![Sokol KONDI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/S.-Kondi-300x300.jpg)
Sokol KONDI, MSc
1- Zbulimi/Konsullata në Milano, skandali erdhi nga Ministri dhe MPJ
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano vazhdon të jetë epiqendra e skandaleve të shërbimit të jashtëm shqiptar. Duket sikur në këtë konsullatë ka një vorbull e cila i përthith si me magnet problemet. Aq e vërtetë është kjo, sa që nuk mjaftoi që tashmë ish-Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë të kapej në flagrancë nga një filmim me kamera të fshehtë duke marrë një ryshfet prej 1 mijë eurosh për lëshimin e një certifikatë të falsifikuar martesore, për qëllime “humanitare” siç do të shprehej vetë Znj. Çobanaj.[1] Në fakt skandali me Znj. Çobanaj është më i hershëm dhe nuk përfshin vetëm këtë të fundit, por në radhë të parë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe direkt ministrin Ditmir Bushati.
Zbulojmë se MPJ dhe ministri, me emërimin e Znj. Çobanaj si Konsulle e Përgjithshme në vitin 2014 kanë bërë një shkelje të rëndë ligjore, duke rikthyer në detyrë një funksionare shtetërore të shkarkuar më parë nga detyra pikërisht për të njëjtin lloj shkeljesh dhe si për ironi të fatit pikërisht në të njëjtën konsullatë. Sipas CV-së së publikuar nga vetë Znj. Çobanaj, kjo e fundit në jetëshkrim thotë se ka qenë: “Punonjëse Finance dhe Sekretare pranë Konsullatës Shqiptare në Milano” në vitet 2000-2003.[2] Nga burime konfidenciale por të besueshme për APPA, të rangut të ish-funksionarëve të lartë në MPJ, mësojmë se në fundin e muajit tetor 2003, Luljeta Çobanaj është shkarkuar nga detyra me urdhër të Ministrisë, pas verifikimit që i është bërë punës së saj, gjë nga e cila kanë rezultuar shkelje të ndryshme, që dyshohet se janë të njëjta apo të ngjashme me shkeljen e rëndë që solli shkarkimin e Znj. Çobanaj disa muaj më parë.
Por, ndërkohë që mitmarrja e ndodhur në muajin shkurt 2016 ngarkon me përgjegjësi vetëm ish-Konsullen e Përgjithshme, gjë për të cilën ajo u ndëshkua, emërimi i saj në detyrë është përgjegjësi direkte ligjore e Ministrit të Punëve të Jashtme, i cili i propozon Konsujt Kryeministrit, që më pas i emëron. Nuk ka rëndësi, në rast se Z. Bushati dhe MPJ e dinin apo nuk e dinin se Znj. Çobanaj ishte përjashtuar më parë nga shërbimi i jashtëm shqiptar, sepse në të dyja rastet përgjegjësia direkte bie mbi ta. Është një dështim i të gjitha hallkave institucionale të MPJ, nga niveli më i poshtëm e deri tek ai më i lartë, në rast se nuk e kanë ditur një gjë të tillë. Dhe është një shpërdorim detyre në rast se e kanë bërë qëllimisht një gjë të tillë. Në një vend normal, kjo çështje nuk mund të përfundonte kurrsesi vetëm me shkarkimin e ish-Konsulles.
2- Bushati, nga korrupsioni te militantizmi
Por cila është përgjigja që i ka dhënë Tirana zyrtare amullisë së krijuar me Konsullatën e Përgjithshme në Milano, ku nga burime jozyrtare, mësojmë se janë shkarkuar i gjithë personeli, bashkë me Znj. Çobanaj (madje është shkarkuar edhe shoferi i Konsullatës).
Burime zyrtare të shërbimit diplomatik shqiptar na njoftojnë se në pritje të emërimit zyrtar, ministri Bushati ka caktuar për momentin Konsull në Milano, Konsullin e Barit, Z. Robert Hoxha. Ky i fundit është kryetari i Partisë Socialiste të Barit, gjë të cilën e kemi denoncuar edhe muajt e kaluar, çka përbën një shkelje ligjore.
Përveç kësaj, shkelje ligjore përbën fakti që MPJ e ka pranuar pa konkurs në Shërbimin e Jashtëm Z. Hoxha dhe detyrën e parë në këtë shërbim i ka caktuar direkt atë të Konsullit, pa respektuar shkallët e karrierës.
