![Elena Pici, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici, MSc
1-Filozofia pas videove
Miratimi i reformës në drejtësi është padyshim arritja më e rëndësishme e këtij viti, e cila sigurisht pritet t’i shërbejë stabilitetit demokratik, po ashtu dhe atij financiar në vend. Për të përforcuar këtë mendim, Ministri Ahmetaj zgjodhi të shprehej në faqen e tij në Facebook, ku në fakt përveç përgëzimeve për reformën nuk humbi rastit për të përmendur ‘trendin e konsoliduar të rritjes ekonomike në vend’[1], të cilin ai e shoqëroi me një video të këtyre arritjeve. Pavarësisht epiteve se kjo është një ‘qeveri vizuale’, një ‘qeveri që vetëm bën marketing’, për aq kohë sa këto video janë reale në informacionin që përmbajnë, ne i gjykojmë si një formë transparence dhe llogaridhënie. Megjithatë, fryma nën të cilën ato prezantohen jo gjithmonë është objektive dhe në këtë rast ka vend për analizë kritike.
Videoja në fjalë nis me të dhënën nga INSTAT se rritja ekonomike për 3-mujorin e pare të 2016 ishte 2.96% dhe mbyllet me premtimin e Ministrit Ahmetaj se për te gjithë vitin kjo rritje do të jete 3.4%. Fryma vizuale me të cilën këto shifra janë prezantuar të jep ndjesinë se janë arritje të rëndësishme. Megjithatë, duke qënë se borxhi publik ngelet i konsiderueshëm dhe konkurueshmeria e ulët (niveli i 97 në renditje globale dhe i fundit në Europë, me përjashtim të tre shteteve që nuk i matet ky tregues[2]), Shqiperia duhet të kishte për këtë vit një rritje 4%. Pra, pavarësisht trendit rritës, rritja nuk është e mjaftueshme dhe ngelet për t’u parë sa do të jetë deri në fund te vitit pasi shifra 3.4% është vetëm një parashikim i FMN-së, të cilin Ministri Ahmentaj e mbështet si të realizueshëm[3].
Gjithashtu në video përmendën të dhëna mbi uljen e papunësisë ‘nga 18.2% në 16.6% gjatë 2 viteve të fundit’. Kjo është një arritje e rëndësishme. Megjithatë vlen për t’u analizuar se si është realizuar ulja. Kjo mund të jetë rezultat i rigjallërimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës; rezultat i formalizimit të ekonomisë (pra punë që më parë ishin në të zezë tashmë janë deklaruar, që edhe kjo në vetvete është pozitive) ose thjesht sepse punëkërkuesit e papunë janë tërhequr nga tregu i punës – vendosin të mos jenë më në kërkim, ndjekin mundësi edukimi apo edhe emigrojnë. Sipas të dhënave nga INSTAT[4], kjo rënie e papunësisë i dedikohet rritjes së punësimit në industri dhe shërbime. Gjithsesi, ky rast vlen si shembull për të kuptuar se e njëjta e dhënë mund të ketë implikacione të ndryshmë, prandaj dhe kërkohet më shumë analizë përpara se të konkludohet se sa pozitive janë.
Një video tjetër që ka shpërdarë Ministria e Financave ka pasur në fokus ndërgjegjësimin e konsumatorit për marrjen e kuponit tatimor. Sigurisht që kjo është një video pozitive dhe që në fakt përkon me deklaratën e Ministrit se në datën 1 Gusht do të nis fushata e ndërgjegjësimit në terren, kryesisht në zonat bregdetare, me ‘qëllim dialogimin dhe informimin e bizneseve për rëndësinë e kuponit tatimor dhe jo vendosjen e gjobave’[5]. Megjithatë, ekperienca me fushatën e mëparshme anti-informalitet duhet të ketë treguar se të tilla video nuk mjaftojnë vetëm për publikun. Ndoshta ndonjë ‘video’ (që nuk ka nevojë të ndahet publikisht) mund të përgatitet edhe për punonjësit e administratës tatimore të cilët duhet të tregojnë profesionalizëm, paanësi dhe bashkëpunim në punën e tyre me biznesin.
