vend të analizës për nivelin aktual të menaxhimit dhe organizimin e diskutimit publik mbi rrugëzgjidhjet e mundshme, Ministria e Kulturës e gjen me vend të justifikojë paaftësinë e vet dhe ta drejtojë vëmendjen nga privati, ndërkohë që përmes trajtimit të çështjes nga ana e medias është artikuluar qartë dyshimi nëse mund ta përballojë këtë detyrë delikate privati, i cili në plan të parë ka interesin për përfitime dhe reflekton një sens përgjegjësie gjithnjë në pikëpyetje?![3]
Sa punoi ky dikaster për përmirësimin e politikave, planeve të menaxhimit dhe koordinimit të punëve me institucionet e vartësisë? A mund të flitet për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të specialistëve të fushës si pjesë e punës me një perspektivë të qartë? A i ka shfrytëzuar ky dikaster kapacitetet aktuale të nëpunësve, partneriteteve dhe ekspertëve, a ka qenë ai bashkëpunues dhe i hapur me individë, specialistë, ekspertë, nëpunës për t’u konsultuar, për të vjelë ide, opinione mendime dhe t’i verë në funksion të hartimit të programeve apo strategjive të punën? A ka ky dikaster një strategji të mirëfilltë për ruajtjen dhe trajtimin e traditës kulturore, pjesë e së cilës janë edhe monumentet? A e njeh detyrimin për transparencë dhe respektimin e ligjit me anë të të cilit operon çdo ditë?[4]
Është me vend të theksojmë se vendi ynë ka nevojë për kualifikimin e mëtejshëm të individëve në aspektin e menaxhimit të objekteve të artit e kulturës, të strukturojë tregun e restaurimeve, të verifikojë në mënyrë sistematike nivelin e ekspertizës së kompanive restauratore, të përmirësojë mekanizmat e kontrollit shtetëror mbi sektorin privat si faktorë me peshë në rritjen e aftësive menaxheriale dhe hartimin e platformave solide në të ardhmen. Ndërkaq, përveç dhënies me qera nga 5 deri në 20 vjet (aspekti financiar i urdhrit), ky vendim i ministrisë nuk specifikon se cilat monumente kanë nevojë për restaurim, apo se çfarë lloj biznesesh mund t’i marrë ato me qira.[5]
Në daljen publike për një deklaratë shtypi, Ministrja e Kulturës thotë se janë mbështetur në modelet të ri jetësimit dhe përdorimit të monumenteve të kulturës në Europë, edhe pse me ironi, pohohet se ligji për trashëgiminë nuk e lejon “udhëzimin” të bëhet plotësisht funksional paçka se në disa hapësira duket se e favorizon të ashtuquajturin partneritet publik privat. Në ndihmë të këtyre “garancive” do të ngrihet edhe një Komision i Posaçëm për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, “që s’është aspak detyrim ligjor, por vullnet i ministrit të sotëm është edhe provë përgjegjshmërie, me të cilën ne e trajtojnë këtë çështje”.
Ajo që dimë me siguri është se autoriteti më i lartë për të vendosur dhe për të thënë fjalën e fundit në çdo vendim dhe në aspektin ligjor në çështjet e kulturës dhe trashëgimisë, mbetet vetë titullari me i lartë i institucionit të kulturës, pra Ministri që e drejton, sikurse parashikon edhe urdhri në fjalë, edhe se kujt do t’i jepet e drejta e përdorimit të aseteve kulturore kombëtare me ose pa vendim komisioni.
[1]Faqja Zyrtare e MK http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/per-udhezimin-e-mk-per-dhenien-me-qira-dhe-menyren-e-administrimit-te-monumenteve-te-kultures-me-qellim-rijetezimi&page=1
[2]Gazeta Shqip
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/03/25/ministria-e-kultures-dorezohet-nuk-i-mbajme-dot-monumentet/
[3]Vizion Plus Tv
http://vizionplus.al/edhe-monumentet-tek-privati/
[4]Gazeta Panorama
http://www.panorama.com.al/ska-koncesion-per-kalate-buxheti-smjafton-per-tu-kujdesur/
[5]Gazeta Sot
http://sot.com.al/politike/t%C3%AB-gjith%C3%AB-pasurit%C3%AB-e-shtetit-me-koncesion-qeveria-i-kalon-miliarda-lek%C3%AB-privatit-p%C3%ABr