
Brenton KOTORRI, BA
1- Fshati digjet, Kodheli poston foto
Forcat tona të armatosura, prej vitesh përdoren si krah pune. Nën drejtimin e ministres Kodheli, ushtarët u panë të pastronin bregdetin, të ndërtonin ura, apo te shtronin rrugë për zonën elektorale të ministres. Gjatë korrikut, ushtarët janë përdorur edhe si zjarrfikës. E jo si zjarrfikës dosido, por si zjarrfikës sypetrita që nuk i tremben flakëve, sepse urdhri i ministres është i pakthyeshëm dhe “për atdheun duhet dhënë edhe jeta”. Nëse shihen fotot[1] që ministrja me aq krenari i publikon do të shihni kursantët për ushtarë, të cilët eksperiencën ushtarake e kanë më të vogël se 6 muaj, të cilët luftojnë me frymëmarrjen e tyre më shumë sesa me zjarret. Për fat të mirë askush prej ushtarëve rishtarë të angazhuar në këtë zjarrfikje nuk pati lëndime të jashtme.
Sidoqoftë duhen listuar disa probleme. Së pari, ligji i republikës së Shqipërisë për shërbimin ushtarak nuk parashikon kurrsesi që ushtria të përdoret si punëtori e pastrim gjelbërimit apo si zjarrfikëse. Ligji për Forcat e Armatosura, sigurisht që sikurse edhe në vende të tjera të botës parashikon se “Forcat e Ushtrisë përdoren edhe për operacione paqeruajtëse, humanitare dhe të shpëtimit, si brenda dhe jashtë vendit. Në situata të jashtëzakonshme ato mund të përdoren edhe në ndihmë të rendit publik”, e kjo është pikërisht neni me të cilin abuzohet për qëllime elektorale. Kudo në perëndim, ose të paktën në NATO, ushtarët përdoren për të ndihmuar zhvendosjen e njerëzve në kohë katastrofash natyrore, ndihmojnë njerëzit gjatë zjarreve, por nuk e shuajnë zjarrin. Ndihmojnë njerëzit gjatë përmbytjeve por nuk e përthajnë përmbytjen. Ndihmojnë njerëzit ndaj ndotjeve kimike, e biologjike por nuk pastrojnë mbetjet.
Në rastet shumë të rralla kur ushtarët ndihmojnë në kontrollimin e zjarreve, sikurse në rastin tonë, ata nuk shkojnë të luftojnë me zjarrin si ushtarë, se nuk janë irracionalë. Ushtarët në ato raste bëhen pjesë e skuadrave zjarrfikëse, që do të thotë se pajisen me uniformat dhe mjetet e posaçme për realizimin e kësaj detyre. Nëse i shihni sërish fotot e ushtarëve tanë që do ministrja i përdor për imazh në rrjetet sociale, do të shihni se ushtarët tanë nuk dinë se kush është sikleti më i madh, pylli që digjet apo lotët që u dalin nga sytë, flokët që u përcëllohen e mushkëritë që u mbeten me pasoja shëndetësore. Sa i takon kësaj të fundit, na lejohet të hamendësojmë se këtyre ushtarëve për aq kohë sa nuk u janë dhënë maska oksigjeni, e kostume zjarrfikësish për parandalim, as vizita mjekësore post-operacion nuk u janë ofruar. Me filozofinë, ngarkoje hamallin se mban sa të duash dhe gojën nuk e hap.
Ky është një skandal që duhet të marrë fund përgjithmonë, duke nisur nga sot. Duke nisur me një falje publike të ministres dhe ndoshta me një dekret presidencial që ndalon përdorimin e ushtarëve si mish për top në kohë paqeje. Mirëpo si shumë gjëra ndodhin në Shqipëri, do duhet të dëshmojmë ndonjë tragjedi, që të merren masa të tilla.
[1] Facebook i ministers https://www.facebook.com/kodheli.mimi/photos/pcb.1056735044409835/1056734094409930/?type=3&theater