2-Qasja e ndryshuar ndaj detyrimeve fiskale
Media ka bërë me dije (dhe kjo në fakt me një shkrim informues copy-paste në shumicën e portaleve) se Ministria e Financave ka hartuar draftin final të amnistisë “Për faljen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe doganore, dënimet për kontributet e sigurimeve si dhe çregjistrimine mjeteve të transportit dhe shuarjen e detyrimeve të tyre” [6]. Ky draft (të cilin nuk e gjetëm në web-in e Ministrisë dhe po e marrim të mirëqënë lajmin nga media) fal gjithë detyrimet dhe gjobat ( TVSH, tatim fitim, taksa vendore, taksa doganore, dënime administrative) deri në Dhjetor 2011. Ndërkohë që nga Janari 2012 falen gjobat dhe 30% e detyrimit, me kusht që të paguhet 70% e detyrimit deri në Mars 2017.
Megjithatë lajmi për draftin nuk është shoqëruar me një arsyetim se pse është marr ky vendim. Në fakt është bërë e traditës për financat shqiptare që një herë e në ca kohë (e fundit ka qënë në vitin 2010) të bëhet një amnisti e detyrimeve. Po kujt i shërben kjo amnisti dhe cili është qëllimi i saj? Është e qartë që amnistia vjen pas një farë kohe kur mbledhja e këtij detyrimi nuk shihet më si e realizueshme nga ana e administratës tatimore. Por ashtu siç në fakt do të veprohej me bilancin e një biznesi mund të bëhej ‘fshirja’ e këtij detyrimi nga pasqyrat financiare të Tatimeve dhe shpallja e tij i pambledhshëm. Ngelet e paqartë nëse financat nuk zgjedhin këtë opsion sepse është bureokratik për t’u realizuar apo sepse duan të japin ‘imazhin dashamirës’ të faljes.
Të njëjtin ‘imazh dashamirës’ Ministri ka dashur të krijojë edhe me deklaratën e tij se Ministria dhe qeveria do t’i propozojnë Kuvendit faljen e gjobave për mosdeklarimin e punonjësve që gjenoroi sistemi muajin që kaloi (për me shumë referoju raportit APPA, Ministria e Finanacve, Muaji Qershor). Në këtë rast Ministri ka deklaruar se: ‘Gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikmëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim dita-ditës në territorin fiskal…por meqë ka qenë hera e parë dhe meqë shumë nga tatimpaguesit mund të kenë qenë të painformuar, do të propozojmë që këto gjoba të falen dhe të fshihen nga
sistemi[7]’. Gjithsesi, më shumë se ‘dashamirësi’, disa të tjerë e kanë konsideruar ‘fitore mbi arrogancën’. Gazetari Klodian Tomorri shprehet: ‘Fakti që Ministria u tërhoq është treguesi më i mirë se sa të ligjshme ishin gjobat. Për më tepër, duhet të qartësohet se mikrobizneset me një të punësuar nuk kanë detyrim për të dorezuar formularin tek tatimet sepse nuk bën sens të deklarohet tek tatimet punonjësi i vetëm, për sa kohë figuron i regjistruar në QKR si administrator’. E vetmja qartësi situatën e ndryshimit të qasjes së qeverisë ndaj detyrimeve tatimore ngelet nevoja për më shumë transparencë.
3- Cfarë i shqetësoi më shumë shqiptarët? – Taksimi i blerjeve online
Në muajin Korrik hyri ne fuqi vendimi i qeverisë për uljën e kufirit të taksueshëm për mallrat e blera online në 22 euro dhe për dhuratat në 45 euro nga 20 mijë lekë të reja që ishte më parë. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi duhet të paguajë 22.4% shtësë mbi vlerën e mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore[8]). Qeveria e ka argumentuar vendimimet me arsyetimin se ishte rritur ndjeshëm nurmri i subjekteve tregtare që blinin dhe shisnin mall në këtë mënyre, duke u bërë subjekte të konkurrencës së pandershme pasi nuk paguanin detyrimet e importit.
