![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Adela-240x300.jpg)
Adela Danaj
1- ALARM! Durrësi ka 25 vjet që “noton” në pisllëk
Këtë muaj Ministria e Shëndetësisë, ashtu sikurse çdo muaj tjetër ka publikuar në faqen e saj zyrtare një pjesë të aktiviteteve apo iniciativave që ka ndërmarrë gjatë muajit Maj me qëllim informimin e qytetarëve. Por ky është muaji i pestë që APPA monitoron pothuajse çdo ditë lajmet që raporton ministria në fjalë dhe nuk ka konstatuar në asnjë moment të vetëm ndonjë shqetësim që ngre ministria apo ministri në lidhje me ndonjë problematikë të caktuar që prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, jo më larg se më 25 Maj, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar në faqen e saj zyrtare lajmin që lidhet me dezinfektimin e plazhit të Durrësit, duke theksuar se ky i fundit kishte plot 25 vite që nuk i nënshtrohej një procedure të tillë, të detyrueshme minimalisht dy herë në vit, një herë përpara fillimit të sezonit turistik dhe një herë pas mbylljes së këtij sezoni. Ky lajm tingëlloi familjar, pasi jo më larg se më 22 Maj, të njëjtën iniciativë e ndërmori dhe për qytetin e Tiranës, që do të thotë se ministria në fjalë ka filluar të kontribuojë për fushatën zgjedhore në lidhje me zgjedhjet vendore që do të ndodhin së shpejti në Shqipëri, nëpërmjet aktivitetit të saj.
Ashtu sikurse mund të ishte parashikuar, pranë Ministrit Beqaj, gjatë një momenti teksa inspektohej procesi, ndodhej dhe Kryetari aktual i Bashkisë së qytetit të Durrësit, Z.Vangjush Dako, i cili është njëkohësisht dhe kandidati për kryebashkiak i këtij qyteti, duke garuar për mandatin e tij të tretë për këtë pozicion. Ashtu sikurse u përmend dhe pak më lart, Shqipëria është më pak se një muaj larg zgjedhjeve vendore dhe duke qenë se momentalisht gara elektorale ka nisur, është e kuptueshme që Z. Dako do të shfrytëzojë çdo mundësi për të rimarrë votat e qytetarëve. Megjithatë, ky raport nuk ka si qëllim të analizojë fushatën e Z. Dako, por t’i kërkoj llogari ministrit aktual Beqaj. Ky i fundit në vend që t’i “rrihte supet” kryebashkiakut durrsak, do të bënte mirë t’i kërkonte llogari mbi gjendjen e plazhit të Durrësit, nga pikëpamja e higjienës dhe për rrjedhojë garancisë së shëndetit të qytetarëve durrsakë, por edhe turistëve që vizitojnë qytetin kryesisht gjatë sezonit të verës.
Ministri ndoshta tregohet i pakujdesshëm kur pohon se ky qytet ka plot 25 vite që nuk i nënshtrohet procesit të dezinfektimit, pasi harron që kandidati për Kryetar Bashkie, me të cilin po ndan këtë eksperiencë, ka plot 6 vite që udhëheq Durrësin. Duhet të kujtojmë që qyteti i Durrësit ka qenë një nga qytetet që ka pritur numrin më të madh të vizitorëve gjatë sezonit turistik të verës ndër vite, ndërsa sot nuk mund të pohojmë një gjë të tillë duke qenë se jo vetëm infrastruktura në zonat e plazhit por kryesisht ndotja e mjedisit, e cila gjeneron sëmundje infektive pa fund gjatë këtij sezoni, ka qenë një nga arsyet kryesore të pakësimit të numrit të turistëve apo vetë qytetarëve durrsakë, të cilët gjithmonë e më shumë po preferojnë të largohen nga qyteti për pushimet e tyre verore.
