![](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Blerina-Lalla.jpg)
Blerina Llalla
1-Festivali Ndërkombëtar i Teatrit pas dy vitesh mungesë dhe sezoni turistik
Në morinë e aktiviteteve të shumta që sjell ky sezon veror dhe turistik, publikimeve që vijnë nga Ministria e Kulturës në këtë muaj spikasin festivalet artistike ndër to dhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000”. Gjatë Muajit Korrik u zhvillua edicioni i trembëdhjetë i këtij festivali.
Por çfarë është ky festival dhe si është zhvilluar ndër vite?
Sikurse mund të kuptohet nga vetë emri ky festival filloi të zhvillohej rregullisht që prej vitit 2000 nën organizimin e Qendrës Kombëtare të Teatrit Mesdhetar dhe për shumë vite me radhë nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e donatorëve të ndryshëm. Në skenën e këtij festivali, sipas informacioneve të dhëna nga vetë organizatorët për publikun, kanë luajtur rreth 2500 artistë të huaj. Në 12 edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrosh nga Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Kosova, Zvicra, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria.
Festivali pësoi një ndërprerje pas edicionit të 11-të, nuk zhvillohet përgjatë vitit 2011 dhe 2012, kjo për arsye menaxheriale dhe mos gjetjes së gjuhës së përbashkët, duke mos çuar në një kompromis e bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore dhe stafit organizativ, po aq sa edhe për arsye financiare dhe politikash institucionale të cilat ndoshta e spostonin nga qendrat e interesit një veprimtari të kësaj fushe e kategorie. Ndërkohë që edicioni i 12-të zhvillohet në vitin 2013 pas diskutimesh dhe insistimit të organizatorëve të cilët arritën të sigurojnë një financim prej katër milion lekësh nga Qendra Kombëtare e Artit, një shumë minimale kjo çka do të kushtëzonte pjesëmarrjen e trupave të mëdha ndërkombëtare apo dhe vetë vazhdimësinë e këtij eventi artistik. Pasi në vitin 2014 nga vetë drejtuesi i këtij festivali, Alfred Bualoti do ti transmetonte publikut lajmin për dështimin e festivalit për arsye financiare pasi buxheti i akorduar nga Ministria e Kulturës ishte shumë i vogël. Në një nga deklaratat e tij gjatë intervistave ai thotë se: Gjatë viteve, shteti nëpërmjet Ministrisë së Kulturës i ka akorduar Festivalit rreth 20-25 % të buxhetit të tij të përgjithshëm. Ndërsa në 2014 festivali merr nga kjo ministri vetëm 5% të buxhetit të përgjithshëm”. Ndërkohë që Festivali i Butrintit është i vetmi aktivitet teatror i integruar në axhendat dhe konventat Europiane.
Në muajin Korrik të këtij viti Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” rikthehet sërish nga datat 18-23 Korrik në skenën e amfiteatrit të Butrintit. Sipas burimeve të ndryshme të informimit publik, ky festival rikthehet pas një sërë përplasjesh mes drejtuesve të këtij festivali dhe Ministria e Kulturës për shkaqe financiare pasi buxheti që kjo ministri akordoi për këtë vit është vetëm dhjetë mijë euro. Shuma që sipas organizatorëve sollën reduktimin e programit, shtrirjes kohore dhe në trupat pjesëmarrëse. Ketë vit në festival morën pjesë tre kompani teatrore nga vendet fqinje dhe dy shqiptarë, dhe ndërmjet këtyre nuk ishte Teatri Kombëtar.
Nëse do të shohim ecurinë e viteve të fundit mund të themi se si shumë projekte apo veprimtari të ndryshme edhe ky festival ka pësuar lëkundjet e herëpashershme nga politikat institucionale, pasi i shndërruar në traditë dhe një aset ndërkulturor në sezonin turistik do të duhej të ish forcuar, zhvilluar më tepër, dhe të kish siguruar vazhdimësinë në mënyrë të qëndrueshme pa u cenuar nga diskutime financiare. Pasi tashmë Ministria e Kulturës mund të kish parashikuar gjatë hartimit të buxhetit vjetor, çdo vit një fond bazë të nevojshëm për këtë lloj aktiviteti për të mos cenuar vazhdimësinë duke akorduar një fond të veçantë dhe duke nxitur organizatorët që vit pas viti të rrisin kapacitetet, perfomancën dhe të sjellin sa më shumë larmi e artistë së bashku, duke promovuar sa më shumë prej tyre dhe duke i motivuar ata më tej.
