1- Je suis #EUROPIAN?!
“Dita e Europës është një rast për të festuar, por edhe më tepër për të reflektuar” – në këtë mënyrë e ka filluar mesazhin e tij Komisioneri Europian Z. Johannes Hahn mbi Ditën e Europës, në të cilin rikujtoi, jo vetëm arsyet përse BE është krijuar, çfarë është arritur deri tani, por mbitëgjitha mbi sfidat që e presin dhe faktin që suksesi i projektit evropian nuk duhet të merret asnjëherë si i mirëqenë, por duhet të punohet vazhdimisht. Kjo ditë, që festohet gjerësisht nëpër Europë, konsiderohet si një nga simbolet europiane dhe është ideuar për të nxitur një ndjenjë solidariteti midis qytetarëve evropianë. Në të njëjtën frymë edhe Ministria e Integrimit ka organizuar disa aktivitete në qytetet e Beratit, Kukësit e më së fundmi Tiranës me sloganin “Unë jam evropian”, aktivitete të zhvilluara mesa duket me dhe për nxënësit e shkollave të mesme të këtyre qyteteve. Edhe Ministri i Integrimit, Znj. Gjosha dha disa fjalime e mesazhe në ato ditë, por që ndryshe nga i nderuari Komisioner, nuk kishin për qëllim nxitjen e reflektimit. Aktivitetet në fjalë, të rradhës për nga zbrazëtia në përmbajtje, në festime dhe në mesazhe, kaluan pa lënë në vëmendje publike asnjë gjurmë dhe arritën vetëm të tregojnë se sa larg së qeni një institucion evropian, serioz dhe i dedikuar është Ministria e Integrimit.
Në rradhë të parë sepse fjalimet e Znj. Gjosha, që i kemi mësuar përmendësh, vazhdojnë të jenë të tipit: “Ne jemi pjesë e Europës me qytetarë të përgjegjshëm. Ne jemi pjesë e Europës sepse jemi realisht evropianë, sepse Europa për ne është e ardhmja jonë, e zhvillimit të vendit dhe e fëmijëve tanë. Shpresoj që të shohim dhe të punojmë së bashku për një Shqipëri më të drejta të plota në Bashkimin Europian”. Është e pakët të themi se Europa nuk mendon si Ministri jonë i Integrimit dhe ne nuk kemi arritur ende të jemi qytetarë të përgjegjshëm apo qytetarë evropianë. Është pikërisht këtu që drejtuesit tanë zhgënjejnë sepse insistojnë ta mbajnë vendin nën një ligjërim që rrotullohet te përfitimet e të qenit evropian, te ideja se meqë ne e duam shumë Europën, ajo do na pranojë në gjendjen që jemi, tek ideja se vullneti politik për të hyrë në BE (vullnet i shprehur nga çdo qeveri e pas ’90-ës) prevalon mbi punën që duhet të bëjmë deri për të merituar hyrjen.
Mënyra se si inkurajohet ky ligjërim është duke shmangur reflektimin, duke shmangur të flitet për probleme të vërteta që pengojnë hyrjen në BE (siç është mungesa e konceptit të qytetarisë apo siç është braktisja e shkollës midis të rinjve apo akoma më keq, rritja e analfabetizmit midis shtresave që supozohet janë të arsimuara), duke shmangur të flitet për zgjidhjet konkrete që do t’u jepen këtyre problemeve e duke vazhduar me fraza që njihen në zhargonin e rrjeteve sociale si shprehjet Ndoka siç është “E drejta për tu arsimuar është e drejtë e çdo fëmije”(Ministri i Integrimit, Znj. Klajda Gjosha). Megjithatë, nuk mund të mos i japim të drejtë Znj. Gjosha, kur thotë se integrimi fillon nga skajet më të largëta të Shqipërisë sepse është gjendja në të cilën ndodhen këto skaje (të cilat i shfrytëzojnë vetëm për domethënie historike me raste festash) që tregon se sa larg të qenit evropian ne jemi. Integrimi duhet të fillojë prej tyre sepse në fakt integrimi i këtyre zonave as nuk ka filluar.
Ajo që do të evidentonim më tej është se këto aktivitete më shumë u ngjanin hapjes së fushatave elektorale (Jam e sigurt që bëhet fjalë për rastësi që kemi zgjedhjet lokale së shpejti!) me titullar e drejtues Ministrish që i linin podiumin njëri–jetrit për të treguar se çfarë ka bërë institucioni në fjalë. Për sa i përket të rinjve të shkollave të mesme, “të përzgjedhur” për të festuar Ditën e Europës për shkak se supozohet të jenë “qytetarët e ardhshëm evropianë”, u trajtuan nga Ministria e Integrimit me një aktivitet të vakët ku shërbyen si dekor dhe u “zbavitën” duke iu servirur nëpërmjet një aplikacioni, një pasaportë të rreme europiane. Nëse institucioni i Ministrisë së Integrimit do ishte aq shumë i investuar në edukimin dhe integrimin e të rinjve, atëherë, në vend të shpenzonte paratë e taksapaguesve me aplikacione ku luajmë sikur jemi evropianë, përse të mos organizonte një ekspozitë/ndërthurje aktivitetesh që të dëshmonin për qytetarinë, solidaritetin e historinë europiane dhe punën që kanë bërë për të arritur qytetërimin e sotëm.
Së fundmi, nëse titullari i Ministrisë së Integrimit drejton një institucion me standarde europiane dhe nëse janë këto standarde që e udhëheqin zyrtarin, personalisht, Znj. Gjosha do ishte duke koordinuar punën e këtij institucioni në vend që të fillonte prezantimin e kandidatëve të LSI në para-fushatën elektorale të zgjedhjeve të afërta lokale (Prezantim i cili, i zhvilluar në datën 1 Maj, ishte larg fillimit zyrtar të sanksionuar me ligj).
