1 – Sëmundja e procesionares
Sëmundje që prej 20 vitesh ka dëmtuar shumë sipërfaqe pyjore, larva e së cilës e than tërësisht pishën. Më 18 shkurt u nis një projekt për trajtimin e saj dhe aktualisht puna në terren po vazhdon. Për t’u njohur më nga afër me procesin e luftimit të së mundjes së procesionares Ministri Lefter Koka dhe Kryeministri Edi Rama më 17 mars kanë inspektuar rrethin e Elbasanit, ndërsa deputeti Taulant Balla me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit kanë vizituar rrethin e Librazhdit.
Ndërkohë në qarkun e Kukësit nga kjo sëmundje janë prekur qindra hektarë me pishë të zezë, sipërfaqe e cila po shkon duke u rritur dhe Ministria e Mjedisit nuk ka akorduar asnjë fond të posaçëm për këtë rast. Dëmet janë shtrirë në pyjet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës dhe përhapja ka arritur nga 800 deri në 1 mijë hektarë. Në qarkun ë Kukësit rrezikohen 10 mijë hektarë nga kjo sëmundje që pengon zhvillimin dhe mund të sjellë zhdukjen fare të kësaj bimësie. Specialistët e Drejtorisë se Shërbimit Pyjor Kukës kanë hartuar një projekt për dezinfektimin e këtyre sipërfaqeve por edhe pse nga qeveria është konsideruar emergjencë kombëtare, për qarkun e Kukësit nuk ka asnjë investim.
2 – Koncesioni për plehrat e Elbasanit
Më 16 mars kanë nisur punimet për ndërtimin e impiantit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, një investim prej 21.6 milionë Eurosh. Miratimi i lejes së ndërtimit u bë që më 27 janar. Pavarësisht gjithë propagandës për të mirat që do të sjellë ndërtimi i këtij impianti, si zgjidhje të problemit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe shndërrimit të tyre në energji, ngrihen pikëpyetje për kompaninë private që do të investojë për plehrat e Elbasanit. Në media përmendet që do të jetë një kompani italiane, e cila do të kryejë punimet, ndërsa realisht rezulton që leja është dhënë për kompaninë “Albtek Energy Sh.p.k”.
Dyshimet vazhdojnë për këtë kompani. Është e habitshme që emri i saj nuk u përmend as gjatë përurimit, as në artikullin e Ministrisë së Mjedisit. Me një kërkim të thjeshtë në website-in e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit gjetëm të dhëna për subjektin “Albtek Energy”. Kompania është krijuar më 10 korrik të vitit 2014, pra vetëm 5 muaj para se të firmoset koncesioni. Fondet e deklaruara të saj janë 100.000 lekë dhe rezulton që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në projekte të tjera. Si mund të merret vendimi për të dhënë një koncesion pa kryer fillimisht një studim mjedisor, i cili është shumë i rëndësishëm për të analizuar sasinë dhe llojin e gazrave që do të çlirohen në atmosferë. Aksioneres së kompanisë në fjalë, i lindi ideja për të hapur një biznes krejt papritur vetëm në korrik të 2014-ës dhe “fati” bëri që brenda 5 muajve, vetëm falë “kapitalit” dhe “përvojës” me Vendim të Këshillit të Ministrave të marrë me konçesion asgjësimin e plehrave të Elbasanit.
Referenca:
- http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/projekt-i-ri-kunder-procesionares-se-pishes&page=2
- http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/kryeministri-rama-dhe-ministri-koka-inspektojne-operacionin-kunder-procesionares&page=1
- http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=294940
- http://www.planifikimi.gov.al/sites/default/files/P_%20Vendimi%201_Inceneratori_MM.pdf
- http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/inaugurohet-fillimi-i-impiantit-te-perpunimit-te-mbetjeve-ne-elbasan&page=1