1- Ekonomia; Optimistë për çfarë dhe statistikat e kujt?
Më 21 Maj, gjatë seancës plenare në Parlament, ministri Ahmetaj deklaroi se “Viti 2014, referojuni statistikave (?) dhe këtu i drejtohem qytetarëve, është viti i parë që ka afruar një rritje të vendeve të punës 9 për qind, vende të reja pune, 9 për qind. Është viti i parë në historinë 22 vjeçare”.
Nuk dihet për cilat statistika e ka fjalën ministri, sepse statistikat zyrtare për vitin 2014 thonë se “Krahasuar me vitin pararendës punësimi është rritur me 1,3 %” dhe jo me 9% sikurse u shpreh drejtuesi i dikasterit të Ekonomisë.
Sa për tregtinë, ministri tha se “eksporti u rrit vitin e kaluar 3.8 për qind. Do të thotë që struktura prodhuese e Shqipërisë është duke u konsoliduar dhe duke e shtuar masën e eksportit dhe vlerën e eksportit”.
Në këtë rast ministri është treguar i saktë lidhur me satistikën, por vështirë të thuhet me kaq siguri se struktura prodhuese është në forcim, sepse duhet thënë gjithashtu se në vitin 2014 pati një rritje vjetore prej 6,7 % në importe dhe defiçiti tregtar u rrit rreth 9,4 %.
Eksportet, të cilat ministri i pa me shumë optimizëm, në të vërtetë për vitin 2014 mbuluan 46,3 % të importeve, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte 47,6 %. Me siguri kjo tregon një dobësi të eksporteve karshi importeve, çka reflektohet edhe në përkeqësimin e defiçitit tregtar.
Duke qëndruar tek eksportet, në muajin Prill 2015 eksportet e mallrave u ulën gjithashtu me 10,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 7,8 % në krahasim me Mars 2015. Në muajin Prill 2015 edhe importet e mallrave u ulën me 2,0 % në krahasim me Prill 2014 dhe 2,2 % në krahasim me Mars 2015. Defiçiti tregtar i këtij muaji u rrit me 6,5 % krahasuar me Prill 2014 dhe 3,3 % në krahasim me Mars 2015.
Këta tregues kanë qenë gjithnjë negativë për tregtinë e Shqipërisë që prej fillimit të vitit, ndaj duket pa vend që të flitet për situatën tregtare me tone optimiste, duke shkuar shumë përtej realitetit.
Duke cekur sipërmarrjen dhe investimet në vend, ministri dha një lajm të mirë se “…në Këshillin e Ministrave u bë kontrata e 15-të me 1 Euro. Minimalisht 120 vendeve të reja pune në Berat. Në zona të cilat janë akoma jashtë aksit kryesor të zhvillimit ekonomik ka lule që çelin me 120 vende pune”.
E parë kështu krijohet ideja se investimet e huaja dhe sipërmarrja në vend lulëzon. Por fatkeqësisht nuk është kështu. Sepse janë të këtij muaji edhe lajme mjaft të këqija, si për shembull mbyllja e të vetmes kompani industriale gjermane që operonte në Shqipëri, apo kompania farmaceutike GlaxoSmithKline që ka bërë publik vendimin për të kufizuar përfaqësinë në Shqipëri. Pa harruar se kompania e prodhimit të mobilieve F.P.M sh.p.k e ka zhvendosur aktivitetin në një zonë të lirë në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, zëri mjete në Investimet Direkte, i cili nënkupton flukset dalëse të investimeve direkte arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro të një viti më parë.
Ndaj shtrohet pyetja: çfarë janë 120 vende pune të hapura në Berat, karshi “eksodit” të një kapitali të tillë?
Në të njëjtën kohë kur në muajin Prill 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2,3 %, qeveria uli edhe ndihmën ekonomike për të papunët dhe shtresat në nevojë me 2,66 mld lekë. Një veprim i tillë nuk është aspak prej qeverie të majtë, por prej një ekzekutivi që bën interesin e kredidhënësve të mëdhenj, për të shlyer këstet e borxheve të tyre. A krijohet një ide e përgjithshme në këtë pikë se cilat mund të jenë shkaqet strukturore të ekonomisë shqiptare që i detyrojnë njerëzit të marrin rrugët drejt Europës?!
2- Dhe sa para duhen shpërdoruar që ta rikthejmë turizmin në binarë?
Po më 21 maj, ministri Ahmetaj pati edhe një takim me operatorë turistikë shqiptarë, të cilëve iu shprehu bindjen se “viti 2015 është viti më i mirë për turizmin, është më i miri për turistët, është më i miri për mikpritësit që jeni ju, që janë strukturat akomoduese, hotelet apo resortet…”.
Nuk është dakord me një pikëpamje të tillë Këshilli Botëror i Turizmit, sipas të cilit kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto nga ana e turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit. Le të shpresojmë që ky këshill të ketë statistika të gabuara dhe jo të “sakta” si ato që përdor zakonisht ministri.
