![Endrit KAPAJ, LLM](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/E.-Kapaj-300x300.jpg)
Endrit KAPAJ, LLM
1-Reforma në Drejtësi.
Pas thuajse nje viti formulimesh ligjore për drejtësinë, përplasje politike dhe një presioni të paparë (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës) diplomatik, më datë 21 korrik u miratua paketa e ndryshimeve kushtetuese, apo ndryshe “Reforma në Drejtësi”. Plaët u ndanë vetëm për mënyrën e përzgjedhjes së 21 komisionerëve të vetting, atyre që do të verifikojnë pasuritë, profesionalizmin dhe figurën etike të gjyqtarëve, prokurorëve, inspektorëve, këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë (zyrtarët) të angazhuar aktualisht në sistemin e drejtësisë.
Komisionerët, 21 vetë, organizohen në: 2 komisionerë publikë (KP) që paraqesin argumentet kundër një zyrtari që verifikohet në dy shkallët e vetting, rol disi i ngjashëm ky me atë të prokurorit; në 4 trupa me nga tre vetë, gjithsej 12, që përbëjnë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) e që luajnë rolin e një thuajse gjykate administrative të shkallës seë parë me katër seksione; 7 vetë të Kolegjit të Apelimit që, në trupa me 5 vetë, luajnë rolin e një gjykate administrative apeli në procesin e vetting.
2 KP dhe 12 anëtarët e KPK fitojnë statusin e barabartë me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe do të funksionojnë për 5 vite ndërsa 7 anëtarët e KA fitojnë statusin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe do të përbëjnë për 9 vite me radhe një kolegj të posaçëm të kësaj gjykate të dedikuar për vetting.
Megjithëse, procesi u shoqëerua me mungesë transparence të theksuar, debate politik dhe public u përqendrua tek vetting. Çdo shqiptar do të donte që vetting të ishte i thellë, i plotë, i drejtë dhe i paanshëm apo i njëjtë në të dy krahët e lidhjeve e preferencave politike-drejtësi. Ky do të ishte rezultati maksimal pozitiv.
Roli i ndërkombëtarëve është mjaft I rëndësishëm, qoftë sa i përket rolit të tyre në verifikimin dhe vlerësimin e kandidaturave të komisionerëve të vetting, të KLP, të KLGj, përpara votimit të tyre nga Kuvendi qoftë sa i përket procesit të vetting në vitet e ardhshme.
Cilësia e procesit të vlerësimit paravotues të kandidatëve, apo e quajtur ndryshe vettingu i atyre që do të bëjnë vettingun për të tjerët është më e plotë, më solide, më transparente, më e paanshme në variantin tashmë të miratuar krahasuar me atë të mëparshëm.
Ne variantin e parë, vlerësimi i kandidatëve para votimit në Kuvend ishte diskrecional, jo transparent, pa mundësi apelimi. Në variantin e miratuar, për të njëjtat kritere ligjore, investohet një treshe e përzgjedhur me short nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese (GjK) që bashkëvepron me ndërkombëtarët njësoj si në variantin e parë, kandidati i skualifikuar nga kjo treshe, për të vijuar garën, mund të ankohet dhe vendimin përfundimtar për të qenë në listën e kandidatëve apo jo e merr GjK, njëherazi institucioni më i pranuar, më pak i kontestuar nga kushdo, prej shumë kohësh – cilësi këto me diferencë të madhe krahasuar me çdo institucion tjetër.
Për shkak të këtyre cilësive, propozimi I miratuar, që bazohet tek procesi i rregullt ligjor, është njëherazi mjaft më nxites, që në aplikim për kandidim, për individët me cilësi të larta profesionale dhe integritet si dhe dekurajues për pseudo profesionistët dhe të pandershmit, kjo pasi është provuar se sa më e hapur, e ndershme dhe transparente një garë aq më shumë marrin pjesë më të mirët dhe, sa më pak të jetë e këtillë aq më shumë marrin pjesë me maskarenjtë.
Tek e fundit, anëtarët e komisioneve të vetting, KP, KPK, KA do të gëzojnë statusin e gjyqtarëve të lartë apo kushtetues ndaj përzgjedhja e tyre duhet të mbështetet në një procedurë të barazvlefshme nga cilësitë më atë të përzgjedhjes së gjykatësve të lartë apo kushtetues.