1-Si mbrohen fëmijët ?!
Prej disa muajve, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka nisur një fushatë në gjithë vendin për mbrojtjen e fëmijëve. “Unë Mbroj Fëmijët”, është kthyer tashmë në një fushatë të madhe sensibilizimi, e cila ka përfshirë edhe njësitë specifike brenda të gjitha bashkive në vend, me qëllim adresimin e problematikave të ndryshme në lidhje me fëmijët[1]. Edhe më herët, në raportin e muajit Prill, është evidentuar që qasja e Ministrisë ndaj një çështje kaq e rëndësishme si mbrojtja e fëmijëve, mbështetur kryesisht në fushata ndërgjegjësimi, është e pamjaftueshme dhe ineficente. Për fat të keq, pak javë mbas këtij konstatimi u shënua një ngjarje e rëndë në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve 6-18 vjeç në Shkodër, e cila dëshmon për mënyrën jo efikase të mbrojtjes së fëmijëve. Prokuroria e Shkodrës ka konstatuar se është ushtruar dhunë fizike dhe ka ndodhur abuzim seksual mbi 3 vajza të mitura jetime, rezidentë të Qendrës për Fëmijë në qytetin e Shkodrës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë me nenin 54 të saj përcakton se është detyrim shtetëror garantimi i mbrojtjes së fëmijëve në përgjithësi dhe atyre të cilëve iu mungon kujdesi prindëror në veçanti. Fëmijët kanë të drejtën të jenë të mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi apo përdorimi për punë. Pra, jo vetëm që shteti shqiptar ka dështuar të garantojë mbrojtjen e të drejtave themelore të këtyre fëmijëve, por ai vetë është bërë përgjegjës i dhunës sistematike fizike e seksuale që është ushtruar për një kohë të gjatë në një Qendër Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër.
Fill pas ngjarjes së rëndë të shënuar, ka nisur një lojë pingpongu mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore mbi përgjegjësinë institucionale të secilit. MMRS-ja fajëson Bashkinë e Shkodrës si përgjegjësen kryesore për mos administrimin e kujdesshëm të Qendrës dhe në mos marrjen e masave ndaj 8 raporteve rekomanduese që Shërbimi i Social i Shtetit (institucion varësie i ministrisë) ka hartuar pas problematikës që ka konstatuar vitet e fundit. Nga ana tjetër, Bashkia e Shkodrës ka argumentuar se i mungojnë kapacitetet e duhura për mirë-administrimin e qendrave të tilla, që nga ana e saj i sheh si institucione problematike dhe që duhen zhdukur me kalimin e kohës. Ministri Klosi ka deklaruar se përgjegjësia e vetme e institucionit që ai drejton është monitorimi, i cili sipas tij është kryer me përpikëri, por ka qenë Bashkia, institucioni, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme më pas[2].
Në fakt, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është po aq fajtore për situatën e ndodhur, sa edhe Bashkia e Shkodrës, po aq sa edhe çdo institucion tjetër shtetëror që merret me përkujdesjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për faje morale, por dështim të plotë institucional dhe ligjor. Kështu, sipas ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në nenin 24, është cilësuar se bashkitë janë përgjegjëse për krijimin dhe administrimin e shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në nevojë, ku ndër të tjera përfshihen edhe fëmijët. Megjithatë, neni 13 i të njëjtit ligj parashtron se “për zbatimin e normave e të standardeve kombëtare, të përcaktuara në legjislacionin përkatës, ministritë, sipas fushave të përgjegjësisë, monitorojnë veprimtarinë e organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore”. MMSR ka dështuar në misionin e saj në marrjen e masave ndaj problemeve, që argumenton se ka identifikuar prej kohëve. Agjencia Shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, krijuar me ligjin nr. 10347, datuar më 04.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës” ka funksion ndëshkues ndaj subjekteve të cilat shkelin dispozitat e ligjit. Qendra rezidenciale e Fëmijëve në Shkodër ka shkelur disa standarde të shprehura në VKM Nr. 659, datuar më 17.10.2005 “Për standardet e shërbimeve të kujdesit shoqëror, për fëmijët në institucionet rezidenciale” dhe nuk është ndëshkuar sipas ligjit. Ministria ka dështuar në rolin e saj për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat e fëmijëve në Republikën e Shqipërisë dhe masat e marra mbas ndodhjes së skandalit janë një dëshmi plotësuese e kësaj.
