![Marcela TRINGAJ, LLM](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/07/Marcela-TRINGAJ-LLM-210x300.jpg)
Marcela TRINGAJ, LLM
- Cilësia e mishit ende një risk serioz për shëndetin
Mungesa e kontrolleve rigoroze nga institucionet kompetente përsa i takon rregullave të therjes, tregtimi dhe prodhimi i mishit apo nënprodukteve të tij përbën një rrezik serioz dhe të vazhdueshëm për konsumatorin. Mosrespektimi i standarteve bazike të sigurisë ushqimore zë fill që prej tregtimit jashtë standarteve të gjësë së gjallë e vijon më pas me therjen e tyre në kushte problematike higjeno-sanitare. Kësaj peripecie të frikshme për shëndetin i shtohen dhe kushtet e transportit të mishit dhe amjentet tregtuese totalisht të papërshtatshme. Kjo situatë e dalë prej kontrollit, prej më shumë se dy dekadash e bën të rrezikshëm konsumimin e mishit dhe nënprodukteve të tij të prodhuara në vend në këto kushte të skandaloze.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i cili ka kompetencen ekskluzive për sigurinë ushqimore është jashtëzakonisht i kujdesshëm në mosrespektimin e ligjit 78/2012 “Për përcaktimin e Rregullave për Therjen e Kafshëve dhe Tregtimin e Mishit të Tyre” madje dështimi i tyre moral dhe profesional shkon deri në daljen nga kontrolli dhe i therjes së kafshëve të ngordhura, referuar rastit të thertores se Kamzës në muajin maj të këtij viti. Gjithashtu, autoritetet vendore janë po njësoj përgjegjëse, sipas këtij ligji, për lejimin në territorin e tyre administrativ tregtimin e bagëtive apo shpendëve në mjedise të hapura për publikun si sheshe apo trotuare duke mos përmbushur kushtet e higjenës dhe sigurisë ushqimore.
Problem mbetet dhe mishi i importit i cili përbën 85% të konsumimit të këtij produkti në vend[1]që shpesh shitet si mish vendi. Më tronditës është fakti që ky produkt çertifikohet nga autoritetet kontrolluese si mish cilësor dhe i sigurt kur në fakt s`është gjë tjetër veçse mish i ruajtur në kushte frigoriferike përmbi 20 vite dhe i bombarduar me hormone kryesisht silikon steroid i quajtur edhe “Boldomec LA” dhe “Boldenone”, raporton gazeta Telegraf. Në Shqipëri ende këto hormone janë të lejueshme për tu importuar në një kohë kur të gjitha shtetet europiane (perveç Qipros Veriore) e kanë të ndaluar futjen në treg të këtyre hormoneve. Nënshtrimi ndaj çmimeve të ulta bën që ky produkt të shitet në masë tek popullata pa marrë në konsideratë riskun e konsumimit të një produkti jo vetëm pa vlera ushqyese por edhe të rrezikshëm për sh¨ndetin e konsumatorit.
Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë ushqimore, veçanërisht gjatë sezonit turistik, vetë ministri Panariti u bë pjesë e fushatës së vendosjes së etiketave me pullën e inspektimit të sigurisë ushqimore në ambientet e shërbimit, si restorante, bar-kafe, fast-food, etj[2]. Ky lloj çertifikimi do të jetë garant i cilësië ushqimore që këto subjekte të inspektuar do t`i ofrojnë konsumatorit. Rreth 300 subjekte që operojnë në fushën ushqimore pritet të inspektohen gjatë sezonit turistik. Inisiativa e Ministrisë së Bujqësise dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në sezonin turistik është për t`u lavdëruar por i gjithë ky proçes kaq i rëndësishëm e delikat kërkon një angazhim më të plotë në të gjithë territorin e vendit dhe për më tepër mos të kufizohet me inspektimin e vetëm 300 subjekteve i cili aktiviteti i tyre lidhet ngushtë me ushqimin e mbi të gjitha të mos jetë një fushatë e përkohshme por të kthehet në rutinë e institucineve përgjegjëse.
Një problem serioz këtë muaj ishte dhe lajmi për praninë e sëmundjes dermatoza nodulare e gjedhit në disa shtete të rajonit si: Turqi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Greqi nga ku janë marrë masa për ndalimin e importit nga këto vende. Ministri Panariti kërkoi mbylljen e menjëhershme e tregjeve të gjethit pa një afat të caktuar dhe ndalimin e transportit të tyre nga fermat në thertore apo tregjeve formale apo joformale. Deri më tani janë zbuluar vetëm katër vatra të dermatozës modulare në rethin e Korçës e ndërkohë janë marrë masa rigoroze për mbylljen e tregjeve të shitjes së bagëtive. Për fat mirë, Ministria e Bujqësisë deklaron se janë 25 mije doza vaksine nga fondi emergjencës së BE-së të cilat kanë mbërritur në vend për të parandaluar përhapjen e mëtejshme së kësaj sëmundjeje.
