1- Po the Gjirokastër i ke thënë të gjitha
Në morinë e aktiviteteve të shumta, publikimeve dhe daljeve mediatike që vijnë nga Ministria e Kulturës në këtë muaj spikat një ndër ngjarjet e shënuara siç ishte “Festivali Folklorik i Gjirokastrës”. Gjatë Muajit Maj u zhvillua edicioni i nëntë i këtij festivali. Një ngjarje e shumëpritur për shumë artistë të Folklorit Shqiptar të cilët e konsiderojnë një mundësi të mirë për promovimin dhe evidentimin e vlerave tona kulturore kombëtare. Por çfarë është ky festival dhe si është zhvilluar ndër vite?
Festivali Folklorik Kombëtar
Për herë të parë Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar në vitin 1968, në kalanë e Gjirokastrës. Në të morën pjesë të gjitha rrethet e vendit. Edicioni i dytë i festivalit u realizua pas pesë vjetësh, përkatësisht në vitin 1973, për të vijuar më pas në vitet; 1978, 1983, 1988, po në kalanë e Gjirokastrës. Në festivalin e vitit 1973, në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 artistë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 mbartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit. Në vitin 1995, Festivali Folklorik i Gjirokastrës u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij, çmimet janë ndarë për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. Në vitin 2004 Festivali Folklorik u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri në 5 tetor. Për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2009 në Gjirokastër. Në vitin 2015 zhvillohet edicioni i dhjetë.
Për vetë Ministrinë e Kulturës dhe për Publikun Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës zhvillohet një herë në pesë vjet. Ai është eventi (ose monumenti..) më i madh i Trashëgimisë Jomateriale. Është i vetmi event kulture ku marrin pjesë e përfaqësohen, në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike.
Përgatitjet për këtë edicion filluan që në vitin 2014, ku pati dhe shtyrje të datave të realizimit të Festivalit për arsye përgatitore nga Institucionet përkatëse dhe pjesëmarrësit, u vendosën datat 10-16 Maj 2015. Sipas konfirmimeve dhe informimit për publikun në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, festivali mbështetej dhe nga shumë ministri të tjera si Turizmi, Bujqësia, Arsimi, Mbrojtja, Rinia e Çështjet Sociale, madje edhe Ministria e Brendshme.
Partneri kryesor mediatik do të ishte Televizioni Publik Shqiptar dhe gazetarë shqiptarë e të huaj për të pasqyruar këtë event në një masë më të gjerë.
Festivali u zhvillua dhe zgjati 7 ditë sipas programit të caktuar të cilin e gjeni dhe ne ueb sajtin e Ministrisë së Kulturës. Sipas publikimeve në përmbylljen finale të aktivitetit mësojmë se në këtë Festival u përfaqësuan 12 qarqe të Shqipërisë nga data 10 deri 16 maj, më shumë se 1,700 konkurrues nga të gjitha gjinitë dhe nga të gjitha krahinat si dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë në garën e folklorit. Më shumë se 100 kostume u rindërtuan sipas teknikave të artizanatit autentik nga Ministria e Kulturës dhe u prezantuan në skenën e folklorit. Mbi 15 të ftuar specialë gjallëruan netët e festivalit dhe gjithë qytetin e Gjirokastrës.
Gjithashtu festivali u përshëndet nga grupe të ftuara nga Arbëreshët e Italisë, shqiptarët e SHBA-së, Zvicrës, Turqisë me rreth 100 artistë, të cilët sollën zërin e Diasporës shqiptare.
Dhe në natën finale përpos çmimeve vlerësuese standarde për pjesëmarrësit u ndanë edhe shumë çmime të tjera cilësuar s; çmime Karriere dhe Inkurajuese.
Në përfundim të këtij festivali është komunikuar se Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Folklorike, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, në vijim do të organizojnë Tryezën Post-Festival me karakter studimor për të nxjerrë në pah elementët që shquan në këtë Festival dhe për të krijuar një terren të favorshëm studimor për Folklorin shqiptar.
Sipas organizatorëve risia e këtij Edicioni mbetet programi me karakter multikulturor i cili synonte te sillte para publikut shpalosjen e vlerave të spikatura dhe gjallërimin e veprimtarive të reja artistike.
Por cili është produkti final i gjithë kësaj maratone folklorike? Shumë të ftuar e publiku u argëtuan duke parë, shpenzuan sa mundën, pjesëmarrësit u nderuan me një çmim si stimul dhe vlerësim për pjesëmarrjen. Nëse do të shihnim komente të ndryshme të qytetarëve në publikime të kësaj ngjarjeje në rrjete të ndryshme do të shohim se një pakënaqësi vjen për mospërfshirjen në vlerësim moral të grupeve nga diaspora të cilët janë përfshirë thjesht si grupe përshëndetëse në këtë festival. A nuk mund të gjendeshin dhe krijoheshin mundësi që të përfshiheshin edhe ata më të drejta të plota si pjesëmarrës, kjo në shenjë mirënjohjeje dhe motivimi për ti nxitur t’i ruajnë dhe pasqyrojnë vlerat tona kombëtare kudo që ata jetojnë, si grupe të një rëndësie të veçantë?
