![E. Bejkollari](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Bejkollari-300x300.jpg)
E. Bejkollari
1- Të gjithë sytë mbi ARMO-n!
Këtë muaj të gjithë i kishin sytë mbi ARMO-n, kush e kush të përfitonte më shumë. Ky muaj ishte fatal për rafinerinë më të madhe në vend, që shkoi kaq pranë falimentit, por si pasojë e faktit që përbën sektor strategjik, asaj i ndalohet hapja e procedurave të falimentimit. Më poshtë do te diskutohen:
- Reagimi i menjëhershëm i kredidhënësve, përkatësisht i bankave të nivelit të dytë: Raiffeisen, Tirana dhe i shtetit, që është edhe ortak me zotërim 15% të aseteve.
- Pasojat sociale.
- Opsionet e mundshme që mund të ndjekë qeveria, në kuadër të politikave publike, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e kompanisë.
E para nga bankat e nivelit të 2-të, ishte Raiffeisen Bank, që nxori në ankand objektet në fshatin Drizë, ankand që dështoi dhe si rrjedhojë e të cilit në raundin e dytë trualli dhe ndërtesa do nxirren me gjysmë çmimi, pra nga 20 milionë në 10 milionë euro.[1]Dështimi i ankandit dhe mungesa e ofertave serioze tregon pikërisht zhvlerësimin që ka marrë kompania në sytë e investitorëve. Madje edhe interesi për përpunimin e bitumit nga ana e një kompanie zvicerane, humbi pikërisht për shkak të nivelit të lartë të borxheve!
Më pas të njëjtën gjë nxitoi të bënte dhe Tirana Bank me anë të një zyre private përmbarimore. [2] Por, me sa duket i vetmi që ka përfituar deri më tani ka qenë shteti shqiptar, i cili është dhe ortak me 15% të aseteve në zotërim. Albpetrol ka fituar gjyqin ndaj kompanisë duke përfituar kështu 30 milionë euro të mbledhura nga fatura të papaguara. [3]
Për sa u përket pasojave sociale, nga të dyja rafineritë që zotëron ARMO, ajo e Ballshit nuk funksionon më, ndërsa e vetmja që mund të sjellë përfitime është rafineria e Fierit. Dhe ndërkohë që në gjykatë luftojnë të mëdhenjtë, nuk është menduar ende për ata që kanë mbetur të papunë apo për punonjësit, të cilët prej kohësh protestojnë për të marrë pagat e vonuara. Në kuadër të politikave publike, ashtu si dhe vetë ministri Gjiknuri ka thënë në një intervistë për televizionin News 24[4], sfida e ministrisë është të gjejë një operator privat që do menaxhojë në mënyrë eficiente kompaninë. Gjë që na sjell dhe njëherë në pikën fillestare. Shumë mirë mund të aludojmë se arsyeja e kësaj gjendjeje të ARMO-s është padyshim keqmenaxhimi.
Opsion tjetër është dhe ndërhyrja e shtetit në lehtësimin e borxheve dhe detyrimeve të shumta, që nuk mund të shlyhen në afatshkurtër. Kështu që bazuar në nenin 15 të Kushtetutës “Ndihma shtetërore për ndërmarrjet në vështirësi”, ligji thekson se shteti mund të ndihmojë ndërmarrjet në vështirësi për t’u ristrukturuar bazuar në plane konkrete. Me ndihmë kemi parasysh faljen e detyrimeve, përjashtim nga tatim –taksat për një periudhë të caktuar, injektim kapitali të freskët financiar, etj.
2- Borxhe, borxhe, borxhe!
Marsi ishte fatal jo vetëm për ARMO-n, por edhe për gjigandin turk “Kurum”, që më 26 shkurt prezantoi deklarimin e falimentit. Në këtë rast, falimentimi do të përdoret si një strategji ristrukturimi me qëllim final rimëkëmbjen. Kompania do të ketë një administrator të përkohshëm dhe do të kontrollohet nga debitorët.