Ky studim do të dëshironte të shkonte më tej, duke realizuar një analizë krahasuese në lidhje me numrin e turistëve që ka patur ky qytet 10 vite më parë dhe sa ka ndryshuar ai gjatë kësaj periudhe. Por, as Bashkia e Durrësit, as Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe asnjë institucion tjetër shtetëror nuk e posedonte një informacion të tillë, të paktën të publikuar. Ndaj, APPA, ka vendosur t’i shkoj deri në fund kësaj çështje duke dërguar një kërkesë zyrtare pranë çdo institucioni përgjegjës në lidhje me këto shifra, të cilat do të na ndihmonin shumë për të njohur më nga afër situatën. Nuk duhet mohuar që numri i faktorëve që ka ndikuar në largimin e turistëve nga ky qytet është i madh, por ne besojmë fort se mungesa e higjienës është dominante në këtë vendim, ndaj pretendojmë që Ministria e Shëndetësisë të mos mbështesë nisma të tilla vetëm në periudhë fushate, siç ndodh zakonisht në Shqipëri, por ta ketë çështje të ditës gjithmonë e më shumë shëndetin e qytetarëve të saj.
2- A po kthehet përurimi i pajisjeve spitalore në normë?
Zyra e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo), ka dhuruar një fond prej 800 mijë eurosh, në mënyrë që të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve mjekësore në Tiranë. Në fakt, kjo zyrë, nëpërmjet faqes së saj zyrtare raporton se ka realizuar një marrëveshje me Ministrinë e Financave në Shqipëri gjatë muajit Mars të këtij viti, vlera arrin shifrën e 2.5 milion eurosh, shpërndarja e të cilave do të kryhet midis 14 ministrive sipas nevojave që ato kanë. Në kuadër të kësaj marrëveshje Ministria e Shëndetësisë ka përfituar një fond prej 800 mijë eurosh. Nëpërmjet këtyre parave, Qendra Shëndetësore të Specialiteteve nr. 2 në Tiranë, e cila mbulon 1/3 e popullatës së kryeqytetit, u pajis me pajisjet e reja të radiologjisë dhe dy ECHO. Ashtu sikurse ministrat tanë e kanë zakon edhe këtë rast nuk mungoi përurimi i pajisjeve të reja. Duket sikur ky lloj fenomeni po kthehet në një normë në shoqërinë Shqiptare. Natyrshëm lind pyetja: A kryen ndonjë mision Ministria e Shëndetësisë përveç se të inaugurojë pajisjet spitalore sa herë që i shfaqet rasti?
Ajo që të tërheq më tepër vëmendjen në këtë inaugurim, është gjuha që përdor ministri. Gjatë prezencës së tij në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 2, ai nuk ngurroi të përsërisë disa herë sloganin e kandidatit për Kryetar Bashkie në Kryeqytet, duke perifrazuar: “Vijon puna për përmirësimin e Kujdesit Parësor, jemi në drejtimin e duhur!”
Kushdo prej nesh shpreson shumë që të jemi në drejtimin e duhur, por nuk e gjejmë aspak me vend përdorimin e sloganeve të personalizuara, për një kauzë të caktuar siç është rasti në fjalë (zgjedhjet vendore), aq më tepër kur përdoren gjerësisht nga një ministër i cili përfaqëson të gjithë shoqërinë dhe mbi të gjitha ka detyrim moral dhe ligjor të mbrojë çdo qytetar, qoftë apo jo i krahut të tij politik. Ky raport e konsideron të patolerueshëm shfrytëzimin e postit ministror apo më keq akoma aktiviteteve ministrore, në favor të kandidatëve të caktuar në një garë elektorale.
Referenca:
- Ministria e Shëndetësisë. Maj 2015. Durrës, Pas 25 vjetësh nis dezinsektimi i plazhit të Durrësit. http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/durres-pas-25-vjetesh-nis-dezinsektimi-i-plazhit-te-durresit
- Cooperazione Italiana allo Sviluppo. Mars 2015. Albania-Italia: Programma di conversione del debito, aggiudicati 6 progetti për un totale di 2,5 milioni di euro. http://www.cooperazioneallosviluppo.esteri.it/pdgcs/index.php?option=com_content&view=article&id=12393:28-05-2015-albania-italia-programma-di-conversione-del-debito-aggiudicati-6-progetti-per-un-totale-di-2-5-milioni-di-euro&catid=8:news&Itemid=515
- Ministria e Shëndetësisë. Maj 2015. Përurohen pajisjet e reja në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë. http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/perurohen-pajisjet-e-reja-ne-polikliniken-e-specialiteteve-nr-2-ne-tirane