Le të presim pa paragjykuar se cili do të jetë Konsulli i ri i Përgjithshëm, i emëruar zyrtarisht nga Tirana, por sidoqoftë zgjidhja “ad-interim” nga një e korruptuar te një militant partiak në Konsullatën e Milanos, nuk është maksimumi që mund të bënte MPJ dhe ministri i Jashtëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për caktimin e një Konsulli me nivel bazë njohurish të mbështetura vetëm në një diplomë Bachelor, ndërkohë që ligjet e Administratës Publike shqiptare, kërkojnë minimalisht një diplomë Master, për nivelet e Drejtorëve dhe të përfaqësueseve të lartë të Shqipërisë.
3- Situatë komike me Konsullatën në Janinë
Jo të gjithë ambasadat dhe konsullatat janë njësoj, çka është dëshmi se kur ato drejtohen nga një staf profesional dhe me kualifikimin e duhur, janë efikase dhe i shërbejnë vërtet vendit. Ndryshe është rasti, kur drejtohen nga militantë apo njerëz të pakualifikuar, si rastet që kemi denoncuar. Nuk do të themi se cilat seli diplomatike konsiderojmë efikase, për të mos bërë që të humbasim (nga ndonjë “revansh” i mundshëm) edhe atë komunikim të rrallë institucional, që e kemi si ujët e pakët, jo për fajin tonë sigurisht. Do të mjaftohemi të përmendim rastet negative, duke shpresuar që kritika të shërbejë sadopak për përmirësimin e punës së tyre.
Nisur nga një shkrim i publikuar në portalet online[3] se një informaticien që punonte në biznesin e një ish-deputeti shqiptar ishte emëruar Konsull në Janinë, nisëm të bënim verifikimet e nevojshme për një gjë të tillë, por kontakti me Konsullatën shqiptare në Janinë prodhoi një situatë komike, që nxjerr në pah edhe një herë paqartësitë dhe shërbimin e gabuar apo të munguar ndaj qytetarëve shqiptarë nga ana e shërbimit të jashtëm. Përballë kërkesës së thjeshtë nga ana jonë për të na informuar lidhur me emrat e Konsullit të Përgjithshëm dhe të Konsujve, Konsullata e Republikës së Shqipërisë në Janinë na dha një përgjigje në limitet e absurdit në kontaktin që patëm me të në rrjetin social Facebook, në faqen zyrtare të Konsullatës. Konsullata na bëri me dije, se bazuar te një urdhër i ministrit të Jashtëm Z. Ditmir Bushati, autoriteti kompetent për dhënien e informacioneve zyrtare për publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme na qenka “vetëm Koordinatori për të drejtën e informimit, në Autoritetin Publik MPJ (pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore)”.
Së pari ne kërkuam një informacion të thjeshtë, nuk kërkuam një shkresë zyrtare, me vulë, datë dhe firmë. Përgjigja e Konsullatës në fjalë, është njësoj si të shkosh të pyesësh në një qendër të urgjencës shëndetësore se cili është drejtori dhe të të adresojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, apo të pyesësh në një komisariat se cili është shefi dhe të të thonë se duhet të shkosh në Ministrinë e Brendshme për të marrë një informacion kaq të “çmuar”. Sipas kësaj logjike, çdo qytetar shqiptar që dëshiron të marrë një informacion nga Konsullata, duhet t’i drejtohet MPJ-së. Atëherë cili është kuptimi i hapjes së një Konsullate në një vend të huaj, kur për këto shërbime u dashka shkuar vetëm në Tiranë? Apo ndoshta Konsullata nuk e di se cilët janë drejtuesit e saj? Deri në provë të kundërt, barra e provës bie mbi të.
Që ky është një gabim dhe mungesë profesionalizmi nga ana e Konsullatës, këtë e dëshmon edhe fakti se me përfaqësi të tjera diplomatike (si duket pak me më tepër përvojë së ajo e Janinës), nuk kemi hasur aspak në një pengesë dhe ngurtësi të tillë në marrjen e informacionit. Madje edhe vetë stafi i ri i Konsullatës në Milano është treguar më i përgjegjshëm dhe rigoroz karshi nesh në këtë drejtim.
4- Greqia paska çliruar Shqipërinë (askush nuk e dinte!)
Kontaktet e shpeshta dhe bisedimet e shtruara në tryezë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë mjaft pozitive. Falë procesit integrues të Shqipërisë në BE, jemi në një fazë kyçe[4], ku ndërmjet dy vendeve mund të zgjidhen probleme historike të mbartura prej shumë dekadash. Por bie në sy një element që mund të krijojë pengesa të reja dhe të pakapërcyeshme mes palëve, përjashto ndonjë zemërgjerësi të mundshme, si ajo që u bë dhe u zhbë me çështjen e paktit detar nga qeverisja e kaluar dhe gjykata Kushtetuese. Greqia pretendon se në Shqipëri kanë rënë 11.000 ushtarë të saj[5], gjatë një viti të vetëm, atij 1940-1941, gjatë luftës italo-greke, një pjesë e së cilës u zhvillua edhe në territorin shqiptar.
