![Jona Hoxhaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Jona-235x300.jpg)
Jona Hoxhaj
1- Ditët e punës pa punë!
Nuk kishin kohë të humbnin me Ministrinë sepse prioritet kishin fushatën! Gjatë muajit maj, jo vetëm MMSR-ja, por e gjithë qeveria kanë drejtuar sytë, veshët dhe punën drejt tërheqjes së elektoratit, mbarëvajtjen së fushatës dhe fitoren e kërkuar me çdo kusht në zgjedhjet për qeverisjen lokale të Tiranës e bashkive të tjera të rëndësishme. Partia Socialiste, me në krye Kryeministrin po lobojnë për kandidatët e tyre duke lënë anash problemet me të cilat populli po përballet, ata vazhdojnë me paradat e tyre nëpër qytete dhe me “refrenet” e preferuara të premtimeve që asnjëherë nuk përmbushen. Për t’iu kthyer MMRS-së, duke monitoruar dhe gjykuar faktet në media, në Web faqen zyrtare të MMRS-së dhe në Facebook mund të konkludohet se Ministria e Mirëqenies ka qenë aktive përgjatë 18 muajve të kaluar me evente dhe aktivitete të ndryshme, por nuk ndodhi kështu gjatë muajit Maj. Mediat nuk kishin lajme për ta, në Parlament nuk u diskutua për programet e kësaj Ministrie dhe Web faqja e tyre zyrtare nuk ka qenë ndonjëherë më pasive se këtë muaj! A thua edhe punonjësit i kanën marrë pagat e shkurtuara, meqë punuan shumicën e orareve “vullnetarisht” për fushatën e “Drejtimi-t të Duhur”…?
Nga ana tjetër gjithë muajin maj MMRS-ja ishte dhe pa Ministër, në datën 21.05.2015 Blendi Klosit iu besua kjo detyrë. MMRS-ja përveç se shumë e përfolur në vetvete përmbledh dhe disa problematika dhe mospërmbushje planesh për 18 muajt e kaluara të menaxhimit të Z. Veliaj, i cili uroi përzemërsisht pasardhësin e tij. Z. Klosi, që pasi mbushi javën e parë të tij në këtë detyrë duket se nuk po arrin të marrë vëmendjen e punonjësve të tij, pasi ata janë “shumë të zënë” me organizimin e fushatës së ish-Ministrit të tyre, të cilin sigurisht e ndihmojnë “vullnetarisht”.
Gjatë muajit në portalet e mediave u publikua një email i denoncuar nga Z.Gjergj Bojaxhi, i dërguar me email-in zyrtar të Z. Dritan Dango, që është këshilltari për Marrëdhëniet me Parlamentin në MMRS, ku ky i fundit ftonte njerëzit të merrnin pjesë në takimin elektoral të Erion Veliaj-t me banorët e lagjes Don Bosko. A e di Z. Dango që paguhet me paratë që shqipëtarët ndajnë nga pagat e tyre modeste për të paguar taksat? A e di Z.Dango që është punonjës në një institucion ku përfaqëson të majtë e të djathtë të këtij populli, pa dallim? Mbi të gjitha Z. Dango besoj duhet të jetë shumë koshient që në datën 26.05.2015 kur emaili u dërgua, kishte Z. Klosi “shef” dhe jo Z. Veliaj, të cilit i ka qëndruar me sa duket shumë besnik duke iu gjendur në çdo hap në gatishmëri për shërbime ndaj fushatës…
2- Përsëri të fundit në listë…
Tani kemi dhe koston më të ulët për orë pune në rajon dhe në BE! INSTAT në fillim të muajit Maj ka publikuar Raportin e Kostos së Punës që nxorri “rezultate të dhimbshme” duke rankuar përsëri Shqipërinë të fundit, me koston më të ulët për orë pune në rajon dhe në krahasim me vendet e BE-së. 314 lekë është kostoja mesatare për orë punë për të punësuarit me kohë të plotë. Lista kryesohet nga aktivitetet financiare dhe sigurimet që paguajnë 545 lekë për orë pune.
Nga ky rezultat mund të themi se punëtorët në Shqipëri paguhen me kosto modeste dhe nuk kanë mundësi të kenë mirëqenie, gjë e cila nuk korrespodon me atë që na është servirur nga MMRS-ja gjatë gjithë kësaj kohe!
Sikur nuk mjaftoi gjithë kjo gjendje varfërie dhe migrimi i vazhdueshëm, së fundmi qeveria vuri në praktikë, shkurtimin e ndihmave ekonomike me 2.66 mld më pak. Ish-Ministri Veliaj pati deklaruar se do bëjë spastrimin e listave nga abuzuesit, por në fakt gërshërët në këtë fond thellojnë edhe më shumë varfërinë e popullsisë. Replikat për këtë vendim vazhduan dhe në mbledhjen e Parlamentit nga Z. Ben Blushi, duke gjykuar që qeveria po dëmton të varfrit dhe shtresat e mesme duke favorizuar të pasurit.
Presidenti i Republikës Z. Nishani gjithashtu vuri theksin tek arsyet ekonomike për largimet masive të shqiptarëve nga vendi. Duke shprehur shqetësimin e tij dhe duke e quajtur këtë shqetësim kombëtar, i cili dëmton integritetin e vendit.
Referenca
- INSTAT. Maj 2015. Raporti i Kostos së Punë
http://www.instat.gov.al/al/publications/librat/2015/anketa-e-kostove-t%C3%AB-pun%C3%ABs-2013.aspx - Ministria e Drejtësisë. Maj 2015. Zgjedhjet vendore. Plani i masave për rritjen e sigurisë.
www.Mapo.al - Maj 2015. Shkurtimet e ndihmave ekonomike
http://www.mapo.al/2015/05/qeveria-ul-ndihmen-ekonomike-2-66-mld-me-pak
http://shqiptarja.com/sociale/2750/ministri-veliaj-hoqem-abuzuesit-nga-skema-e-ndihmes-ekonomike-258441.html - Top Channel. Maj 2015. Blendi Klosi zë vendin e Erion Veliajt
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=299769 - TV Klan. Maj 2015. Migrimi shqetësim kombëtar
http://tvklan.al/10-mije-azilkerkues-ne-be-ne-4-muajt-e-pare-te-2015-kthehen-5-mije/
http://tvklan.al/nishani-largimi-po-demton-integritetin-e-vendit/