1- Në ngërçin e të ardhurave buxhetore
Në një kohë që strategjia 2013-2017 e qeverisë parashikon rritje të të ardhurave buxhetore (të cilat ishin në rënie të vazhdueshme në periudhën 2010-2013), dhe paralelisht qeveria rrit disa taksa te rëndësishme, të ardhurat buxhetore ngecin në vetëm 0,3% rritje (reporter.al), krahasuar me periudhën e një viti më parë. Dhe po krejt ndryshe nga premtimet në programin e këtij mandati, shpenzimet e qeverisë pësojnë rritje në masën 6%. Në këtë situatë që logjikshëm bie ndesh me parashikimet financiare të zhvillimit ekonomik, mund të aludojmë se qeveria mund të jetë në pritje të ndonjë granti surprizues dhe dobiprurës, ose ndryshime drastike në menaxhimin e financave do të ndodhin në gjysmën e dytë të vitit.
Megjithatë, Ministri Cani në çdo dalje shprehet optimist për situatën dhe për efektet pozitive që do të japin reformat në të ardhmen. Me qetësi të habitshme, ai pretendon se të gjitha këto rezultate kanë qenë brenda parashikimeve, prandaj dhe plani 2015 është më i ulët se ai 2014. Ministri lavdëron punën e bërë nga doganat dhe tatimet, dhe arkëtimet e tyre të ulëta këtë fillimviti në rastin e parë ai ia adreson problemeve me rentën minerare, çmimin botëror të naftës dhe fushatës anti-duhan, kurse në rastin e dytë thekson të jetë një situatë kalimtare, pasojë e sistemit të ri online tatimor.
2- Doganat në fokus
Rënia e të ardhurave, dorëheqja e Elisa Spiropalit dhe performanca e agjencisë angleze këshillimore Crown Agents, kanë qenë arsye të mjaftueshme që t’i bënin doganat kryefjalë të financave këtë muaj.
Në një të shtunë ku Shqipëria festonte ditën e mësuesve, në këtë 7 Mars, televizionet u pushtuan nga lajmi i dorëheqjes së Drejtoreshës se Doganave dhe komandimit në këtë pozicion të Zv. Ministres së Financave, Irena Beqiraj. Për aq kohë sa nuk u emërua një drejtor i ri/drejtoreshë e re, duket se dorëheqja ka qenë e papritur. Megjithatë argumenti që dha Spiropali, ardhja në jetë e fëmijës së saj të parë, ishte fakt që dihej prej muajsh, ndonëse zëra qarkullonin për një shkarkim të saj për mosarritje të performancës së pritur. Nga ana tjetër, emërimi i Znj. Beqiraj, e cila aktualisht mban të dyja pozicionet, e bën gjithashtu të vështirë për të, që të performojë maksimalisht në të dy detyrat, prandaj dhe koha e vendosjes së një kreu të ri s’duhet të jetë e largët.
Nga ana tjetër as performanca e Crown Agent nuk ka shkëlqyer. Në një kohë që pritshmëritë e arkëtimeve nga doganat për 2014 ishin 4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), reporter.al sjell në vëmendje se kjo shifër ka qenë vetëm 0,4% e PBB-së, duke treguar që edhe strategjia e qeverisë për rritje të disa taksave, edhe puna asistuese e Crown Agent kanë dështuar. Megjithatë, ajo çfarë të bën më shumë përshtypje, është kërkesa e Crown Agent, një kompanie që përfiton 4.1 milionë EUR. në vit, që të rinovojë kontratën pavarësisht se nuk ka përmbushur të gjitha kushtet e saj. Do të ishte vërtetë e habitshme sikur qeveria të pranonte të rinovonte këtë kontratë, në një kohë që në një letër drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar, vetë Rama ka pranuar që puna e Crown Agent nuk ka qenë sipas pritshmërive dhe nga na tjetër ai vetë në 2013 premtoi se doganat nuk do kalonin në menaxhim të huaj. Besojmë se një eksperience jo e mirë, mjafton!
3- Edhe më shumë hua…
Në programin e qeverise 2013-2017, tekstualisht përmendet: Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të vazhdojë të nxitet në tre mënyra:
- Nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë;
- Nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para, të disa produkteve të gatshme dhe një kategorie të caktuar shërbimesh;
- Nëpërmjet ristrukturimit ekonomik dhe reformave të vërteta strukturore, rritjes me prioritet të prodhimit të brendshëm, diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve, adoptimit masiv të teknologjive të reja.
Dy mënyrat e para ne i gjykojmë se janë me nivel të lartë risku dhe jo të qëndrueshme. Ta mbështetësh rritjen vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, gjë që na ka pëlqyer ta përmendim si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë: të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapriçot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, të prodhosh një rritje ekonomike jo reale, të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë.
E pavarësisht kësaj, qeveria ka vijuar të marr borxhe nga jashtë. Kryesisht nga FMN-ja, e cila është praktikisht tashmë mbikëqyrësi dhe drejtuesi i ekonomisë sonë, por edhe nga burime të tjera siç është Banka Botërore. Voice of Albanias raporton se qeveria do të marrë një borxh prej 250 milionë eurosh, i cili, siç shpjegoi ministri Cani është “një hua që ka interesa relativisht më të ulëta, sepse garantohet nga Banka Botërore”.