Kështu, pas skandalit, Ministria ka ndërmarrë një plan të përbashkët pune me të gjitha institucionet e varësisë, ato qendrore, vendore dhe organizata të shoqërisë civile. Disa nga këto masa përfshijnë ngritjen e një task force, e cila do të monitorojë performancën e institucioneve të kujdesit për fëmijët, vlerësim të cilësisë dhe aftësisë të të gjithë personelit; mobilizimit të një sërë aktorësh publik, ndryshim të praktikave monitoruese dhe vlerësuese, etj. Ministria, e cila ka muaj që ka ndërmarrë një fushatë për mbrojtjen e fëmijëve, merr një nismë monitorimi dhe vlerësimi të kushteve ku fëmijët pa kujdes prindëror qëndrojnë, vetëm pas një skandalit të ndodhur. Pra MMRS-ja ndjek një politikë post factum në mbrojtje të të drejtat e fëmijëve. Ajo fillon aksione veprimi pasi plasi skandali me përmasa publike. Gjithashtu në masat që rekomandohen nga Ministria lidhen me 2 ndryshime të rëndësishme ligjore si: i) ndryshimi i ligjit për vetëqeverisjen vendore, ku kërkohet që funksionet e shërbimeve sociale ti kryejnë institucionet qendrore pasi bashkitë s’kanë kapacitetet e duhura dhe ii) mbyllja përfundimtare e qendrave rezidenciale të kujdesit për fëmijë dhe shndërrimi i tyre në qendra ditore. Fakti që Ministria propozon të bëjë amendime në ligjin e vetëqeverisjes vendore, i cili është hartuar vetëm pak muaj më parë (me ndryshimet që erdhën edhe si pasojë e reformës territoriale-administrative) dhe fakti që vetëm pak javë më parë shndërroi qendrat e kujdesit social në qendra të pritjes së emergjencës, tregon se programet dhe politikat e ndërmarra janë të paqarta, me vizion të cunguar dhe me mungesa bashkërendimi institucional.
2-Miratohet Plani Kombëtar i Veprimit për LGBTI-të
Është miratuar më 25 Maj 2015 Plani Kombëtar i Veprimit (PKB) për LGBTI-të, një dokument politik i qeverisë shqiptare, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020. Ky Plan synon mosdiskriminimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Shumica e objektivave të shprehura në strategji lidhen me parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor nëpërmjet ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe fuqizimit të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të LGBTI. Buxheti i Shtetit mbulon vetëm 39.8% të kostove të përgjithshme për zbatimin e PKV për një periudhe 5 vjeçare. Ndërkohë që fondet e angazhuara nga donatorët për vitin 2016 janë të papërfillshme në raport me nevojat për financime, Ministria duhet të angazhohet të mobilizojë fonde të mjaftueshme për realizimin e objektivave strategjikë që ka parashtruan në PKV. Hartimi dhe zbatimi i këtij plani lidhet ngushtë me detyrimet që rrjedhin nga nënshkrimi i një sërë dokumentesh ndërkombëtare, ku përfshihet dhe Deklarata e përbashkët e Ministrave të rajonit në forumin IDAHO 2015.
Pavarësisht miratimit të PKV-së, ka nisur një debat i gjerë publik për një ndryshim të mundshëm në Kushtetutë, i cili do të shtojë në nenin 18 të Kushtetutës, pika 2 se ndër të tjerat, diskriminimi ndalohet edhe për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, një ndryshim i propozuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi dhe i rekomanduar edhe nga Bashkimi Europian në progres-raportin e vitit 2015-të[3]. Debati publik, i cili ka përfshirë edhe deputetë dhe anëtarë të shoqërisë civile, argumenton se ky ndryshim në kushtetutë i hap rrugën lejimit të martesave brenda të njëjtës gjini. Për momentin, qeveria shqiptare (përfshirë MMSR) është angazhuar të përforcojë legjislacionin në mbrojtje të dinjitetit dhe kundër diskriminimit, në përputhje me dokumentet dhe konventat ndërkombëtare ku merr pjesë dhe duket se ndryshimi nuk ka funksion tjetër të dyfishtë, që mund të lidhet me lejimin e martesave brenda të njëjtës gjini. Në rast se qeveria shqiptare do të bënte një ndryshim të tillë do ti duhej të ndryshonte një sërë ligjesh të tjera, përfshirë edhe Kodin e Familjes, ku sipas nenit 7 të Kodit të Familjes, “martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje”. Megjithatë, në kushtet kur ekzistojnë ende praktika të pabarazitë dhe mungesës së të kuptuarit të të drejtave të njeriut të personave LGBTI në shoqëri, ndryshime të tilla ligjore do të kishin shkallë të ulët implementimi dhe do të mund të prodhonin efekte të kundërta me qëllimin parësor të ligjit. Prandaj rekomandohet, që para se të ndodhin ndryshime të tilla strukturore, ka nevojë të shihen rezultatet e fushatave të ndërgjegjësimit dhe edukimit të shoqërisë në këtë drejtim.
[1] Artikull mbi fushatën sensibilizuese të MMSR-së në Lushnje: http://www.ata.gov.al/autobusi-une-mbroj-femijet-ne-lushnje/
[2] Për më tepër, shih debatin televiziv në emisionin Top Story:: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=327033
[3] Komisioni Europian, Progres Raporti 2015 për Shqipërinë fq, 16. Aksesuar për herë të fundit më http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2015/20151110_report_albania.pdf