Shërbimi veterinar rajonal përfaqësohet nga Veterinerë Zyrtarë në 12 qarqe, me shpërndarje në varësi të territorit dhe numrit të kafshëve (varion nga 6 në 20 veterinerë zyrtarë për qark).[3] Ky numër specialistesh është i papërfillshëm kur vjen fjala për të përballuar fluksin e përgjegjësise në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në të gjithë vendin, si më poshtë shënuar:
– parandalimin e sëmundjeve;
-garantimin e kushteve sanitaro-veterinare në tregjet e kafshëve të gjalla e stabilimentet e rritjes e mbarështimit të kafshëve;
-kontrollin e ushqimit të kafshëve;
-identifikimin e kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale;
-monitorimin e mbetjeve në kafshët e gjalla e produktet shtazore;
-mbikqyrjen e proçesit të therrjes në çdo thertore (sipas ligjit 78/2012).
Ndërkohë, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse të gjitha fermat në shkallë vendi janë inspektuar dhe se sa vatra sëmundjesh janë evidentuar në total. Mungesa e kësaj statistike sjell në vëmendje paaftësinë e institucioneve përgjegjëse për t`ju përgjigjur situatës në kohë reale për një qëllim të dyfishtë: së pari për të sigurar konsumatorit informacionin e saktë për situatën e për të shmangur panikun nga mosdija dhe së dyti për të asistuar fermerët drejtëpërdrejtë në mënyrë të tillë që të shmanget përhapja e sëmundjes në ferma, ku për fermerët përkthehet në kosto financiare të papërballueshme. Për më tepër, fermerët ndihen të indinjuar nga mungesa e informacionit dhe asistencës nga institucionet shtetërore.
- Fermerët të zhgënjyer nga investimet në bujqësi
Të investosh në bujqësi është një inisiativë e guximshme në një vend ku mbështetja tekniko-profesionale dhe financiare në sektorin bujqësor nuk është veçse në nivelet e lëmoshës. Rastet e zhgënjimit janë të shumta dhe i tillë është dhe rasti i fermerëve në Korçë te cilët heqin dorë nga kultivimi i grurit[4] për shkak të kostove të larta dhe prodhimit të pakët nga mbjellja e kësaj kulture. Tregu i importit dominon në vend me çmime konkuruese dhe minon ndjeshëm mundësinë e fermerëve për ti zhvilluar kapacitetet e tyre sipërmarrëse në këtë fushë.
Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe fermerët e Nënshkodrës[5] të cilët mundi i muajve të tëre pune përbuzet dhe shkon dëm nga mungesa e tregut të shitjes. Për pasojë 90% e të vjelave hidhen poshtë. Tregtimi, magazinimi në kushte frigoriferike janë tre problemet madhore që hasin këta fermerë. Të tillë e kanë fatin edhe ata të cilët kursimet nga emigracioni i kanë investuar në bujqesi si rasti i fermerit nga Vlora, Bardhosh Haxhiraj. Investimi për një stallë derrash jo vetëm i ka rrëmbyer kursimet e një jete por dhe e ka detyruar të marrë kredi në bankë në shifra të mëdha dhe interesa të larta për të mos falimentuar sipërmarrjen. Për Alban Ndreun[6], fermerin nga Burreli që vendosi të lerë Greqinë për të investuar në vendin e tij përballja me realitetin, tashmë për të është kthyer në disfatë. Prodhimi i domateve në serat e tij nuk gjejnë më një treg shitjeje.
Historia njerëzore e këtyre njerëzve të guximshëm që marrin inisiativate tilla kërkon adoptimin e politikave bujqësore të mirëmenduara dhe mbështetjen e padiskutueshme të autoriteteve zbatuese të këtyre politikave. Stimulimi i prodhimit bujqësor vendas dhe mbështetja e investuesve në këtë sektor jo vetëm ndikon drejtëpërdrejtë në zhvillimin socio-ekonomik të zonave rurale por ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rigjenerimin e bujqësisë në mbarë vendin. Por duket se Ministria e Bujqësisë mbetet ende në përballje sfidash të forta në të ardhmen dhe me një sërë problematikash në pritje për zgjidhje.
[1] Në Shqipëri futet e shitet 80% mish me hormone “Boldemec” që përdoret për shëndoshjen e qenve, maceve dhe kuajve
http://telegraf.al/aktualitet/ne-shqiperi-futet-e-shitet-80-mish-me-hormon-boldemec-qe-perdoret-per-shendoshjen-e-kuajve-qenve-e-maceve
[2] Pullat e inspektimit në lokalet ushqimore-Panariti: Garanci për sigurinë e konsumatorit
http://ëëë.bujqesia.gov.al/al/lajme/njoftime-per-shtyp/pullat-e-inspektimit-ne-lokalet-ushqimore-panariti-garanci-per-sigurine-e-konsumatorit&page=2
[3] Shërbimi veterinary
http://ëëë.bujqesia.gov.al/al/programi/bujqesia-dhe-blegtoria/sherbimi-veterinar
[4] Fermerët korçarë heqin dorë nga gruri, s’kanë ku ta shesin
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=464348&fermeret-korcare-heqin-dore-nga-gruri-skane-ku-ta-shesin
[5] Nënshkodër, si po falimentojnë fermerët e Kosmaçit
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=463603&nenshkoder-si-po-falimentojne-fermeret-e-kosmacit
[6] Solla paratë e emigracionit, i humba në serrat me domate
http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=459626&solla-parate-e-emigracionit-i-humba-ne-serrat-me-domate