Më 20 mars Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të ri “Për Shërbimin e Jashtëm”, i cili përpara miratimit të tij kaloi me debate të ndezura në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit, i kundërshtuar nga dy deputetë të mazhorancës, mes të cilëve edhe vetë kryetarja e Komisionit. Sidoqoftë, kur erdhi fjala për të votuar nuk pati firo votash, me përjashtim të një abstenimi vetëm për njërin nen të ligjit, çka gjithsesi nuk përbëri asnjë pengesë që ligji të kalonte me kuorumin e nevojshëm.
2- Përpjekje për t’i diktuar ushtrimin e funksioneve Presidentit
Në ligjin e ri, bie në sy një afat kohor prej 20 ditësh që i caktohet Presidentit të Republikës për të emëruar ambasadorët që i propozohen nga Kryeministri. Edhe pse në ligjin e vjetër një afat i tillë nuk ekzistonte, parashikimi i kësaj mase në ligjin e ri jo domosdoshmërisht i shmang përplasjet e mundshme që mund të lindin midis qeverisë dhe presidentit lidhur me emërimin e kandidaturave për ambasadorë. Në fakt, si një organ i pavarur, Kushtetuta i jep Presidentit të drejtën e mos mbajtjes së përgjegjësisë për aktet e kryera në ushtrim të funksionit të tij. Çka, e përkthyer ndryshe, do të thotë se presidentit mund të vazhdojë të mos “i hyjë gjemb në këmbë”, sikurse mund të dëshironte qeveria, nëse vazhdon që për arsye subjektive të mos i dekretojë emërimet e kandidatëve për ambasadorë, në përputhje me procedurat e parashikuara nga ligji i ri për shërbimin e jashtëm. Është e vërtetë se po në Kushtetutë parashikohet se një nga funksionet e presidentit është emërimi i ambasadorëve, me propozim të kryeministrit, por nga vetë fryma që kushtetuta i njeh presidentit si organ i pavarur, ajo nuk ia dikton atij se si ta ushtrojë këtë funksion, duke e lënë tërësisht në diskrecionalitetin e kreut te Shtetit. Aq më pak këtë funksion presidentit mund t’ia diktojë qeveria. Do apo nuk do politika, presidenti është një organ i pavarur shtetëror.
3- Licencë pro nepotizmit?
Sidoqoftë, pika më e përfolur dhe e debatuar e ligjit të ri ka qenë heqja e kuotës prej 20 përqindësh e diplomatëve jo të karrierës që mund të drejtojnë përfaqësitë diplomatike (ambasadat) të Shqipërisë. Ligji i ri nuk parashikon kufizime për ambasadorët e rinj që nuk vijnë nga rradhët e shërbimit të jashtëm. Si kriter për këta të fundit është caktuar që të kenë të paktën 10 vite përvojë në fushën e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare ose të së drejtës ndërkombëtare, ndër të cilat tre vite në pozicione drejtuese. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, një pedagog i së drejtës ndërkombëtare rreth te 40-tave, që ka qenë tre vite dekan ose shef departamenti, mund të emërohet ambasador. Në rastin e ndërmjetëm, mund të emërohej ndonjë sipërmarrës që për shembull ka mbi dhjetë vite që bën tregti me Kinën (sa për të cituar një vend). Por në rastin më të keq mund të emërohet edhe ndonjë mik apo i afërm i funksionarëve të lartë të MPJ-së, që gjykohet subjektivisht se i përmbush këto cilësi. Subjektivisht pasi ligji përcakton se vetë Ministria bën përzgjedhjen e kandidatëve. Po Ministrinë, kush e gjykon nëse e shkel normën ligjore, vetë Ministria? Sipas ligjit po, sa për të krijuar një ide.
