Projekti TAP mbetet në qendër të vëmendjes së bashku me sektorin energjetik jo vetëm për takimet e njëpasnjëshme dhe thirrjet për investitorë por edhe sepse në të njëjtën kohë sipas Kryeministrit Rama, energjitika ka qenë një nga sektorët burim për rritje ekonomike. Marrëveshjet e njëpasnjëshme të Ministrit Gjiknuri dhe të ardhurat nga TAP apo projekte të tjera, përfshirë këtu edhe privatizimin e Albpetrol, nuk duket se bindin ekspertët e FMN, të cilët parashikojnë një rritje ekonomike më pak se 3%.
Jehona e gazifikimit të Shqipërisë përmes Projektit TAP ka vënë si asnjëherë më parë në lëvizje institucionet përkatëse shtetërore, në veçanti në çështjet e pronësisë së tokës që preket nga projekti. Një shenjë e qartë kjo se kur qeverisë i interesojnë të ardhurat, di mjaft mirë se si të zgjidhë një nga problemet më madhore të investitorëve të huaj, çështjet e pronësisë.
Qeveria Zvicerane ka dhënë një grant prej 6.6 milion Eurosh për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri. Ministrat Gjiknuri dhe Cani u shprehën mjaft entuziastë për bashkëpunime të mëtejshme në fushën e efiçiencës së energjisë me Qeverinë Zvicerane. Një fond tjetër ky i cili mbështet procesin e gazifikimit të Shqipërisë. Ndërkohë që shifra grantesh dhe marrëveshjesh publikohen thjesht si shifra, nuk duket në horizont asnjë plan pune me hapa dhe afate të cilat do të matin dhe rezultatet e implementimit dhe realizimit të objektivave për të cilët janë dhënë këto grante.
Një procedurë e re privatizimi po përgatitet sipas Kryeministrit për privatizimin e Albpetrol. Thënë shkurt, qeveria nuk ka kapacitetet financiare apo çfarëdo lloj kapaciteti tjetër të nevojshëm për ta reformuar dhe kthyer në efiçencë të plotë këtë kompani. Megjithatë Kryeministri theksoi se procesi do të jetë transparent dhe gara e hapur dhe konkurruese. Një tjetër aset privatizimi i të cilit pa dyshim do të ja vështirësojë jetën qytetarëve, por do të rrisë të ardhurat e shtetit. Le të shpresojmë që këto të ardhura do të përdoren ashtu siç janë premtuar për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe jo të politikanëve.
Ndërkohë që planet për të ardhmen duken mjaft të qarta, administratori i OSHEE deklaron se borxhet e biznesit janë ende të mëdha dhe se ka një rënie të humbjeve të energjisë, megjithatë kjo mbetet në nivele të larta në kryeqytet më 37% të konsumit. Në mesin e muajit Mars, OSHEE deklaroi «dëm ekonomik» dhe «energji e pa matur» për 51 000 fatura me vlerë 4.1 miliardë Lekë për periudhën 2008-2011. Duket se bizneset, sidomos ato të ndërtimit, nuk kanë borxhe vetëm ndaj OSHEE por shpesh për mbijetesën e tyre iu drejtohen tregjeve kredimarrësë informale. Përafërsisht janë 35% e bizneseve të cilat përdorin kredimarrjen në rrugë informale.