Është për t’u habitur sesi një kompani, e cila deri në fund të vitit 2014 renditej si një nga 5 operatorët më fitimprurës në vend, shpall falimentin pas një viti e gjysmë. Edhe në rastin e Kurum, prapë problemi kryesor ishin borxhet. Sigurisht që situatën e ka rënduar rënia e çmimit të hekurit, kriza e sektorit të ndërtimeve dhe pezullimi i lejeve për ndërtime, por ajo që i dha goditjen fatale është blerja e vitit 2013 që Kurum ka bërë për 4 HEC-e në vlerën 109.7 milionë euro. Tenderi i hapur nga ish-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës u mbyll me ofertën e Kurum, që u kritikua asokohe për çmimin e ulët të ofruar[5]. E gjithë blerja u realizua me anë të kredisë prej 106 milionë eurosh në institucione brenda dhe jashtë vendit, çka e futi kompaninë në një vorbull borxhesh, detyrimesh dhe huash që shkaktuan dhe falimentimin. Në total Kurum, sipas bilancit, ka 300 milionë euro detyrime.[6]
Së fundmi, për të dyja rastet vlen të thuhet se është e dukshme që të dyja janë pasojë e një keqadministrimi dhe anashkalimi apo mungese vëmendjeje nga ana e ministrisë. Gjithashtu është e çuditshme sesi nuk u parashikua falimentimi dhe sesi nuk po flitet për të. Ndoshta shitja e HEC-eve tek Kurum, pa marrë parasysh gjendjen financiare të saj, ishte një gabim nga ana e qeverisë së mëparshme, por nëse do t’i ishte kushtuar më shumë vëmendje nga ana e qeverisë aktuale, a do ishte shmangur deri në një farë mase falimentimi i Kurum-it?
3- Bankers Petroleum “ndërron faqe”!
Ashtu siç u konstatua dhe në raportin janar-shkurt 2016 të APPA-as për Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë[7], rënia e çmimit të naftës në tregun global shkaktoi pezullimin e aktivitetit të Bankers për 6 mujorin e parë të vitit. Por mesa duket, Bankers ndërroi strategji, pasi në mars kompania njoftoi se ka vendosur të shesë veten te një kompani kineze me emrin “Geo-Jade Petroleum”. Çmimi i shitjes është sa dyfishi i vlerës së “Bankers” në bursën e Torontos. Do na duhet të presim për të parë ndikimin ekonomiko-social të “pronarëve të rinj” , por ndërkohë mund të flasim për rinegocimin e kushteve të marrëveshjes që MEI ka bërë me Bankers. “Për herë të parë, po ju them se kemi vënë nivelin tavan të shpenzimeve. Do të thotë që shteti shqiptar fillon merr që në fuçinë e parë fitim nga nafta që i përket vendit tonë “ ka shpjeguar ministri Gjiknuri për modelin e ri.
[1]Ankandi për shitjen e pjesshme të kompanisë ARMO nga ana e shoqërisë përmbarimore EPSA për llogari të Raiffeisen Bank.
http://www.monitor.al/23-mars-ankandi-dyte-per-armo-n-vlera-zbret-nga-20-ne-10-milione-euro/
[2]Përpjekja e Tirana Bank për sekuestro ndaj ARMO-s për vlerën e borxhit 2.8 milionë euro. http://www.monitor.al/edhe-tirana-bank-sekuestron-armo-n-kreditorin-te-madh-te-keq-ne-shqiperi/
[3] 30 milionë euro për Albpetrol, me vendim për ekzekutim të menjëhershëm. http://www.monitor.al/albpetrol-fiton-gjyqin-armo-n-per-30-mln-euro-borxhe-merr-edhe-te-ardhurat-nga-shitja-e-kolateraleve-te-bankave/
[4] Burimet natyrore përballë luhatjes së çmimeve, Të bësh ekonomi, 23 mars 2016. https://.youtube.com/ëatch?v=V-qL3mxJ2F4
[5] Informacion i shkurtër i gazetës tema rreth tenderit të 4 HEC-eve, tender i fituar nga Kurum. http://www.gazetatema.net/web/2013/01/09/lajm-i-fundit-qeveria-vendos-kurum-blen-kater-hidrocentrale-per-109-5-milion-euro/
[6] Listë e borxhlinjve dhe arsyet e falimentit të Kurum. http://www.monitor.al/zbardhen-borxhlinjte-e-kurum-dhe-arsyet-e-falimentit/
[7] Raporti janar-shkurt 2016 i APPAS-s për MEI, ku midis të tjerave, evidentohen dhe pasojat e rënies së çmimit të naftës në kompanitë vendase të nxjerrjes dhe përpunimit. https://appa.brentonkotorri.com/raport-janar-shkurt-2016-ministria-e-industrise-dhe-energjitikes/