Mbase edhe Forumi Botëror Ekonomik mund të ketë shifra të gabuara që nuk është kaq optimist, sepse sipas raportit të Konkurrueshmërisë Udhëtimeve dhe Turizmit 2015, ai e nxjerr Shqipërinë në vend të fundit në rajon, mes të cilëve Kroacia renditet në vend të 33-të, Mali i Zi në vendin e 67-t-të, Maqedonia (nuk ka det) në vendin e 82-të dhe po para vendit tonë në listë është edhe Serbia (që nuk laget nga deti) e cila renditet e 95-ta, ndërkohë që Shqipëria është në vendin e 106 nga 141 Shtete.
Por le të vijmë te shifrat e institucioneve tona zyrtare, të cilat gjithashtu nuk paraqesin një situatë kaq të ndritur. Shqipëria për 2014-n pati rreth 400 mijë turistë më shumë se 2013-a, por kjo rritje është gjithsesi më e ulët se rritja progresive që pati vendi nga viti në vit që prej 2010-s e në vazhdim, pa llogaritur vitin 2013, i cili pas mëse një dekade me rritje, qe i vetmi vit që shënoi ulje në prurjet turistike në vendin tonë.
Hyrjet e shtetasve të huaj në pikat kufitare në periudhën kohore 2005-2014 janë rritur mesatarisht 19,9 % në vit, ndërkohë që viti i fundit ka qenë goxha nën këtë mesatare, duke u ndalur në 12.8%. Dhe të mendosh që krahasohet me vitin 2013, vitin absolutisht më negativ të dekadës së fundit. Sepse po të krahasohej me 2012-n, rritja është vetëm 4.5%.
Çfarë po ndodh që ritmi mesatar i rritjes turistike në Shqipëri po has në një rënie të ndjeshme, kur dihet se sipas OBT-së turizmi në nivel botëror do të rritet me 50% në më pak se 20 vite? Pse pikërisht kjo rënie po ndodh pas ardhjes së qeverisë së re? Mos vallë për shkak të dëmit ekonomik prej 92 mln lekësh nga buxheti prej rreth 600 milionësh që i është shkaktuar Shtetit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT)? Nga kjo e fundit pritet që të promovojë turizmin dhe jo t’i përdorë fondet për akomodim Miss-esh nëpër hotele dhe për të mbajtur goma dhe motorë garash në magazinat e saj, çka nuk ka kurrfarë lidhje me promovimin turistik. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kallëzuar në Prokurori për disa vepra penale drejtuesen e këtij institucioni dhe ka rekomanduar shkarkimin e saj, ndërkohë që për një gjë të tillë nuk ka patur asnjë marrje masash administrative nga eprorët e saj shtetërorë.
Mbase mirëpërdorimi i 92 mln lekëve çdo vit për 4 vjet mund të mos bënte çudira turistike, por të paktën mund të na largonte nga vendet e fundit të konkurrueshmërisë dhe të na rikthente në ritmet normale të mesatares vjetore të prurjeve turistike, gjë që padyshim është detyrë e atyre që promovojnë turizmin, të cilët përkundrazi, përveç këtij dëmi, kanë shpenzuar kuturu edhe qindra milionë lekë të tjera për panaire pa kritere matjeje dhe pritshmërie, sikurse kemi shkruar fillimisht në APPA muajt e mëparshëm, përfundim në të cilin më pas doli me të drejtë edhe vetë KLSH në raportin e saj mbi AKT.
Referime:
- Revista Monitor, 07.05.2015,
http://www.monitor.al/raporti-i-konkurrueshmerise-se-turizmit-shqiperia-e-fundit-ne-rajon/ - Ministria e Ekonomisë 21.05,2015,
http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/viti-2015-me-i-miri-per-turizmin-ligji-dhe-paketa-e-turizmit-nxitje-per-investimet-e-huaja-ne-sektor&page=1 - Ministria e Ekonomisë, 21.05.2015,
http://www.ekonomia.gov.al/al/neësroom/lajme/ekonomia-qe-rimekembet-me-reforma-te-thella-ne-cdo-sektor-punesimi-ne-2014-u-rrit-9&page=1 - Instituti i Statistikave, “Shqipëria në Shifra”
http://www.instat.gov.al/media/294266/shqiperia_ne_shifra_2014.pdf - Revista Monitor, 25.05.2015,
http://www.monitor.al/keshilli-boteror-i-turizmit-2015-a-viti-me-renie-per-turizmin-shqiptar/ - Gazeta Mapo, 30.04.2015,
http://www.mapo.al/2015/04/shqiperise-i-largohet-kompania-e-vetme-industriale-gjermane - Gazeta Mapo, 17.05.2015,
http://www.mapo.al/2015/05/qeveria-ul-ndihmen-ekonomike-2-66-mld-me-pak - Revista Monitor, 15.04.2015,
http://www.monitor.al/eksodi-i-kapitalit-debate-per-transferimin-e-bizneseve-vendase-jashte-shtetit/ - Kontrolli i Lartë i Shtetit,
http://www.klsh.org.al/web/pub/per_publikim_akt_1820_1.pdf