![Jona Hoxhaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Jona-235x300.jpg)
Jona Hoxhaj
1-Plan programi shpresojmë të jetë dhe plan i konsolidimit social në Shqipëri!
Të gjitha indikacionet për kontinuitetin e MMSR-së sikur të kujtojnë vitin 2013 kur Veliaj morri drejtimin e kësaj Ministrie! Një shpalosje e programit në hapat e parë të marrjes së Ministrisë nga Z. Klosi, prezantim dinjitoz, program kreativ, plotë ngjyrime, plotë jetë e cila të bën të hamendësosh që “këta e bëkan punën” dhe do na e ndritkan gjendjen sociale në vend! Por kështu ishte dhe Z.Veliaj në fillimet e tij, por pastaj na dolën parregullsi rrugës. Programe të pa përmbushura, punësim “në rritje”, shumë dalje në publik e pak takime me njerëz në nevojë ekonomike, që krahë mbështetës e kanë vetëm këtë Ministri… Gjithsesi sytë, veshët dhe vëzhgimi i vazhdueshëm kritik mbi punën e MMSR-së do të zbardh të vërtetën në muajt e ardhshëm..
- Klosi në fillim të këtij muaji adresoi pikat më të rëndësishme mbi të cilat do të zbatohet algoritmi i MMSR-së; puna, mbrojtja sociale, zyrat e punës, sigurimet shoqërore, rinia dhe reforma administrative-territoriale. Pika kyçe të cilat ishin dhe në programin e Z.Veliaj, po këtë herë prezantimi i zhvillimit të tyre ishte pak më i detajuar, më i zbukuruar, më i ngjyrosur dhe me baza matëse të cilat do të na shërbejnë t’ia matim punën në muajt në vazhdim Zotit Klosi.
Rinia është çështja kryesore e Ministrisë, tashmë Z.Klosi prezantoi një program të veçantë për rininë duke adresuar objektivat kryesore të bashkëpunimit me ta, nxitjen e të rinjve në pjesëmarrjen në vendim marrje demokratike, nxitjen e punësimit të të rinjve, nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet sportive dhe mjedisore, edukimi dhe mbrojtja sociale. Ashtu si dhe vet Z. Ministri u shpreh figurativisht gjatë prezantimit të planit për njërën nga prioritetet, ne i përgjithësojmë dhe shprehim dëshirën e mirë që ky projekt plan pilot, me ca pilot të vegjël e ca pilot të mëdhenj me ndihmën e Ministrit t’i ulin aeroplanët e helikopterët me ca përfundime të projekteve dhe realizimin e objektivave të lartpërmendura. Ndërthurja e sportit dhe inxhinierisë bën punë në formimin e plan programit të punës por jo në kalkulimin e rritjes së pensioneve!
Në faqen e Kryeministrisë, MMSR-së, në të gjitha portalet e lajmeve, në gazeta e në televizione vërshoi lajmi i rritjes së pensioneve për 599 mijë pensionistë e 6 mijë veteran, si një sukses i menjëhershëm i Z.Klosit. Me datën 22 korrik Z.Klosi teksa po prezantonte vendimet e fundit të qeverisë bëri të ditur “një lajm tjetër të mirë” për rritjen e pensioneve për 1.4%, duke theksuar se kjo rritje vjen si qëllim i mbrojtjes së pensionisteve nga luhatjet e inflacionit. As pasioni për basketbollin e as profesioni i tij si inxhinier, të cilat i shfrytëzoi mirë për të formuluar planin e tij të punës, nuk i ndihmuan të bënte një përllogaritje të thjeshtë ekonomike Zotit Ministër, ose INSTAT e tradhtoi…
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 68 me datë 28.01.2015, Miratimi i Kuadrit Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2016-2018 parashikon inflacion prej 2.5 % për vitin 2015, nga 1.6% që ishte në vitin 2014. Rritja e pensioneve është 1.4%, nga e cila del se rritja reale e pensioneve është negative -0.9%, pra pensionet ulen.
Më ndershmërisht Ministri mund t’i ngushëllonte pensionistët duke shprehur të vërtetën e gjendjes ekonomike dhe financiare në Shqipëri dhe zbutjes së humbjeve që iu mundësua pensionistëve me rritje te pensioneve të paktën me 1.4%. Por në terma real pensionet do të ulen në vazhdimësi të këtij viti…
Duket sikur të gjithë socialistët në Shqipëri kanë “Sindormin e Hiperbolës” së punës së tyre personale!
2- Dhuna është e papranueshme! Reagim i menjëhershëm nga Z.Klosi
Gjendja mizore në institucionet shtetërore, si në administratë, në institucionet e sigurimeve shoqërore e institucionet e ndihmave ekonomike ashtu edhe në shtëpitë e fëmijëve jetim, nuk është surprize për asnjë në Shqipëri tashmë.. Por dhuna dhe keqtrajtimi i fëmijëve jetim u dëshmua të jetë akt i papranueshëm nga shoqëria, prandaj dhe Ministria përkatëse qe merret me mbarëvajtjen e aktiviteteve në këto institucione, pra MMSR-ja u detyrua të reagonte menjëherë ndaj rastit skandaloz në jetimoren e Shkodrës.
Pas bërjes publike në rrjetet sociale të videos së keqtrajtimit të fëmijëve në një institucion të përkujdesit shoqëror për fëmijët në Shkodër me datën 8 korrik, Z. Klosi ditën e nesërme urgjentisht mblodhi Këshillin Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve dhe prezantoi masat e menjëhershme të ndërmarra për shkarkimin e drejtueses së institucionit Anjezë Gjeluci, si dhe kujdestaren Edvana Sulaj e cila ushtroi dhunë fizike është arrestuar nga policia e zonës. Gjithashtu Z.Klosi foli me tone të ashpërsuara për të gjithë punonjësit social dhe drejtuesit e qendrave rezidenciale në vend. Ai paralajmëroi se do të bëj ndjekje penale për të gjithë që mund të ushtrojnë dhunë dhe për dëshmitarët të cilët nuk reagojnë. Njëkohësisht, paralajmëroi se të gjithë punonjësit e shërbimeve në qendra rezidenciale do të kalojnë në test 1 vjeçar për edukim dhe psikologji dhe do të jenë nën monitorim.
Referenca:
Web Faqja zyrtare e MMSR-së dhe Plan Programet e MMSR-së, Korrik 2015. http://www.sociale.gov.al/files/news_files/PREZANTIMI_MMRS_Rinia.pdf
http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/lajme&page=2&page=1
Web Faqja zyrtare e Ministrisë së Financave dhe Vendimi i KM për politikat makroekonomike dhe fiskale. Korrik 2015.
Klan Tv. Rriten pensionet për 599 mijë pensionistë e 6 mijë veteran. Korrik 2015.
http://tvklan.al/rriten-pensionet-per-599-mije-pensioniste-e-6-mije-veterane/
Gazeta Mapo. Këshilli, Klosi: Punonjësit social janë futur në një rutinë të dënueshme. Korrik 2015.
http://www.mapo.al/2015/07/keshilli-klosi-punonjesit-social-jane-futur-ne-nje-rutine-te-denueshme