
Rezearta Caushaj
1- “Normativat e projektimit të banesave” – Show i radhës
Sipas një lajmërimi në Faqen Zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit Urban, janë prezantuar nga Znj. Gjermeni normativat e projektimit të banesave, një iniciativë për t’u përshëndetur dhe e nevojshme në çdo reform që synon të ndërfus zbatimin e rregullave e parametrave në ndërtimet urbane. Ajo çka na ka befasuar është se, më tepër se një prezantim i këtyre normave, ka pasur një ceremoni të tërë dedikuar rëndësisë së tyre e sidomos nismës së Ministrisë së Zhvillimit Urban, por pa përmendur se cilat janë parametrat e rinj të ndërfutur dhe cilat janë mekanizmat, me anë të të cilëve do të imponohet zbatimi i tyre. Pyetja ngrihet në bazë të ekzistencës së një problemi mjaftë të njohur, ku ndërtimi i shumicës së banesave, sidomos atyre informale, është bërë jashtë standardeve, me metoda amatore e pa ndihmën e ekspertëve të fushës, jo për shkak të mungesës së normave, por për mungesën e vëmendjes ndaj zbatimit të tyre.
Prezantimi në fjalë përmbyllet me fjalinë: “Skicat e ekspozuara u shpjeguan për të pranishmit, nga specialistët që kanë punuar për hartimin e këtyre normativave.” Le të shpresojmë që edhe qytetarët të kenë mundësi të njihen me normat dhe marrim shkasë për të rinxjerr në pah karakterin ceremonial, që shumë prej aktiviteteve të zhvilluara nga Ministria e Zhvillimit Urban kanë, ndërkohë që është një institucion i mandatuar pikërisht për të bërë detyrën e vet.
2- Auditi i fundit?
Duke qenë se është mbyllur një periudhë 6 mujore, do mendonim se Ministria e Zhvillimit Urban deri tani do të kishte gati një raport mbi punën e saj, por zbuluam se në fakt auditi i fundit i brendshëm i publikuar përfshin periudhën 2012 – 2013 të institucionit dhe siç mund të deduktohet nga përmbajtja, ka referenca të shumta mbi funksionimin e mangët të Ministrisë gjatë asaj periudhë, pra gjatë qeverisë së mëparshme. Që prej atëherë nuk e dimë a ka pasur audite të brendshme dhe cilat kanë qenë përfundimet. Një raport I tillë, jo vetëm është një detyrim kushtetues nga institucioni në fjalë, por ndihmon në konstatimin e progresit të reformave si strukturore brenda Ministrisë, po ashtu dhe ato me fokus politikat e zhvillimit urban. Urojmë, pra, që institucioni i Ministrisë së Zhvillimit Urban të tregohet po aq entuziast për auditimin e punës së saj, saç është treguar me punën e qeverisë paraardhëse, sidomos në termat e suksesit të pretenduar.
Ndërkohë, hë për hë, qytetarët duhet të kënaqen me një përmbledhje javore amatoreske, të njëanshme, të zhvillimeve të Ministrisë, të cilat transmetojnë vazhdimisht një tablo piktoreske të punës që bëhet.
Gjithashtu një vështrim në Faqen e ALUIZNIT, nuk të nxjerr më shumë optimist për perspektivën e auditit, duke qenë se as në këtë të fundit nuk ka pasur publikim të punës së brendshme dhe raporti i fundit është ai i Këshillit të Lartë të Shtetit për periudhën 01.01.2012 – 01.07.2014, ku janë konstatuar shkelje të rregulloreve të brendshme, mosnjohja e ligjeve nga ana e personelit, nxjerrja e procedurave nga ana e krerëve te institucionit që nuk parashikohen nga ligji si dhe mungesa e masave ndëshkuese. Me atë rast, KLSH-ja ka dhënë edhe rekomandimet respektive, por qytetarët shqiptar duhet të presin auditin e radhës për të kuptuar se sa ka përparuar puna dhe sa janë ndjekur rekomandimet e këtij të fundit.
Nga përmbledhja e fundit duam të veçojmë sidomos progresin e supozuar të projekteve mbi “Transformimin e qyteteve”, vetëm se është e vështirë për tu konstatuar nga fotografitë e servirura duke qenë se fotoja “Para” jep pamjen reale të ndërtesës, ndërkohë që fotoja “Pas” është një version kompjuterik i asaj çka do jetë produkti i rehabilituar. Dhe natyrisht, pyetja është, a kanë përfunduar projektet e transformimit të Burrelit, Selenicës dhe Durrësit apo ky është një “inaugurim” I parakohshëm I punës që pritet të përfundojë?
Referenca:
http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/EKSTRAKT_AKPT.pdf
http://www.klsh.org.al/ëeb/pub/aluizni_qendror_1504_1.pdf
http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/Java_n%C3%AB_Ditar_23_Korrik_2015.pdf