![M. Tili](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.-Tili-300x300.jpg)
M. Tili
1- Kryeministri dekriminalizues
Në muajin mars kryeministria u angazhua tërësisht në çështjen e dekriminalizimit të parlamentit, pas kërkesave të vazhdueshme dhe për një kohë të gjatë të opozitës dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë. Edhe pse Ndërsa opozita u përqendrua në krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilën si dhe për çështjen e lënies së mandateve ka ende debate të ashpra, mazhoranca dha shenja të vullnetit për t’u marrë me to dhe për të ofruar opsionet e veta. Në faqen online të qeverisë është publikuar në fund të muajit vendimi i Këshillit të Ministrave “ Për garantimin e integritetit të personave, që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”[1], me qëllim realizimin në praktikë të ligjit numër 138/2015. Bashkëngjitur këtij vendimi është edhe formulari i vetëdeklarimit për këdo, që hyn në garë për të zënë vend në administratën shtetërore dhe për të ushtruar funksione publike. Vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, çka do të thotë se formulari, i hartuar e i bërë publik tashmë, nuk u adresohet drejtuesve aktualë, por vetëm atyre që do të aplikojnë për në të ardhmen. Konkretisht, plotësimi i tij do të jetë i detyrueshëm për individët që pretendojnë të përfshihen në listat e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme apo që do të emërohen në poste të ndryshme. Sipas ligjit, organet e përfshira në procesin e verifikimit duhet të ndjekin parimet e: a) ligjshmërisë dhe të procesit të rregullt ligjor; b) të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; c) të objektivitetit, profesionalizimit dhe eficiencës; ç) të transparencës dhe rritjes së besimit të publikut në organet shtetërore; d) të pavarësisë dhe paanshmërisë.
Përmbajtja e formularit është cilësuar nga kryeministri i vendit, Edi Rama, si qesharak. “Por një gjë është e qartë, ata ikin sepse në këtë parlament dhe në anën e majtë të këtij parlamenti nuk ka asnjë person me rekorde kriminale. Ata ikin sepse ligji më ekstrem, unikal në planet i kaluar edhe me bekimin tonë për të ashtuquajturin dekriminalizim të parlamentit dhe të politikës, nuk arrin dot të zbulojë asgjë. Edhe gjithë ajo seancë absurde, 48 orë marrëzi, negociata të mbyllura 6 herë dhe të rihapura 6 herë për ta çuar në ekstrem një formular qesharak, ishte shprehja e dëshpërimit për faktin se ata 19 kriminelët që do kapeshin nga ky proces ishin vetëm pjellë e fantazisë së një propagande të shthurur që prodhon çdo ditë fakte të rreme…[2]”
2- Po çfarë përmban formulari i kaq shumë debatuar?!
Asnjë gjë më shumë, apo më pak se detyrimi ligjor i plotësimit të një CV-je normale. 8 pyetjet shtesë kanë të bëjnë me një detyrim ligjor tjetër në aplikimin për një vend pune, pra dorëzimin e dëshmisë së penalitetit. Edhe pse pritej shumë më shumë gjatë këtij muaji, që vetë Reforma në Drejtësi të merrte udhë, sërish hartimi i këtij formulari shënjon një “arritje”. Procesi i verifikimit është parashikuar të realizohet para kandidimit dhe votimit, sikurse edhe para emërimit në funksione publike me qëllim që të sigurohen të dhënat e nevojshme për çdo kandidaturë pretenduese dhe për të realizuar gjithashtu një administrim të procesit zgjedhor konform ligjit.