Komente të tjera gjejmë për pakënaqësi në cilësi teknike të funksionimit të audios dhe fonisë në transmetime live, mbi cilësinë e volumeve, toneve dhe zërave duke qenë se performanca ka qenë live në skenë.
Ndërsa nëse do të hidheshim në aspektin menaxherial të këtij Festivali nuk gjejmë të pasqyruar askund kostot dhe shpenzimet e kryera nga buxheti i kësaj Ministrie për të bërë një krahasim apo kuptuar me tepër rreth kostos dhe cilësisë së ofruar, sa e justifikojnë njëra-tjetrën, në mënyrë që të kuptojmë ku ka vend për përmirësime. Por nga informacione të publikuara gjatë muajve pasardhës nga media të ndryshme mësojmë se për këtë festival janë vënë në dispozicion 70 milionë lekë të reja (një shifër relativisht e konsiderueshme) për të cilat ende nuk dimë si janë shpenzuar në vija të përgjithshme. Ndërkohë që nëse do ti hidhnim një sy formatit të vetë festivalit mund të themi se mbetet në të njëjtat korniza që në kohërat e gjenezës së tij në sistemin e kaluar. Çka do të thotë që nuk gjejmë risi dhe koncepte bashkëkohore në organizim dhe programim e përftim nga kjo ngjarje kulturore, por i gjejmë thjesht duke imituar dhe aplikuar modele të gatshme të strukturuara për kohëra dhe nevoja të së shkuarës për popullsinë duke marrë parasysh vetë kushtet e jetesës dhe mungesën e shumë ngjarjeve kulturore apo të hapura për publikun i cili s’kishte me se ta mbushte kohën. Natyrisht, ndryshojnë materialet dhe teknologjia, të cilat kanë përparuar.
Prandaj jemi të mendimit se qëndron motoja dhe slogani i këtij eventi: Po the Gjirokastër i ke thënë të gjitha.
Shtatëdhjetë milionë lekë të reja për:
– Një festë si të gjithë të tjerat, pa ndonjë përfitim konkret, investim i hedhur pa menduar, pa risi dhe pa përfitime konkrete për pjesëmarrësit, kryesisht në interes të organizatoreve.
– (minimum) Asnjë CD e regjistruar me pjesët e luajtura në të nga artistët e folklorit të cilët i gjejmë shumë herë më rrallë në skenën kulturore, në publik.
– Asnjë përfaqësi e botës diskografike nga vende të tjera të interesuara në konservimin, riprodhimin dhe tregtimin e kësaj pjese të çmuar të kulturës sonë në tregun vendas apo të huaj.
– Asnjë kontratë e re në funksion të zhvillimit dhe promovimit të këtyre vlerave dhe veçanërisht artisteve që punojnë dhe investojnë në ruajtjen, zhvillimin dhe trashëgiminë e këtyre vlerave pa marrë vlerësimet e merituara nga subjektet private apo shtetërore, (por mbijetojnë).
– Asnjë simpozium mbi konventën e UNESCO-s, si vend pjesëmarrës dhe veçanërisht Gjirokastra vlerë e shtuar, pjesë e trashëgimisë botërore njohur nga UNESCO.
– Asnjë diskutim me Agjencinë Kombëtare/Ndërkombëtare të Turizmit.
– Asnjë marrëveshje në nivel ndërkombëtar për fituesit që të mund të përfaqësonin vendin tonë në evente apo kompeticione të kësaj natyre jashtë vendit.
Shumë para të shpenzuara për disa ditë argëtim, faleminderit Gjirokastër që na mblodhe.
Nëse do të trajtonim një tjetër aspekt në organizimin dhe funksionimin e këtij festivali, Ministria e Kulturës më tepër kuroi imazhin mediatik të këtij eventi e jo atë thelbësor që ka të bëjë me aspektin e vlerave, atë profesional, artistik, të traditës e zhvillimit të konservimit ndër breza.
Referenca
- http://www.shekulli.com.al/p.php?id=55328
- http://www.kultura.gov.al/al/neësroom/lajme/argjirofest-on-ne-datat-10-16-maj-2015&page=2
- http://www.kultura.gov.al/al/neësroom/lajme/argjirofest-on-festivali-kombetar-folklorik-gjirokastres&page=1
- http://www.panorama.com.al/festivali-i-gjirokastres-spektakel-me-olen-cezarin-e-rona-nishliun/
- http://koha.net/?id=4&l=52005
- http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/05/11/gjirokastra-ne-shpat-mali-tundet-nga-festivali/