
Elena Pici
1- Një “tërheqje veshi” për Prokurorinë
Rreth mesit të Muajit Maj, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë në organin e prokurorisë, përgjatë periudhës 01.03.2014 – 01.03.2015. Inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë është një kontroll i jashtëm, i cili vlerësohet si një mundësi për të siguruar harmonizimin e veprimtarisë së pushteteve dhe sigurimin e ekuilibrit dhe bashkërendimit në funksion të politikës penale shtetërore.
Në këndvështrimin statistikor përgjatë kontrolleve të ushtruara, janë inspektuar rreth 1200 procedime penale nga të cilat 830 procedime i përkasin Prokurorisë së Shkallës së Parë dhe 370 procedime i përkasin Prokurorisë së Apelit. Bazuar në raportet e kontrollit Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm gjatë këtij 1 viti fillimin e procedimit disiplinor për 6 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës, duke marrë në konsideratë parimin e proporcionalitetit dhe të pasojës së ardhur nga shkeljet e kryera.
Një ndër rekomandimet e Ministrit të Drejtësisë për vitin 2014, ka qenë ashpërsimi i kërkesave të prokurorëve për veprat penale që parashikojnë një masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg, dhe në veçanti për veprat penale të korrupsionit; të krimit të organizuar; të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake; të ndërtimit të paligjshëm; të vjedhjes së energjisë elektrike. Ndërkohë nga Inspektimi është evidentuar ndër të tjera se, pavarësisht faktit që prokurorët ë shkallës së parë kanë bërë ankim lidhur me masën e dënimit të dhënë nga gjykata, prokurorët e apelit ose nuk ka ashpërsuar masën e dënimit ose nuk ka bërë rekurs kur gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së pare. Kjo situatë ka sjellë reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme e cila pritet të shpjegojë në një raport të posaçëm arsyet pse nuk ka zbatuar politikat e Qeverisë, për krime specifike si: ndërtim i paligjshëm; vjedhje e energjisë elektrike dhe drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt.
2- Po reforma?
Muajin e kaluar paraqitëm një analizë të detajuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi si një ndër pesë kriteret e BE-së për hapjen e negociatave. Meqenëse konstatimi ynë konkludonte në një ritëm të ngadaltë për implementimin e reformës, ndërkohë që nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama premtoi realizimin e saj brenda muajit Shtator 2015, pritshmëria ishte që shumë gjëra do të ishin realizuar në këtë kuadër gjatë këtij muaji. Megjithatë kërkimet tona (të paktën mbi ato të dhëna që pasqyrohen si informacion publik) tregojnë se shumë pak është realizuar në këtë drejtim. I vetmi event kanë qenë gjashtë tryeza të rrumbullakëta, mbi prezantimin e Dokumentit Analitik për Reformën në Drejtësi, si vijon: Strategjia Anti-korrupsion; Sistemi Gjyqësor; E Drejta Penale; Financimi dhe Administrimi i Buxhetit Gjyqësor; Edukimi dhe Profesionet e Lira, organizuar më 4-8 Maj nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me EURALIU (projekt i asistencës teknike të BE-së, që do të mbështesë dhe asistojë institucionet kryesore shqiptare të drejtësisë me qëllim përafrimin e performancës së tyre me standardet e BE-së deri në Dhjetor 2017).
Tryezat e Rrumbullakëta janë ndjekur nga një numër i gjerë pjesëmarrësish dhe palësh të interesuara si nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, përfaqësues të Gjykatave të Rretheve, Shoqëria Civile, Avokati i Popullit, Vëzhgues të përfaqësive të huaja, Profesorë të së Drejtës, etj., të ftuar për të diskutuar mbi gjetjet dhe çështjet problematike të të gjithë sistemit të Drejtësisë, identifikuar në Dokumentin Analitik të Parlamentit.
Komentet e marra nga pjesëmarrësit dhe palët e interesuara shqiptare, megjithëse nuk janë përmbledhur ende në një dokument publik, do të shërbejnë për fazën e dytë të kësaj reforme, e cila është “Ndërhyrja-Miratimi i një Dokumenti Strategjik për Reformën në Drejtësi”
3- Zgjedhjet vendore. Masat e sigurisë në burgje
Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço gjatë muajit Maj ka bëre publike një plan masash lidhur me rritjen e sigurisë në sistemin e burgjeve, gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, ku ndër të tjera është urdhëruar edhe pezullimi i lejeve shpërblyese dhe të veçanta, prej datës 21 Maj 2015 deri më 1 Korrik 2015.
Drejtuesve të të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP) në vend u janë përcjellë një sërë rekomandimesh, ndjekja e të cilave synon rritjen e sigurisë, mospërfshirjen e personave në konflikt me ligjin në aktivitete politike gjatë kësaj periudhe, si dhe votimin në IEVP nga të gjithë të burgosurit që plotësojnë kriteret Ligjore.
Nëpërmjet fjalës së tij, Ministri shprehu edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare, se nuk ka për të ekzistuar ndonjëherë shfrytëzimi i forcës shtrënguese shtetërore ndaj personave me liri të kufizuar, apo angazhimi i elementëve kriminale me qëllim maksimizimin e rezultatit politik. Sigurisht që politikisht fjalimi i Ministrit është mjaft korrekt dhe masat në dukje janë sipas parashikimeve, por sa në të vërtetë mund të shmanget korrupsioni i votës në IEVP? Mjafton të mendojmë që ne jemi ndër të paktat shtete që me një përqindje të madhe të popullsisë emigrante nuk u japim atyre të drejtën e votës, kjo ndoshta për shumë arsye teknike, por besoj se mbi të gjitha për faktin se ata nuk i bëjmë dot pjesë të mitingjeve, nuk ju premtojmë dot vende punë, pra nuk ua përllogarisim dot votën. Po ç’mund të thuhet për personat që vuajnë një dënim penal, të cilëve vota u përllogaritet me lehtësi dhe me po të njëjtën lehtësi mund t’u blihet në shkëmbim të disa lejeve apo edhe më keq, presionit të “të fortëve”?
Referenca
- Euralius. Maj 2015. Tryeza te rrumbullakëta mbi reformën ne drejtësi.
http://www.euralius.eu/sq/aktivitete/aktivitete/136-tryeza-te-rrumbullaketa-mbi-reformen-ne-drejtesi-4-8-maj-2015 - Ministria e Drejtësisë. Maj 2015. Zgjedhjet vendore. Plani i masave për rritjen e sigurisë.
http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/zgjedhjet-vendore-prezantohet-plani-i-masave-per-rritjen-e-sigurise-ne-ievpenale&page=1 - Ministria e Drejtësisë. Maj 2015. Mbi inspektimet ne prokurori. http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-naco-raporton-ne-komisionin-e-ligjeve-mbi-inspektimet-ne-prokurori&page=1
- Panorama.al. Maj 2015. Ministria e Drejtësisë përplaset me Prokurorinë.
http://www.panorama.com.al/raporti-ministria-e-drejtesise-perplaset-me-prokurorine-organi-i-akuzes-ja-pse-nuk-i-zbatuam-politikat-e-qeverise-per-energjine-dhe-ndertimet/