1-Rilindja apo arnimi qyteteve ?!
Zv. Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Urban, Z. Alfred Dalipi, ka prezantuar në datën 23 Mars i ftuar në studion e TV Vizion + projektin “Rilindja e qyteteve” ku sipas tij pritet që të rehabilitohen një sërë qendrash qytetesh. Fatkeqësisht, prezantimi nuk ofroi ndonjë referencë kohore mbi projektin e mësipërm, sa qytete dhe cilat kanë prioritet në këtë projekt, gjithashtu ai nuk ofroi detaje përtej faktit se pritet që të shtrohen trotuare në pjesë të caktuara të qyteteve, të vendosen drita, sinjalistika dhe një “mobilim” i përgjithshëm siç e përshkroi Zv. Ministri. Nëse nuk e interpretojmë gabim gjithë tonin e bisedës, ideja është që të bëhet një investim rrufe, me fonde minimale për të arnuar gjendjen e disa qyteteve duke e shitur atë për investim real apo ky është një plan i mirëmenduar, i cili përveçse do të rregulloj pjesën estetike të tyre, përfshin edhe një rivitalizim të këtyre qendrave urbane?
Është e pamundur të kuptohet një fakt i tillë, jo vetëm nga prezantimi i mësipërm, por sidomos sepse Ministria e Zhvillimit Urban nuk ka publikuar një projekt të tillë në letër, nga i cili të mund të nxirren detajet dhe pse jo të ketë edhe një debat publik. A është ky plan në harmoni me planin për lirimin e hapësirave urbane? Çfarë nënkuptohet me rivitalizim: thjeshtë një sistemim i qendrave të qyteteve apo një rimodelim i tyre? Dallimi midis dy koncepteve do të ishte rrënjësor sepse në rastin se plani është një sistemim i thjeshtë kjo do të thotë se Ministria po bën shumë bujë për asgjë dhe pas “suvatimit” të radhës qytetet do të vazhdojnë të kenë të njëjtën fytyrë. Ndërkohë që rimodelimi i qyteteve s’mund të jetë veçse një projekt afatgjate, që kombinon jo vetëm zbrazjen e hapësirave publike, por edhe se si do të shfrytëzohen këto hapësira të rifituara.
Ministri foli për rëndësinë që ka zgjerimi i hapësirave të këmbësorëve në projektet për secilin qytet, por pyesim se çfarë përfshin ky plan për automjetet dhe trafikun e renduar? A ka një plan bashkërendimi me Ministrinë e Transporteve në këtë aspekt? Natyrisht këmbësorët duhen favorizuar, por edhe drejtuesit e automjeteve janë qytetar.
Dhe si për të fshehur mangësitë, Zv. Ministri u nxitua të zbuloj se Ministria është duke shqyrtuar projekte të arkitektëve amator, jo vetëm të studiove, dhe ka shumë prej tyre që janë interesante, por nuk ka zbuluar a ka ndonjë projekt konkret të miratuar prej “konkursit”? Apo mos vallë i referohet konkursit “Arkitektët e rinj për Zhvillim Urban”, ku Znj. Gjermeni, titullare e Ministrisë së Zhvillimit Urban, shpalli se 3 fituesve do t’i ofrohej mundësia e ekspozimit për dy javë të punës së tyre dhe se Ministria do punonte me donatorët me shpresën që ato të mund të realizoheshin? Pra, ndryshe nga sa pretendohet konkursi nuk është mbi projekte arkitekturore urbane, por një konkurs akademik ku pjesëmarrësi paraqesin punët e tyre dhe pastaj projektet i fitojnë studiot.
Në të njëjtën mënyrë evazive, është trajtuar edhe çështja e investimeve në qytetin e Tiranës, ku Bashkia ankohet për mungesë fondesh, ndërkohë që Ministria e Zhvillimit Urban e akuzon për mungesë projektesh (ose paaftësi më saktë). Në fakt Bashkia e Bulqizës duket se paska një grup shumë të aftë brainstorming-u sepse sipas Zv. Ministrit ajo ka paraqitur plote 30 projekte dhe janë investuar plotë prej tyre. Fakti që Bashkia e Bulqizës drejtohet nga një Kryebashkiak socialist është vetëm një detaje “pa rëndësi” në diskursin e mësipërm.
2- Emision sipas kërkesave të dëgjuesve?!
