![Megi LLUBANI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.-Llubani-300x300.jpg)
Megi LLUBANI, MSc
1. Shqipëria si oaz kriminelësh
Gjatë muajit maj u bëmë dëshmitarë të një skenari ‘’quasi’’ mafioz në mes të kryeqytetit. Vrasja e shumëpërfolur e Elton Cicos nga Jani Alia, dy persona me të shkuar e të tashme kriminale që shëtisnin të lirë e të pa shqetësuar në rrugët e Shqipërisë solli në vëmendje disa fakte shqetësuese për punën e Policisë së Shtetit.
- Fakti numër 1: Viktima kishte tentuar të paktën dy herë gjatë këtij viti të ekzekutonte ekzekutuesin e tij. Në të dy rastet policia ka pasur dijeni dhe madje ka marrë në pyetje Jani Alinë, por asgjë nuk ka ndodhur.[1]
- Fakti numër 2: Jani Alia, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arratisur nga një burg i Greqisë ku ishte i dënuar me burgim të përjetshëm ku është futur në Shqipëri për të vijuar një jetesë normale, e madje të ngrinte edhe një biznes.[2] Si është e mundur që një person me precedent penal, i shpallur në kërkim dhe arratisur nga vendi fqinj të mund të bënte një jetë të qetë në Shqipëri? Vërtetë nuk kishte dënim nga gjykatat shqiptare, por a nuk dëgjojmë shpesh ministrinë të lavdërohet për bashkëpunimin e shkëlqyer me partnerë të tjerë e në rajon? Si ka mundësi që edhe pse policia e shtetit ka qenë në kontakt me këtë person pas atentateve kundër tij, nuk i është bërë një ‘’background check’’?
- Fakti numër 3: Ministri Tahiri me të drejtë është përpjekur gjatë mandatit të tij të krijojë një imazh të ri mbi policinë e shtetit dhe punën e saj në terren. Si ka mundësi që në faqen zyrtare të ministrisë së punëve të brendshme nuk ka asnjë deklaratë për këtë rast dhe asnjë deklaratë mbi arsyet përse një oficer policie gjendej në të njëjtën tavolinë me një person me të shkuar kriminale minimalisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike?
Ministria nuk ka ofruar asnjë shpjegim për asnjë prej këtyre fakteve, që qartësisht flasin kundër punës së efektivëve të policisë. Çfarë do të ndodhë me ekzekutuesin pasi të kapet? Do mundet të arratiset sërish sikundër nga Greqia? Nuk është hera e parë që në njoftimet zyrtare të ministrisë së brendshme të renditen operacionet e suksesshme dhe personat e arrestuar, por asnjëherë nuk jepet llogari për raste kaq të rënda që vënë në pikëpyetje sigurinë publike në Shqipëri.
2. Mania e përgjimeve
Alarmi i dhënë nga opozita dhe kryetari i SHISH për një pajisje përgjimi që ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri shkaktoi një valë spekulimesh, akuzash dhe kundërakuzsh që kulmuan në raportimin para Komisionit të Sigurisë të Ministrit të Punëve të Brendshme Z. Tahiri, Shefit të Policisë së Shtetit, Z. Haki Cako, Kryeprokurori Z. Adriatik Llalla dhe Kreu i SHISH Z. Visho Ajazi. Të katër palët raportuan para deputetëve në lidhje me akuzat dhe u ftuan të japin sqarime mbi pretendimet e ngritura nga media dhe opozita për këtë pajisje të dyshimtë që është futur në territorin e Shqipërisë nga Italia dhe që pretendohet se është përdorur nga Interforca italiane për të zhvilluar një trajnim.[3] Sikundër ndodh rëndom në raportimet para kuvendit dhe ligjvënësve nuk u ofrua ndonjë qartësim i asaj që kish ndodhur. Kjo ishte më e dukshme në përgjigjet e kreut të forcave blu dhe ministrit të punëve të brendshme. Veçanërisht ky i dyti mbajti një leksion aspak të nevojshëm mbi ristrukturimin e forcave të policisë, vendosjen në punë të Akademisë së Policisë dhe ndryshimin e imazhit të kësaj të fundit tek publiku. Përgjatë kohës së tij si ministër Z. Tahiri e ka përdorur si kalë beteje ndryshimin e imazhit të policisë së shtetit dhe afrimin e tij me komunitetin. Ndërkohë që ka pasur arritje në këtë drejtim, APPA e ka vënë në dukje edhe në raportet e kaluara që arritjet kanë qenë më tepër estetike se thelbësore. Është në fakt për të ardhur keq që ministri ende i referohet gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodhej policia e shtetit, një mjerim i trashëguar nga paraardhësit e tij dhe qeverisja e opozitës. Në vend që ministri të merret me arritjet e këtyre tre viteve të mandatit të tij i cili ka hyrë në vitin e fundit, ai fatkeqësisht ende merret me dështimet e katër viteve më parë. Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen. Ndërkohë që presim rezultatet e hetimit, urojmë që kjo të mos jetë shfaqja politike e radhës.
[1] Balkanëeb, 24 maj 2016, Historia e hakmarrjes mes Elton Cicës dhe Jani Aliajt: tentativat e dështuara për të eliminuar njëri-tjetrin, online: http://www.balkanëeb.com/site/historia-e-hakmarrjes-mes-elton-cices-dhe-jani-aliajt-tentativat-e-deshtuara-per-te-eliminuar-njeri-tjetrin/
[2] Nikoleta Kovaci, 26 maj 2016, Jani Alia: I dënuari përjetë në Greqi njihej nga policia shqiptare, Gazeta shekulli, online: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=434807
[3] Eva Hoxha, 18 maj 2016, E Plotë/ Zbardhen debatet për përgjimet në Komisionin e Sigurisë, gazeta Shekulli, online: http://www.shekulli.com.al/p.php?id=431497