Në ligjin e vjetër kuota e ambasadorëve nga jashtë sistemit ishte e kufizuar, pavarësisht se shkelej me të dyja këmbët. Por në vend që të ndreqej kjo anomali, u shkua edhe më tutje, duke e hequr tërësisht kuotën, pra duke i dhënë vetës licencën për ta çdiplomatizuar diplomacinë. Duke patur parasysh se qeveria aktuale e akuzonte për nepotizmin e thellë në diplomaci qeverinë e mëparshme, ligji i ri nuk lë aspak përshtypjen se ka për qëllim ta profesionalizojë sistemin, përkundrazi. Një prirje e tillë mund të shihet edhe si një pranim i dështimit apo paaftësisë së shërbimit të jashtëm për të nxjerrë diplomatë karriere në lartësinë e duhur. Në fakt, nëse sistemi i diplomacisë do të ishte efikas, nuk do të kishte arsye përse të synoheshin njerëz nga jashtë tij. Në vend që të përforcojë strukturat dhe kapacitetet e saja, MPJ ka parapëlqyer të peshkojë gjetkë. Një dobësi e tillë është pranuar edhe nga vetë ministri Bushati, jo me ndonjë pikëllim të madh, por përkundrazi me krenarinë e prurësit të një gjetjeje apo risie. Në fakt, në një deklarim të janarit 2014, ministri hidhte idenë e tij se nga jashtë sistemit ka njerëz që janë në gjendje ta bëjnë më mirë punën e promovimit të vendit. Kjo bindje, për shembull, do ta ketë frymëzuar ministrin kur ka propozuar për ambasadore në Holandë një përkthyese, në kundërshtim jo vetëm me ligjin e vjetër të shërbimit të jashtëm, por edhe me frymën e të riut, që supozohet se dikasteri i jashtëm kishte nisur ta përpunonte që asokohe.
4- Ku është meritokracia?
Ligji i ri saktëson se për t’u bërë ambasador, duhet që diplomati i karrierës të gëzojë të paktën gradën “Këshilltar”. Pra këshilltari i një ambasade të caktuar mund të emërohet direkt ambasador. Këtu nuk mund të flitet për një meritokraci të plotë. Në një rast të tillë, i bie që të diskriminohen diplomatë që mbajnë gradat “Ministër Këshilltar”, “Ministër Fuqiplotë” dhe “Ambasador”, grada të cilat janë të një rangu më të lartë se “Këshilltari”. Nuk kuptohet se përse ligji ka vendosur një hierarki ndërmjet gradave, kur më pas përcakton se edhe një gradë më e ulët mund të vlejë më shumë se një gradë më e lartë, pra kur edhe një këshilltar mund të caktohet ambasador. Megjithatë, sikurse cituam më lartë, për të shmangur “probleme” të tilla MPJ e ka gjetur zgjidhjen: mund të emërohet dikush nga jashtë sistemit!
5- Rasti i Konsulles së Përgjithshme në Selanik
Është raportuar nëpër media me shumë zhurmë fakti se konsullja e përgjithshme në Selanik Pavlina Ylli (Evro), ka rreth dy dekada që jeton në Greqi dhe ka edhe kartë identiteti të vendit fqinj. Megjithatë, në asnjë rast nuk është shkruar apo raportuar që zonja në fjalë të ketë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Duke qenë se ligjet e vendit e lejojnë mbajtjen e dyshtetësisë, për sa kohë nuk provohet se Znj. Ylli ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare, pasja apo marrja e një shtetësie të dytë nga ana e saj pa hequr dorë nga shtetësia e parë, nuk përbën ndonjë lajm kaq të zëshëm, sikurse janë munduar të trumbetojnë disa media.
Referime
http://www.ambasadat.gov.al/netherlands /sq/ambasadore-adia-sakiqi http://www.panorama.com.al/skandali-i- bushatit-konsullja-ne-selanik-me-letra- greke/ http://www.parlament.al/web/pub/procesv erbal_9_03_2015_21476_1.pdf http://time.ikub.al/cd8c3048a6/1f1ba4347 c01f4da093f2b49605e0d28/Lajm_Bushati- 70-te-ambasadoreve-u-ka-mbaruar- mandati-Reforme-ne-diplomaci.aspx Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Ligji Nr.9095, date 3.7.2003 Ligji nr. 23/2015