3- Pronat
Gjatë marsit ka filluar nga puna Agjencia e re e Trajtimit të Pronës. Zgjidhja e këtij problemi madhor është një ndërmarrje e rëndësishme për jetë politike e ekonomike në vend. Por a ishte e nevojshme një agjenci e re, apo do të mjaftonte vetëm vullneti i mirë dhe agjencitë ekzistuese për të gjetur me kohë zgjidhjet e duhura. Megjithatë është pranuar edhe nga ana e Kryeministrit se ka filluar lëvrimi me përparësi i 24 milionë dollarëve të parë, – shumë e pakrahasueshme me buxhetin e viteve të shkuara – si fond për kompensimin e pronave. Në të dhënat kryeministrore thuhet se: “26 mijë vendime, të dhëna ndër vite të tëra me radhë nga Agjencia e Kompensimit të Pronave dhe të bëra kapicë në labirintin e padrejtësive e të korrupsionit me pronën, do të vlerësohen me një çmim. 23 mijë hektarë tokë bujqësore është në dispozicion si fond kompensimi fizik për të gjithë ata pronarë, toka e të cilëve është e zënë. 11 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë që kanë aplikuar dhe janë zvarritur ndër vite për pronën e tyre, nga nesër do të kenë informacion publik në faqen zyrtare online të Agjencisë së re të Trajtimit të Pronës. Për të gjithë ata të cilët për një arsye a një tjetër, nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë për pronën e tyre, është krijuar një mundësi e re: Një kërkesë me vetëm dy letra. Dy letra nga 30 që kërkoheshin deri më sot! Një dokument origjine dhe një hartë e pretenduar se ku gjendet prona. Në momentin që paraqiten këto dy letra dhe një kërkesë në Agjencinë e Trajtimin të Pronës, është barra e kësaj agjencie të verifikojë gjithçka duhet”- thuhet nga ana e kryeministrit. Por në të gjithë këtë “zgjidhje” të problemit nuk është folur për hartën e çmimeve për shpronësim, dhe madje nuk është përmendur në asnjë moment se çfarë do të bëhet me çmimet shumë qesharake të shpronësimit, ku një metër katror është shpronësuar me 200 lekë.
4- Kur guximi kapërcen kufijtë e arrogancës.
Përtej të gjithave komunikimeve publike dhe një pune shumë të mirë të zyrës së marrëdhënieve me publikun nuk mund ta lëmë jashtë vëmendjes intervistën që kryeministri Rama ka dhënë për Wall Street. Në përgjigjet e dhëna prej tij lexohet lehtësisht arroganca dhe mungesa e profesionalizmit. Më poshtë do të jenë disa nga përgjigjet dhe më pas gjithsekush mund të bëjë vlerësimet e veta. “Shqipëria nuk i hap kufijtë dhe nuk ngre mure. Ne thjesht duam një zgjidhje evropiane.
Ne nuk mund të ndihmojnë askënd vetëm, sepse ne nuk kemi mjetet për të ofruar ndihmë për të gjithë. Nëse Europa ka një plan, ne do të jemi pjesë e saj dhe ne do të bëjmë çfarëdo që do të na kërkohet.
Mënyra se si Europa e ka përballuar, deri tani, krizën [e emigrantëve] është një rrëmujë. Ky është një tjetër shembull se Europa ka nevojë për të ndryshuar.
Europa ka provuar se është e paaftë për të bërë një punë shumë themelore, ndërtimin e një shërbimi të përbashkët të inteligjencës. Djali, i cili u arrestua kohët e fundit [në Bruksel] dhe orkestroi masakrën në Paris, ka qenë në lëvizje nga një vend në tjetrin. Kjo do të thotë se nevoja për inteligjencën e përbashkët është shumë urgjente…[3]”
A do të konsiderohet kjo lajthitja e radhës apo do të përkthehet si “guxim” për t’i ulur hundën Europës plakë?! Në të gjitha rastet, edhe për këtë muaj monitorimi të qashtër, kryeministria ka kryer një punë PR shumë të mirë, por niveli i transparencës me të cilat është shoqëruar zhvillimi ekonomik, politik dhe diplomatik i vendit, sërish lë shumë për të dëshiruar.[4] Përtej aktiviteti kryeministror, axhenda ka qenë e ngarkuar me anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste si edhe me zhvillimet e kongresit të kësaj partie.
[1]Për Garantimin e Integritetit te Personave qe Zgjidhen , Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike. Formulari I publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.
[2]Një pjesë e fjalimit të kryeministrit Rama, shkëputur nga ai i mbajtur në seancën parlamentare të datës 8 mars 2016. http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/opozite-pa-fakte-vetem-baltosje-arritjeve-te-qeverise1458723275&page=1
[3]Takimi dhe biseda e z. Rama me Federica Mogherinin, Përfaqësuesen e Lartë të BE në Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë. http://www.kryeministria.al/al/multimedia/video-galeri/mogherini-ju-po-beni-gjera-te-medha-suksesi-juaj-eshte-sukses-per-europen
[4]Ky raport mat varfërinë bazuar në paritetin e fuqisë blerëse- një nga dy metodat më të përdorura për të përcaktuar varfërinë në një vend.
http://exit.al/2016/03/25/global-finance-shqiperia-nder-vendet-me-te-varfera-ne-europe/