Në historiografinë shqiptare ka mjaft debat edhe për numrin e të rënëve shqiptarë, me pretendimin se 25,000 dëshmorët e deklaruar zyrtarisht gjatë luftës së dytë botërore, kanë qenë një shifër e fryrë nga regjimi komunist. Tani rezulton se Greqia ka humbur thuajse sa gjysmën e dëshmorëve shqiptarë në një vit të vetëm. Sipas kësaj shifre, një deduksion logjik bën të mendohet se një meritë të mirë për çlirimin e Shqipërisë e ka pasur edhe ushtria greke me luftën e saj kundër fashistëve, gjë e cila ndoshta dëgjohet për herët e para nga anët tona.
Nga ana tjetër, nuk kuptohet përse Italia fashiste ngeci në malet e Shqipërisë, kur i paska shkaktuar një dëm kaq të madh në numër palës kundërshtare. [6] Nuk kuptohet gjithashtu se si është arritur në një përfundim të tillë. A ka një komision të përbashkët shqiptaro-grek që ka rënë dakord për këtë shifër? Nëse jo a do ta pranojë si të mirëqene Shqipëria? Por mbi të gjitha, nëse varrezat greke pranohen, a do të vendosen ato në një mënyrë të barabartë dhe simbolike, si varrezat e ushtarëve gjermanë dhe britanikë në Tiranë, apo do të lejohet që në mënyrë demonstrative dhe në forma mauzolesh madhështorë të vendosen në Jugun e Shqipërisë, të cilin qarqet ekstremiste greke e konsiderojnë si Vorio Epir, dhe ku përhapja e ortodoksisë greke me synime asimiluese nëpërmjet kishës ortodokse shqiptare të drejtuar nga një grek, dhënies së pensioneve (për minoritarët dhe jo vetëm) dhe shkollave nuk është e vogël?
Këto pikëpyetje mund të marrin ndoshta një përgjigje më të qartë gjatë takimit të radhës në Tiranë Bushati-Kotzias, por në rast se për shifrën e të rënëve grekë dhe për vendin e vendosjes së varrezave nuk do të ketë debat, kjo padyshim do të bënte që Athina zyrtare jo për herë të parë të përqafonte një pretendim të “megallo-idesë” dhe të përpiqej ta zbatonte atë në Shqipëri, pas hasur asnjë pengesë.
Gjithashtu, shifra e fryrë e të rënëve grekë duhet parë edhe në optikën direkte të negociatave. Ajo mund të jetë rritur qëllimisht për t’u përdorur si një gur shkëmbimi, në mënyrë që çdo lëshim i mundshëm grek, të konsiderohet nga pala helene si një koncesion, duke ulur kështu për rrjedhojë edhe fuqinë negociuese të Shqipërisë në pretendimet e saj në bisedimet dypalëshe.
[1] Artikull, Ish-konsullja Çobanaj shpjegon mitmarrjen http://www.mapo.al/2016/03/ish-konsullja-e-milanos-jam-e-pasur-e-dhashe-per-humanizem-certifikaten-ndocaj-te-paguaj-dritat
[2]Artikull ku citohet jetëshkrimi i publikuar nga Ish-Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në MIlani, http://telegraf.al/bota-rajoni/si-e-ktheu-diplomatja-cobanaj-konsullaten-e-milanos-ne-shtepi-te-shqiptareve
[3] Artikull, dyshime per emërimin si Konsull në Janinë të një informaticieni http://www.syri.net/2016/04/12/komandanti-i-jugut-tani-edhe-pasha-i-janines-kokedhima-emeron-drejtorin-grek-te-kompanise-se-tij-konsull-te-shqiperise-ne-janine/
[4] Takim i ri Bushati-Kotzias në Tiranë, problemi me varrezat greke http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=327663&fundit
[5] Pretendimet greke për numrin e të rënëve në Shqipëri në vitin 1940-1941 http://www.panorama.com.al/vizita-zbardhet-paketa-e-propozimeve-te-ministrit-grek-per-shqiperine/
[6] Arben Puto, Diktatore dhe Kuislinge Lufta Italo-greke , Shtepia Botuese Toena, 2011, faqe 50.