2- Problemi i largimeve masive të shqiptarëve
Largimi masiv i një pjese të popullsisë shqiptare, që ka kaluar kufirin në vende perëndimore për të kërkuar azil për arsye “ekonomike” (një arsye që juridikisht nuk njihet në rastin e trajtimit të kërkesave për azil), është bërë shqetësim për vendet anëtare të BE. Këto të fundit, në takimin e mbajtur në Bruksel të Këshillit të 7 të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që ta adresojë problemin, duke vënë në lëvizje masa konkrete për të ndalur fenomenin në rritje. Studime të Eurobarometrit e rendisin Shqipërinë në rangun e vendeve të prekura nga konfliktet si Siria, Pakistani, Eritrea apo Somalia, për sa i përket numrit të azilkërkuesve. Mendohet se mungesa e vendeve të punës është problemi kryesor i shqiptarëve dhe ka prekur mbitëgjitha shtresat në moshë të re, duke përfshirë edhe ata që janë të diplomuar. Në të tilla kushte, na mbetet vetëm të urojmë që qeveria të mos vazhdojë politikën e deritanishme ku ka mbizotëruar parimi “Meqë nuk flasim për problemin, ai do të zhduket vetvetiu”. Ose në rastin kur nuk mund të shmanget që të diskutohet mbi problemin, janë lëshuar deklarata si ajo Ministrit të Integrimit, Znj. Gjosha, e cila iu bëri disa herë thirrje qytetarëve shqiptarë se duhet të vetëndërgjegjësohen mbi faktin që emigrimi drejt vendeve të BE është i dëmshëm për imazhin e vendit, të cilin e kemi ndërtuar me shumë vështirësi dhe i ftoi ata të kthehen në vendin e tyre. Pyetjet që ngrihen natyrshëm janë: te cilat shtëpi do të kthehen shqiptarët? Te cila punë? Te cila e ardhme?
3- Këshilli i 7 i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri
I mbajtur në Bruksel më 17 Maj është i pari që nga marrja e statusit Kandidat në qershorin e vitit të kaluar, ku ky Këshill ka matur ecurinë e reformave dhe politikat e ndjekura nga qeveria. Këshilli ka vlerësuar se janë marrë disa hapa në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar (duke iu referuar fortë luftës së vitit të kaluar ndaj narko-trafikut që na dha Statusin, pa përmendur zhvillimet më të fundit), gjithashtu disa hapa janë hedhur në kuadër të reformës administrative dhe asaj gjyqësore.
Megjithëse po t’iu referohemi publikimeve e fjalimeve të mbajtura nga anëtarë të qeverisë, ky takim si çdo tjetër para tij ishte një sukses total, realisht Këshilli nuk ka patur asnjë vlerësim tërësisht pozitiv për asnjë nga reformat e ndërmarra. Përkundrazi, 28 vendet anëtare kanë patur mjaft për të thënë mbi disa politika, mbi të cilat Komisioni kur të bëj Progres Raportin në Tetor, do të presë të kemi bërë përparim, si përshembull:
- Zgjedhjet: – “BE nënvizon rëndësinë për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit në përputhje me standardet më të larta për zgjedhje demokratike.
- Funksionimi i pavarur i institucioneve: “”Ndarja e pushteteve, funksionimi i duhur dhe pavarësia e institucioneve demokratike, të tilla si parlamenti, gjyqësori dhe autoritetet rregullatore, janë elementë kyç për demokracitë funksionale”.
- “BE kujton se reforma e sistemit gjyqësor mbetet një sfidë kyçe për procesin integrues të Shqipërisë në BE. Pavarësia, paanshmëria, transparenca, efiçenca dhe llogaridhënia e sistemit gjyqësor janë elementë qendrorë në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE, dhe kyçe për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit dhe progresin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
- Administrata Publike: “Aftësia për të zbatuar praktikën europiane varet gjerësisht nga një administratë publike efiçente dhe e depolitizuar”.
- Mediat: BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë se liria e medias dhe pluralizmi mbështeten dukshëm dhe se të gjitha mediat kanë të njëjtin trajtim e të drejta. BE fton Shqipërinë, gjithashtu, që të rrisë transparencën e financimit të mediave.”
Gjithashtu, siç e evidentuam gjerësisht në raportin e muajit Prill, një vëmendje e veçantë pati edhe tema e dialogut pozitë-opozitë, që është kyçe në implementimin e reformave të qëndrueshme.
Ndoshta aspekti më pozitiv, i theksuar prej muajsh mbetet fillimi i funksionimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, që do tentojë ta bëjë më gjithëpërfshirës procesin e integrimit, por edhe do të testojë nëse do të zgjasë dialogu politik apo është një luster, që e përdorim sa herë shkojmë në Bruksel.
Referenca
- https://ec.europa.eu/commission/2014-2019/hahn/announcements/commissioner-hahns-europe-day-message_en
- http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/java-e-europes-nis-ne-berat-nen-sloganin-une-jam-europian&page=1
- http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/java-e-europes-sot-ne-kukes-nen-sloganin-une-jam-europian&page=1
- http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/zhvillohet-ne-tirane-aktiviteti-dhe-panairi-i-hapur-une-jam-europian&page=1
- http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=289356&IDCategoria=1
- http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=299475&ngj
- http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=article&id=18026:2015-04-18-22-45-22&catid=58:lajme-kyce
- http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/89562//ALB#Xchiu
- http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=299467#relin
- http://eurospeak.al/nga-shqiperia/313-takimi-i-shtate-i-keshillit-te-stabilizim-asocimit-mes-shqiperise-dhe-be-se