
Flutura Gjana
1- U kujtuan për Aeroportin e Kukësit
Më 8 maj Ministri Haxhinasto ka inspektuar Aeroportin e Kukësit. Ku është shprehur se: “aktualisht jemi në fazën përfundimtare të negociatave për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare të Aeroportit të Tiranës, që përfshin vënien e menjëhershme në punë të Aeroportit të Kukësit, pas disa ndërhyrjeve për ta bërë atë funksional.”
Rikujtojmë se Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak se qeveria shqiptare e kohës kishte pranuar të firmoste për të dhënë me koncesion aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, për periudhën 20-vjeçare 2005-2025. Kontrata heq mundësinë për të pasur një aeroport të dytë alternativ, sepse koncesionari gjerman HOTCHIEF ka rreze operimi 250 km. Nëse shteti ndërton një aeroport të dytë brenda kësaj rreze, atëherë çdo avion ndërkombëtar që operon në aeroportin e dytë duhet t’i paguajë taksë dhe aeroportit të Tiranës. Aktualisht shqiptarët fluturojnë me një kosto ekstra.
Vetë autoriteti i konkurrencës i cili ka për detyrë të kryejë analiza ekonomiko-financiare dhe hetime për identifikimin e praktikave anti-konkurruese, marrëveshjeve kartelë që dëmtojnë, kërcënojnë, rrezikojnë të shtrembërojnë konkurrencën apo të krijojnë ose të forcojnë pozitën dominuese, mund ta rrëzonte Monopolin e Rinasit me kohë pa pasur nevojë për negociata. Ku qëndron problemi? Pse autoritetet nuk kryejnë funksionin që kanë?
Është folur për negociata përgjatë viteve duke filluar me një takim mes Ministrisë së Transportit të ish-qeverisë Berisha dhe kompanisë koncesionare Tirana Aeroport Partners, e duke vazhduar me negociatat mes Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës të qeverisë Rama. Qëllimi i takimeve ka qenë që të arrihej në një marrëveshje për të vënë në punë aeroportin e Kukësit. Vështirë të besohet që kaq papritur Rinasi do të heqë dorë nga të gjitha “të mirat” që i sjell pozicioni monopolist në treg.
Duket sikur Aeroporti i Kukësit po përdoret si objekt fushate elektorale, ku premtohen që do të hapen vende pune e do të rrisin mirëqenien e kësaj zone. Urojmë të mos mbetet një nga premtimet e shumta gjatë ceremonive elektorale që veniten pas datës së zgjedhjeve.
Ekspertët shpjegojnë se Kukësi ka shumë pak gjasa që të zhvillohet si aeroport duke pasur parasysh zhvillimet e një dekade. Për të mos harruar që një rrezik për Aeroportin e Kukësit është vënia në funksionim i Aeroportit të Gjakovës, pro të cilit Mimoza Kusari po lobon shumë së fundmi. Nëse Gjakova e hap aeroportin para atij të Kukësit, shanset se do të ketë fizibilitet pozitiv për të funksionuar, janë minimale.
Duke besuar që “Aeroporti i Kukësit” nuk do të jetë thjesht një premtim gjatë periudhës elektorale, i lutemi Ministrit Haxhinasto t’i përshpejtojë këto negociata.
2- Anullim loje
Të shtunën e parë të muajit maj Ministri Haxhinasto ka inspektuar punimet e ndërtimit të by-pass-it të Rrogozhinës. Ai ka kërkuar rivlerësim të projektit, ndryshim të tij dhe më tepër nënkalime në by-pass-in e Rrogozhinës në shërbim të qytetarëve. Është Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka autorizim për të shikuar mundësitë e shtesave të nënkalimeve, për të mos krijuar asnjë pengesë për aktivitetin ekonomik të zonës.
Ky Bypass është shumë i rëndësishëm për rrjetin rrugor, me një gjatësi 4.7 km, krijon një lëvizshmëri shumë të mirë për aksin veri-jug të Shqipërisë, që do t’i shërbejë të gjithë aktivitetit ekonomik të kësaj zone. Projekti ka kushtuar 5 689 855,55 EUR dhe tenderi është fituar nga kompania Impresa Prevedello Isidoro S.r.l. Punimet duhet të zgjasin 18 muaj.