Në një konferencë për shtyp me Shefin e Misionit të FMN-së në vendin tonë, Nadem Llahi, ku ky i fundit u shpreh optimist për rritjen ekonomike 3% të Shqipërisë ne vitin 2015, Ministri Cani tha se nuk do të kishte rritje të mëtejshme taksash. Të njëjtën gjë përmendi dhe Drejtoresha Aktuale e Doganave, Znj. Beqiraj, në çastin që u komandua në këtë post, por Albanian Construction Portal, raporton se në Shtator qeveria do të zbatojë taksën e re mbi pronën. Nuk dihet ende qëllimi, destinacioni dhe vlera e kësaj takse, por një deduksion i thjeshtë të bën të mendosh se me vendosjen e taksës imobilare, do bien çmimet e ndërtesave për shkak të uljes së kërkesës si pasojë e rritjes së çmimit nga taksa. Me shumë mundësi zinxhirët e kleringut do të thyhen dhe do këtë falimentime të furnitorëve të ndërtimit dhe rrjedhimisht punëtorët e ndërtimit do të humbin punën, duke sjellë më pas kosto ekonomike dhe sociale, të cilat nuk dihet nëse taksa do t’i mbulojë dot. Qeveria nën trysninë për t’u përgjigjur me proteksionizëm për çmimet imobiliare në rënie, do të bllokojë ndërtimet e reja. Përndryshe, le të imagjinojmë qindra shqiptare, që kanë blerë apartamente që kujtojnë se u vlen 100 mijë EUR dhe të nesërmen vlera u bie në 30 mijë EURO…
4-Në luftë me informalitetin
Për një Shqipëri që në 2016 të zgjohet pa shqetësime nga lojërat e fatit. Ky është qëllimi i projektligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, që u prezantua në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese me datë 18 Mars 2015. Ministri Cani deklaroi se për këtë sektor do të ketë një skemë të ri tatimi: “Lojërat e fatit përjashtohen nga TVSH, por tarifa për t’u licencuar do të variojë nga 40 mijë lekë në 1 miliardë lekë për kazinotë e mëdha”.
Ndërkohë projektligji parashikon edhe distanca më të largëta mes kazinove, vendosjen jashtë qyteteve (kryesisht në pika turistike) dhe aplikimin e regjistrit të lojtarëve.
Vlen për t’u përshëndetur fakti që familja do të ketë në dorë që përmes një kërkese të bërë të mos lejojë që i afërmi i tyre të mund të lejohet të luajë në lojërat e fatit. Mbetet të urojmë që ky ligj do të aplikohet më së miri, sipas gjithë parashikimeve për të luftuar informalitetin, evazionin fiskal dhe luftën kundër efekteve sociale.
Referime
Reporter.al. 23 Mars 2015. Qeverisë i ngecin të ardhurat buxhetore, në shkurt vetëm 0.3 për qind më shumë http://www.reporter.al/qeverise-i-ngecin– te-ardhurat-buxhetore-ne-shkurt-vetem-0– 3-per-qind-me-shume/
InfoPasqyra. 18 Mars 2015. Cani: Reformat, efekte pozitive në ekonominë shqiptare. http://infopasqyra.com/cani– reformat-efekte-pozitive-ne-ekonomine– shqiptare/news/lajmi/
Reporter.al. 23 Mars 2015. Crown Agents, konsulenca e kushtueshme që nuk solli të ardhura shtesë. http://www.reporter.al/croën-agents– konsulenca-e-kushtueshme-qe-nuk-solli– te-ardhura-shtese/
Albanian Contruction Portal. 26 Mars 2015.
Ne shtator qeveria aplikon taksen e re mbi pronën.
http://acp.al/news/730/Ne-shtator– qeveria-do-te-zbatoje-taksen-e-re-mbi– pronen/
Agjencia Telegrafike Shqiptare. 18 Mars 2015. Ligji për lojërat e fatit-Cani: Objektiv, lufta kundër informalitetit.
http://www.ata.gov.al/ligji-per-lojrat-e– fatit-ministri-cani-objektiv-luften-kunder– informalitetit-238485.html
Shqiptarja.com. 18 Mars 2015. Ligji për kazinotë. http://shqiptarja.com/m/home/ligji-p-r– kazinot–cani-familja-k-rkes–q–i-af-rmi-t– -mos-lejohet-279551.html
Gazeta online Panorama. 8 Mars 2015.
Dorëheqja e Spiropalit. http://www.panorama.com.al/doreheqja– e-spiropalit-cani-uroj-nenen-elise-e-ka–
shprehur-qarte-arsyen-bashkepunim-i– shkelqyer/
Ministria e Financave. Qershor 2013.
Programi i Qeverise 2013 -2017. http://www.financa.gov.al/al/program/pro grami-i-qeverise-2013-2017
Voice of Albanians-Online. 17 Mars 2015.
Emetimi i eurobondit dhe marrja e huase. http://www.voal– online.ch/index.php?mod=article&cat=LAJ MIIF&article=52851
Gazeta Tema. 17 Mars 2015. Shqipëria vijon rritjen ekonomike. http://www.gazetatema.net/ëeb/2015/03/ 17/fmn-shqiperia-vijon-rritjen-ekonomike– permiresime-ne-sektorin-energjitik-cani– ska-rritje-taksash-jemi-ne-rrugen-e– duhur/