Kjo sepse një ndër çelësat e suksesit në krijim dhe ruajtjen e traditës, në krijimin e imazhit kombëtar dhe integrimin në arenën kulturore kombëtare e ndërkombëtare mbetet ruajtja e vazhdimësisë dhe krijimi i historisë (jo vetëm në këtë fushe), një fenomen, fryme që me sa kuptojmë mungon në shumë institucione shqiptare, sepse liderë të shumë fushave nuk vazhdojnë të punojnë mbi nisma mbi të cilat mund të jenë hedhur investime të konsiderueshme por zgjedhin një tjetër praktikë ndoshta më të lehte në dukje, filozofinë e të ndërtuarit më mirë duke prishur sa është bërë dhe rifillojmë nga e para, ose duke lënë përgjysmë çdo gjë, duke u mjaftuar me aq sa është bërë. Kështu nuk kemi një orientim drejt zgjidhjeve, adaptimit apo atashimit të ideve të reja zhvilluese, integruese apo konstruktive. Kështu ndonjëherë duhet të trokasësh fort, të insistosh e të kërkosh me ngulm atë që duhet të bëhet, dhe jo gjithmonë ia del ta realizosh. Për të mos përmendur rastet e vënies nën trysni nga politikat e aplikuara nga forca të ndryshme politike që gëzojnë pushtetin (të çfarëdolloj ngjyre) dhe mbjellin pasiguri apo dyshim. Veprime të cilat të çojnë të mendosh dhe për klientelizmat apo orientimin e fondeve kah interesave vetjake për të përfituar në çdo rast e kohë duke cenuar edhe vlerat e mirëfillta. Ndërkohë që në rastet e skepticizmit institucional është detyrim i çdo institucioni të monitorojë, vlerësojë dhe të argumentojë arsyet e çdo vendimi apo veprimi të ndërmarrë ndaj publikut, sikurse të bëjë evidente dhe pakënaqësitë në rastet kur ka për ti dhënë mundësinë çdo individi dhe subjekti të përmirësojë punën e performancën në mënyre që opinioni publik të mos tronditet herë pas herë nga hija e dyshimit dhe të ndjejë prezencën interesave përfituese nëpërmjet politikave.
Por edhe këtë herë kaloi dhe festivali u zhvillua pavarësisht pjesëmarrjes, në të njëjtën kohë dhe shumë festivale e veprimtari paralele në disa qytete të vendit siç do të ishte edhe ai i Beratit (etj.). Veprimtari të cilat na shërbejnë ne dhe publikut vendas e të huaj në pikun e sezonit turistik. Natyrisht veprimtari të tilla nuk duhet të mungojnë dhe duhet të zgjerohen më tej, si në numër dhe në cilësi, duke qenë se si vend kemi potenciale të konsiderueshme të cilat nëse do të mund të gjehen mediumet e duhura mund të promovohen akoma më gjere dhe të gjenerojnë të ardhura akoma më të mëdha për individët dhe për pasoje edhe vetë institucionet.
Ndërkohë në ueb sajtin e ministrisë gjemë publikime më të shpeshta rreth programeve artistike, ngjarjeve të këtij muaji, por detaje më të shumta gjejmë në profilin e këtij institucioni në rrjetet sociale.
2- Në pritje të miratimit të Projektligji për të drejtat e autorit
Një tjetër lajm i një rëndësie të veçantë publikuar në ueb sajtin e ministrisë së kulturës është ai i përgatitjes së “Projektligjit të ri për të Drejtat e Autorit” i cili ka qenë dhe mbetet një prej problemeve më shqetësuese prij krijuesit e çdo fushe.
Sipas publikimit të bërë në faqen zyrtare të ministrisë na bëhet me dije se është hartuar projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, kjo në përputhje me direktivat e Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së. Për këtë janë kryer një sërë konsultash me aktorë, ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm përfshi këtu dhe vetë grupet e ndryshme të interesit. Tashmë pritet miratimi i tij në parlamentin shqiptar, gjë që pritej të ndodhte në muajin maj. Në faqen zyrtare të ministrisë mund të gjeni të publikuar dhe draftin e projektligjit të hartuar.
Referenca:
http://www.kultura.gov.al/al/baza-ligjore/projektligje
http://www.hoteleriturizemalbania.al/2013/06/rikthehet-festivali-i-butrintit-pas-dy.html
http://klankosova.tv/rikthehet-festivali-i-teatrove-ne-butrint/
http://shqiptarja.com/kulture/2730/rrudhet-festivali-nd-rkomb-tar-butrinti–sjellin-vet-m-5-shfaqje-303909.html
http://koha.net/?id=8&arkiva=1&l=152548
http://balkanweb.com/gazetashqiptare/nis-festivali-nderkombetar-i-teatrove-ne-butrintit/
http://vizionplus.al/mbyllet-festivali-i-butrintit/
http://www.albinfo.ch/ne-butrint-sot-fillon-festivali-i-13-te-nderkombetar-i-teatrit/