Nuk kemi asnjë detaj se ku bazohet Ministri për të marrë këtë vendim për ndryshim të projektit. Cilat janë kostot që do të sjellin këto ndryshime? Sa vonesa do të sjellin këto ndërhyrje? A është normale që të ndryshohet një projekt, i cili është drejt përfundimit të tij. Pse u zgjodh kjo kompani fituese e tenderit në qoftë se nuk kishte specifikat e duhura teknike (si psh. numrin e duhur të nënkalimeve) që kërkonte Ministri në projektin e saj?
3- Meta dhe Haxhinasto, një shëtitje me tren
Ministri Haxhinasto i shoqëruar nga Ministri Koka dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, më 26 maj kanë bërë një shëtitje me tren për të inauguruar stacionin e ri të trenit në Kashar.
Inaugurimi konsiston në rikonstruktimin e disa vagonëve. Qëllimi i përdorimit të transportit hekurudhor është për shpejtësi më të lartë dhe kosto më të ulët krahasuar me transportin rrugor. Cilën nga këto dy avantazhe na ofron shërbimi hekurudhor? Pse duhet një qytetar të marrë autobus për të shkuar deri në Kashar dhe më pas të marrë trenin nga Kashari për në Durrës. Kohëzgjatja e udhëtimit me tren për të arritur në destinacion (konkretisht në Durrës) do të jetë më e gjatë se të udhëtosh me makinë.
Një qytetar për të shkuar në Tiranë duhet të shpenzojnë 70 lekë për biletën e trenit deri në Kashar dhe 30 lekë për biletën e autobusit Kashar – Tiranë, pra në total rreth 100 lekë. Për të udhëtuar me autobus për në qendër të Tiranës qytetari sot duhet të paguajë 150 lekë. Por komoditeti dhe kohëzgjatja që ofron udhëtimi me tren nuk i jep avantazh.
Është qesharake të mendosh që mund të rivitalizohet hekurudha shqiptare me këto pak fonde që janë vënë në dispozicion për të. Duhen studime të detajuara për të gjetur projektin më të përshtatshëm të shoqëruar me analizën kosto–përfitim.
Edhe në këtë rast vihet re vazhdimësia e ideve provinciale të inaugurimit të sa më shumë projekteve fasadë në prag të zgjedhjeve, kjo tregohet dhe me praninë e pakuptimtë të kryetarit të Kuvendit, zotit Meta.
Referenca
- Artikull: Ministri Haxhinasto inspektoi disa nga veprat e rëndësishme të qytetit të Kukësit.
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-haxhinasto-inspektoi-disa-nga-veprat-e-rendesishme-te-qytetit-te-kukesit-dubimi-urave-te-kukesit-aeroportin-e-kukesit-dhe-ujesjellesin-e-qytetit&page=1 - Artikull: Reagim i MTI për deklaratat për Aeroportin dhe Ujësjellësin e Kukësit http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/reagim-i-mti-per-deklaratat-per-aeroportin-dhe-ujesjellesin-e-kukesit&page=1
- Artikull: Gjetjet e emisionit “ Të Paekspozuarit”, intervista ekskluzive e Rolf Castro Vasquez, Administrator i Aeroportit të Rinasit
https://www.youtube.com/watch?v=9x9UzRfHuYg - Artikull: Meta: Aeroporti i Kukësit do nisë nga puna, punësohen 250 kuksianë http://www.mapo.al/2015/05/meta-aeroporti-i-kukesit-do-te-hape-500-vende-pune-ne-dy-vjet
- Artikull – Ndryshim projekti, më tepër nënkalime në by-pass-in e Rrogozhinës në shërbim të qytetarëve http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-haxhinasto-ndryshim-projekti-me-teper-nenkalime-ne-by-pass-in-e-rrogozhines-ne-sherbim-te-qytetareve
- Artikull – Works for the construction of the Rrogozhina bypass, Albania | European Union http://com.mercell.com/39470273/works-for-the-construction-of-the-rrogozhina-bypass-albania.aspx?version=2&lcid=1033
- Artikull – Z. Ilir Meta dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto marrin pjesë në inaugurimin e stacionit hekurudhor në Kashar
http://www.transporti.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-haxhinasto-ndryshim-projekti-me-teper-nenkalime-ne-by-pass-in-e-rrogozhines-ne-sherbim-te-qytetareve