Meqë jemi në kuadër të projekteve, Ministria e Zhvillimit Urban paska edhe një projekt “Ndërgjegjësimi dhe integrimi social nëpërmjet procesit të legalizimit dhe urbanizimit të objekteve/zonave informale, të komunitetit rom të zonave informale”, projekt me një titull bombastik, i cili ka si synim ndërgjegjësimin e komunitetit për urbanizimin e zonës dhe për njohjen me nevojat e saj për shërbime sociale ekonomike dhe mjedisore. Në radhë të parë nuk shpjegohet cilat janë këto plane urbane të cilat do të prekin komunitetin rom, që nëse ekzistojnë, na bëjnë shumë entuziast duke qenë se janë një nga komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri (sidomos dhe për faktin se politika nuk i sheh si burim votash). A është ky një projekt i ideuar nga Ministria e Zhvillimit Urban apo është një projekt në thelb social në të cilin kjo Ministri është përfshirë? Nga pjesa e publikuar nuk arrihet të kuptohet nëse qëllimi i projektit është që të ndërgjegjësoj komunitetin (dhe në këtë rast për çfarë) apo të dëgjoj problemet e tyre e t’i përfshij ato në Planin e Përgjithshëm Vendor? Do të ishte shokuese që Ministria e Zhvillimit Urban, që në kuadër të të zhurmshmes Reformë Territoriale ka nxjerr lagje të tëra në rruge, tashmë të filloj të marr parasysh kërkesat dhe problematikat e qytetarëve të zonave informale. Akoma më shumë vështirësi kemi të kuptojmë fjalinë “ Përveç njohjes me problematikat e qendrave të tyre të banimit, përfshirja e tyre (komunitetit) shkurton procedurat e planifikim-urbanizimit dhe kostot e tij financiare”, ndërkohë që nuk shpjegohet se si do të përfshihet në terma konkret komuniteti rom. Apo përse nuk përmendet gjetkë komuniteti rom dhe se çfarë nevoje e ka prodhuar një projekt të tillë, që më shumë duket se i shkon përshtat organizatave të Shoqërisë Civile se një Ministrie.
3- Inspektimi apo (ri)promovimi i projekteve?
Si për koincidence në të njëjtën ditë, në kuadër të të njëjtit projekt në fakt Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama ka vizituar Qeparonë 6 e Gjirokastrën për të inspektuar punimet që po bëhen aty. Ndër punimet e kryera tashmë në Qeparo, në faqen e Ministrisë shkruhet: “Është rikonstruktuar shëtitorja buzë detit, janë sistemuar rrugicat dhe sheshi i parkimit të mjeteve. Janë trajtuar fasadat dhe është bërë gjelbërimi dhe ndriçimi i hapësirës përreth. Sheshi i ri po kthehet në gjendje funksionale dhe tërheqës për turistët.”
Punimet e mësipërme janë një lajm shumë i mirë dhe shumë i mirëpritur, por ajo që të bën të dyshosh midis asaj që ndoshta pretendohet të bëhet dhe asaj që tashmë është bërë është fakti që nga pamjet e publikuara tregojnë punime të sapofilluara dhe përveç gurëve dhe dheut, askund nuk u pa gjelbërim. E njëjta deklaratë është bërë edhe për inspektimin e punimeve në qytetin e Gjirokastrës, ku pretendohet po investohet më tepër se 20 Vitet e fundit të marra bashkë.
Përtej pretendimeve të investimeve, ajo që duam të ndalemi është se Z. Kryeministër së bashku me një shpurë deputetësh të zonës zhvillon një vizitë me idenë për të “inspektuar” punimet që janë kryer. Nuk dihet nëse kjo është një nismë e bashkërenduar me Ministrinë e Zhvillimit Urban për të kontrolluar fillimin apo cilësinë e punimeve apo se mbi ç’ bazë institucionale bëhet një gjë e tillë? A është kryeministri i shoqëruar nga një grup ekspertësh të cilët mund të vlerësojnë ecurinë e projekteve?
A është kjo një strategji për të parë a po zhvillohet puna sipas planit në kantier duke bërë vizita rrufe, si kanë bërë disa krerë të tjerë të qeverisë 7 ? Rasti i parë është mjaftë I zakonshëm dhe i shikon titullarët e ministrive duke promovuar të njëjtin projekt një herë kur ideohet, pastaj kur fillon, pastaj gjatë ndonjë fushate të radhës dhe kur përfundojnë.
Ndërsa vizitat e papritura si mënyrë për të kontrolluar zbatimin e planeve, janë tregues i mungesës së kapaciteteve institucional për të kontrolluar rregullsinë, vijueshmërinë dhe zbatueshmërinë e projekteve. Gjithashtu janë tregues i mungesës së besimit ndaj personave me pushtetin e ngarkuar institucional për të bërë këto detyra dhe është një politikë që nuk duhet kurrsesi të inkurajohet, sidomos kur këmbëngulet që këta të fundit vendosen në poste në bazë të meritës.
Prandaj, kryeministri duhet t’ia lë detyrën e inspektimit Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe drejtorive që kanë kompetencat përkatëse si e vetmja mënyrë që të krijohet një disiplinë institucionale.
Referime:
https://www.youtube.com/watch?v=i42Pq vjKcLg
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsr oom/fjalime/fjala-e-ministres-gjermeni-ne- eventin-e-ndarjes-se-cmimeve-fituese-per- konkursin-arkitektet-e-rinj-per-zhvillim- urban1426607546&page=1
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/i ntegrimi-dhe-ndergjegjesimi-permes-legalizimit-dhe- urbanizmit-zhvillohen-degjesa-publike-me- komunitetin-ne-saver-dhe-otllak&page=2
http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/ kantieret-e-rilindjes-ne-qeparo&page=1 http://www.zhvillimiurban.gov.al/al/newsroom/lajme/ gjirokaster-me-shume-investime-sesa-ne-20-vite- bashke&page=1