- Zjarret, rrezik për pyjet
Çdo vit në muajt e verës me rritjen e temperaturave shtohen edhe rastet e zjarreve në pyje dhe kullota. Situata në vitet e shkuara ka qenë agravante për shkak të mijëra ha pyje e kullota që janë djegur. Mesatarisht çdo vit janë djegur 2000-3000 ha pyje. Shkaqet që përmenden kanë qenë nga më të ndryshmet duke filluar që nga zjarrvëniet e qëllimshme nga sipërmarrës e duke vazhduar nga mos funksionimi i strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbajtjen nën kontroll të situatës.
Kështu ka ndodhur edhe këtë vit. Vetëm përgjatë muajit korrik janë evidentuar mbi 10 raste vatrash zjarri. Të përkthyera në 36 hektarë në total, ku 10 hektarë janë pyje dhe 26 hektarë kullota. Krahasuar me shifrat e viteve të shkuara dukshëm vihet re që kemi një përmirësim të situatës. Rol në përmirësimin e saj ka luajtur dhe serioziteti me të cilin është trajtuar kjo çështje nga ministria, e cila ka aktivizuar strukturat në varësi të saj për të përmbushur çdo detyrë dhe përgjegjësi që është e mirë përcaktuar me ligj për menaxhimin e këtyre situatave. Janë vënë në dispozicion vrojtues, sinjalizues dhe roje mjedisore nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve.
Më 10 korrik, ka qenë vetë Ministri që ka dhënë një deklaratë për shtyp lidhur me këtë çështje. Ku ndër të tjera u zotua se: “Çdo sipërfaqe e djegur nuk do të tjetërsohet, por do të rehabilitohet dhe do të kthehet në identitet”. Por një rast me precedentë ka qenë zjarri në malin e Shëngjinit më 22 korrik. Ajo çka u vu re ishte mungesa e punonjësve të Shërbimit Pyjor e cila është e pajustifikueshme. Pasi është pikërisht ky institucion që ka për detyrë të menaxhojë këto lloj situatash.
Pas kësaj ngjarje të gjitha fjalët e bukura që citoi Ministri bien poshtë. Mbi të gjitha të mos harrojmë se sapo kemi hyrë në sezonin e zjarreve në pyje, kështu që priten vatra të tjera zjarresh.
Urojmë që menaxhimi i situatës në vazhdimësi të realizohet ashtu si Ministri Koka ka deklaruar për median dhe incidente të ngjashme si ai i malit të Shëngjinit të mos përsëritet.
- Vdekje nga ajri që thithim
Tirana vazhdon të jetë një nga qytetet më të ndotura të Europës. Indeksi që tregon ndotjen në qytetet europiane e radhit Tiranën në qytetin e katërt më të ndotur të unionit.
Ky është një problem që i është bashkuar Tiranës me ardhjen e demokracisë dhe sipas Washington Post parashikohet që Tirana do të vazhdojë të kryesojë renditjen deri në 2030. Matjet më të fundit të kryera gjatë një jave nga specialistë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ndotja është 30 % më e lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Europian.
Instituti i Shëndetit Publik në kuadër të detyrave të veta funksionale ka kryer monitorimin e ajrit në Tiranë. Përfundimet ishin të pritshme, pra kemi grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5 që konsiderohen ndotësit kryesor të ajrit. Këto janë grimcat më të rrezikshme sepse arrijnë deri në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, madje PM2.5 kalon deri në gjak. Në pikat e kryqëzimeve të mëdha në Tiranë, përmbajtja e këtyre grimcave është në masën 60% mbi normën e lejuar sipas direktivave të BE-esë. Ku shkaktarët kryesorë të këtij niveli ndotës janë: automjetet e vjetruara, trafiku i makinave, ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, dhe djegia e mbeturinave vend e pa vend.
Situata është e njohur për çdo banor të Tiranës por lind pyetja, çfarë po bën Ministria e Mjedisit për këtë problem madhor(?). Konsiderohet problem madhor për ndikimin që ka drejtpërdrejtë në shëndet, pakëson jetëgjatësinë e banorëve, ndihmon në avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes, si dhe rrit frekuencën e ashpërsinë e simptomave astmatike e të sëmundjeve akute respiratore tek fëmijë.
Në aspektin ligjor Ministria jonë e Mjedisit ka menduar duke arritur miratimin e Ligjit Nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” dhe Vendimit Nr. 594, datë 10.09.2014 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit”.
Por sa po zbatohen këto ligje? A po realizohen masat për të cilat qeveria është zotuar në Strategjinë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit? Mos ndoshta përveç përpilimit të politikave të mëdha, kemi nevojë dhe për disa nisma të vogla por më të prekshme për të minimizuar sado pak këtë rrezik?
Për shembull të vendosen disa ditë ku nuk do të lejohet qarkullimi i makinave në akse të caktuara rrugore apo të nxiten qytetarët për të përdorur biçikletat duke ju vënë në dispozicion dhe infrastrukturën e duhur. Ekzistojnë mundësi pafund që nuk mbartin shumë kosto të cilat mund të shfrytëzohen për të minimizuar këtë rrezik që po na kanoset.
Një problematikë shumë aktuale që ka një ndikim direkt në ndotjen e ajrin dhe jo vetëm është asgjësimi i mbeturinave me anë të djegies. Rasti i fundit është djegia e mbetjeve në Qerret nga vetë punonjësit e komunës së Golemit. Institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë për rastin në fjalë edhe pse kemi të bëjmë me një fenomen rreptësisht të ndaluar. Pra sërish jemi në situatën që kemi një legjislacion perfekt, por monitorimi dhe kontrolli për zbatimin e tij nuk ndodh.
Specialistët e shëndetësisë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor. Prandaj i kërkojmë Ministrisë të marri masat e duhura sepse detyra e saj është të sigurojë cilësinë e jetës për njeri.
Referenca:
- Artikull: Temperaturat e larta, digjen mbi 10 ha pyje
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304461 - Artikull: Ministria e Mjedisit, masat për parandalimin e zjarreve në pyje
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministria-e-mjedisit-masat-per-parandalimin-e-zjarreve-ne-pyje&page=1 - Artikull: Tirana, qyteti i 4-t më i ndotur
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304294 - Ligji Nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”
- Vendim Nr. 594, datë 10.09.2014 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për cilësinë e ajrit të mjedisit”
- Video: Zonat turistike të kërcënuara nga djegia e mbetjeve urbane
https://www.youtube.com/watch?v=vbwtU94A-lw