![E. Kapaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Kapaj-300x300.jpg)
E. Kapaj
1- Pronat: qeveria detyrohet nga Gjykata e Strasburgut të nisë kompensimin e ish pronarëve
E detyruar nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut, qeveria ka miratuar aktet nënligjore për kompensimin fizik dhe financiar të ish pronarëve. Në vitin 2006 Gjykata e Strasburgut nxori vendimin e parë në lidhje me zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Me gjithë kundërshtitë e forta nga shoqatat e ish pronarëve, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar tashmë modalitetet për kompensimin e pronave dhe vendimmarrjen në lidhje me dosjet e pashqyrtuara.[1]
Prej 22 vitesh shteti ynë ka marrë përsipër detyrimin për të riparuar atë që ka qenë një shpronësim i padrejtë në vitin 1945, duke nxjerrë vendime administrative dhe gjyqësore që njohin të drejtën e pronës, prandaj dhe vetëm për këtë arsye, sot mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare rëndon barra e ekzekutimit të këtyre vendimeve. Ajo çka kundërshtohet është vlerësimi i shtetit shqiptar për të përcaktuar mënyrën e ekzekutimit të këtyre vendimeve duke anuar nga interesi financiar publik sesa nga ai privat.
Pikërisht për këtë arsye ligji është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të verifikuar kushtetutshmërinë e kësaj formule. Por kjo nuk e pengoi Z. Manjani, i cili në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë t’i bënte “thirrje” kësaj gjykate për të mos e shpallur antikushtetues pikërisht këtë pjesë të ligjit. Thirrja e Ministrit të Drejtësisë, pavarësisht si shprehje e një pale të interesuar, e dalë nga një përfaqësues i ekzekutivit cenon hapur parimin e ndarjes së pushteteve dhe aq më keq është një presion verbal ndaj pushtetit gjyqësor.
2- Ekzekutivi “leh”, por karvani i korrupsionit ecën përpara
Ministri i Drejtësisë ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në Konferencën Gjyqësore Kombëtare për të evidentuar konstatimin e tij se ka vënë re një prirje: nga gjyqtarët po punohet si për ditën e fundit. Ministri ka argumentuar se këtë e provon me vonesat në shpalljen e vendimeve në mënyrë të paarsyetuar, ose me vonesat në arsyetim – një sëmundje e vjetër kjo, që ka marrë përmasa më të mëdha nën klimën e papërgjegjshmërisë dhe duke “pritur Godonë”, se diçka do të ndodhë me reformën, ndaj hajde t’i biem në top…[2] A thua vallë se bëhet fjalë për kaçakë, të cilëve tashmë u ka hyrë frika se shteti dhe ligji po vjen!
Së pari, nga ana e ekzekutivit konstatohet se ka një tendencë për fryrjen e efekteve të reformës në sistemin gjyqësor: herë – herë ajo shihet si shkopi magjik dhe në raste të tjera i jepet një trajtë objektive dhe materiale, e cila duke u shfaqur në derën e gjykatave do t’i largojë ata që janë të korruptuar. Parë nga këndvështrimi i rritjes se besimit publik tek gjyqësori, kjo mund të japë efektin bumerang, për arsye se mungesa e efektit të menjëhershëm do të sillte, ashtu sikurse është provuar në historinë e shtetit shqiptar, humbjen e besimit tek kjo reformë.
Së dyti, institucionet duhet të zbatojnë kuadrin ligjor ekzistues për luftën ndaj korrupsionit, që padyshim nuk është më i miri, por është i mjaftueshëm për të luftuar rast pas rasti. Konkretisht, sot është në fuqi ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Ligji detyron institucionet të mbajnë regjistra të posaçëm për evidentimin e rasteve të konfliktit të interesit në vendimmarrje nga nëpunës të administratës publike qendrore apo vendore. Nuk ka asnjë rast të vetëm që një institucion publik të ketë bërë transparente ekzistencën e konfliktit të interesit në vendimmarrjen e titullarëve të tyre. Sollëm rastin e këtij ligji të veçantë për të ilustruar se lufta ndaj korrupsionit është një ndërmarrje shumëplanëshe dhe në të cilin marrin pjesë në mënyrë aktive të gjithë aktorët. Jo më kot është fjala “Djalli fshihet në detaje”.
3- Të rejat nga Reforma në Drejtësi
Komisioni i Venecias publikoi më datë 14 mars opinion e saj final në lidhje me Amendamentet Kushtetuese. Opinionin në formën e saj zyrtare mund ta gjeni në linkun vijues http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-AD(2016)009-e .
Në përfundim të opinionit të saj, Komisioni i Venecias shpreh miratimin në lidhje me përputhshmërinë e amendamenteve të propozuara me standardet europiane dhe nxit palët ta kalojnë këtë paketë sa më shpejt në Parlament.
Por ashtu, sikurse me të drejtë Komisioni i Venecias konstaton, ky është vetëm fillimi i punës pasi miratimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese kërkon hartimin dhe miratimin e një pakete të plotë ligjesh për të bërë të mundur funksionimin e të gjithë kuadrit ligjor dhe institucioneve kushtetuese të krijuara apo ndryshuara rishtazi.
[1]Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjorehttp://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/zbatimi-i-ligjit-te-trajtimit-te-prones-qeveria-miraton-tre-vendime-te-rendesishme&page=1
[2]Fjala e Ministrit gjatë konferenceshttp://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/fjala-e-ministrit-te-drejtesise-z-ylli-manjani-gjate-konferences-gjyqesore-kombetare&page=1