Megjithatë, ky vendim duket se ka hasur shumë pakënaqësi tek blerësit ( në fakt nga të gjithë vendimet financiare ky duket të jetë më i komentuari këtë vit, ndoshta sepse pavarësisht rëndësisë së vogel financiare që ka, i ka prekur drejtpërsëdrejti dhe në periudhë afat-shkurtër blerësit). Monitor raporton se janë plot 120 – 130 mijë transaksione në muaj nga blerjet online dhe vitet e fundit numri i tyre është rritur ndjeshëm. Po ta analizojmë nga këndvështrimi i atyre që janë blerës për përdorim personal, ky është një vendim i pafavorshëm pasi ua vështirëson blerjen e produkteve cilësore me çmime më të arsyeshme se në tregun e brendshëm.
I menduar me thellë argumenti i qeverisë nuk duket se bën sens në kuadër të aksioneve anti-informalitete. Duke qënë se çdo mall në subjektet ku tregtohet duhet të jetë i pajisur me faturë me TVSH, pra i ka paguar detyrimet e importit, nuk ka sesi të bëhet subjekt i konkurences së pandershme. Qeveria ka pretenduar gjithashtu se me këtë vendim mbrohet tregtari vendas, i cili është ankuar p gjithahstu r rënie të fuqisë blerëse për shkak te blerjve online. Edhe në këtë rast ne nuk besojmë se ky vendim e zgjidh problemin. Arsyeja pse konsumatorët i drejtohet blerjeve online është mungesa e cilësisë dhe çmimet e paarsyeshmë me të cilat ata përballen në tregun e brendshëm. Kështu që me shumë gjasa në këtë skenar thjesht konsumatorët do të blejnë më pak. Për më tepër ky vendim bie ndesh me konkurencën e lirë dhe me parimin e tregut të përbashkët evropian ku Shqipëria do të aderojë. Të gjithë këto argumenta të lënë të mendosh se arsyeja e këtij vendimi (duke marr parasysh numrin dhe vlerën në rritje të transaksioneve) është thjesht bindja se përbën një mundësi të mirë për të rritur të ardhurat doganore në kurriz të konsumatorit.
[1] Arben Ahmetaj’s Facebook. Korrik 2016. https://ëëë.facebook.com/Arben-Ahmetaj-436720489780914/?fref=ts
[2] Monitor.al. Korrik 2016. http://ëëë.monitor.al/shume-borxh-pak-konkurrence-2/#respond
[3] Ministria e Financave. Korrik 2016. http://ëëë.financa.gov.al/al/njoftime/lajme/ekonomia-ne-nje-cikel-te-pakthyeshem-rritjeje-ekonomike-shperblim-per-sakrificat-e-reformave-te-veshtira
[4] Top-Channel. Korrik 2016. http://m.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=329022
[5] Panorama.com. Korrik 2016. http://ëëë.panorama.com.al/nga-1-gushti-tatimoret-ne-terren-ahmetaj-skemi-objektiv-gjobat-dialog-per-kuponin/
[6] Gazeta Shqip. Korrik 2016. http://ëëë.gazeta-shqip.com/lajme/2016/07/19/amnistia-si-do-te-falen-gjobat-detyrimet-dhe-taksat-e-makinave/; http://ëëë.gazetatema.net/ëeb/2016/07/17/drafti-amnistise-se-ministrise-se-financave-ja-cfare-falet/
[7] Ministria e Financave. Korrik 2016. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/falen-gjobat-per-mosdeklarimin-e-punonjesve-ministri-ahmetaj-dorezojme-propozimin-ne-kuvend-disiplina-fiskale-ne-favor-te-qytetareve-dhe-biznesit&page=1
[8] Monitor.al. Korrik 2016. http://ëëë.monitor.al/qeveria-vendos-kufiri-per-blerjet-online-22-euro-per-dergesat-nga-jashte-45-euro/