
Brenton Kotorri
1- Vitet e iluzioneve për vende të reja pune.
Pas gjithë muajve plot intensitet të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, kryeministri u rikthye në detyrë. Në ditët e para të korrikut, kryeministri udhëtoi drejt Çorovodës për çeljen e punimeve të fazës së parë të rrjetit të infrastrukturës lidhëse të TAP. Kjo që për Shqipërinë nuk do të thotë një pozicion shumë të rëndësishëm për sa i takon sigurisë energjetike jo vetëm të vendit, por edhe më gjerë. Kryeministri përmes Facebook-ut deklaroi se ky projekt “hap mbi 500 vende të reja pune, ndërkohë që mijëra vende të tjera pune do të jenë rezultat i marrëdhënieve indirekte me këtë projekt”, duke harruar se sa shumë prej vendeve të punës që lidhen me TAP, janë mbushur prej specialistësh e punëtorësh të huaj e jo vendas. Kjo për mungesë kapacitetesh njerëzore e krahu të kualifikuar pune, por sidomos edhe prej një negocimi jo fort të suksesshëm që qeveria e kaluar dhe kjo e sotme kanë ndërmarrë në lidhje me punësimin e Shqiptarëve në TAP. Pse atëherë duhet kryeministri të përmendë vende të reja pune, kur këto nuk do shkojnë të gjitha për shqiptarët, e në fakt edhe ata shqiptarë që do të punësohen aty do të jenë punëtorë fizikë, e jo në pozicione teknike. E Megjithatë edhe nëse do të punësoheshin 500 shqiptarë në këtë projekt, pse kryeministri në 2 vite mandat nuk e ka sqaruar kurrë se ku janë 299’500 vendet e tjera të reja të punës që ai dhe qeveria e drejtuar prej tij do t’u mundësonin shqiptarëve. E nëse këtë shifër do të justifikohet se e ka premtuar për në fund të mandatit, është i ftuar publikisht të tregojë se si ka realizuar deri më tani 150 mijë vendet e reja (2/4), e sesi do të realizohen të tjerat. Duhet theksuar për fakt, se “Strategjia e Punësimit dhe Aftësimit 2014-2020” edhe pse duhej të kishte nisur nga puna për 300’000 vende deri më 2017-ën, ende nuk është hartuar e publikuar, madje në Ueb-in e kryeministrisë është e vetmja që mungon si dokument.
2- Gjithpërfshirja e munguar.
Në konferencën “Universiteti i Gjeneratës Tjetër”, kryeministri e nisi fjalën e tij duke folur për Ligjin e Arsimit të Lartë që do të miratohej në parlament disa ditë më pas. Kryeministri që në fjalinë e parë na prezantoi me një kontradiktë të fortë. Ai që në fjalinë e parë tha se “Është një proces që, ndoshta duhet ta them pa rezervë, është procesi më i mirëorganizuar dhe më gjithëpërfshirës që qeveria shqiptare deri më sot ka organizuar në funksion të një reforme”. E gjithë kjo nuk kuadron me faktin se bordi shkencor për përgatitjen e reformës, u emërua përmes debatesh nga student e akademikë të shumtë. Nuk kuadron me faktin se për reformën u deshën të shkruheshin dy draftet he një version përfundimtar për ta përkthyer në ligj. Nuk kuadron me faktin se takimet “konsultative” të bordit me studentët u kryen në heshtje, në salla të vogla, me kohëzgjatje të shkurtër. E sidomos nuk kuadron me faktin se student e pedagogë, përgjatë gjithë këtij viti kanë realizuar marshime, deklarata, peticione, e protesta të shumta kundër këtij ligji. Na mbetet të hamendësojmë se çfarë ka dashur të nënkuptojë kryeministri me fjalën gjithpërfshirje nëse nuk mund ta ketë synuar në kuptimin e saj të parë si fjalë që përshkruan frymën demokratike që duhet të përfaqësonte një reformë në edukim.
3- Të mbrojmë parkun e liqenit me beton
Sipas teoricienëve më në zë të demokracisë si G. Sartori apo R. Dahl, dita, java, apo muaji i parë i fill pas zgjedhjeve, është momenti me kapitalin politik më të madh i një kandidati fitues, e prandaj, këshillohet që projektet dhe idetë më kontroversale ai t’i realizojë në këtë kohë. Kështu ndodhi për shembull nëse kujtojmë fillimin e mandatit të qeverisë aktuale, në lidhje me aksionin për vjedhjen e energjisë elektrike. Me të njëjtën metodë, Rama, ka mbështetur kandidatin e tij për bashkinë e Tiranës, që të përzgjidhte një projekt betonizimi për hyrjen e parkut të liqenit artificial në Tiranë. Rama e Veliaj, zgjodhën pikërisht javën kur kandidatët fitues u shpallën, për të organizuar ekspozenë e projekteve të betonizimit. Kështu, kandidati fitues Veliaj, shkeli premtimin për ta konservuar parkun e liqenit, që në javën e parë pas shpalljes si fitues. E kjo, me mbështetjen e plotë të kryeministrit, i cili duket se nuk ia hedh sytë asnjë qytetari, eksperti apo akademiku që e kritikon për të tilla veprime. Kritika që nuk kanë munguar sidomos prej këtyre të fundit, që duhet të pranojmë se përbëjnë shpresën e fundit për një elitë intelektuale shqiptare.
4- Merkel
Kancelarja gjermane u prit në Tiranë nga kryeministri ynë, dhe pas një bisede të shkurtër protokollare, u shfaq edhe në konferencën për shtyp me këtë rast. Në qendër të gjithë fjalimit të saj, kancelarja mbajti mesazhin: “Mendoj se për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme krijimi i kushteve ligjore të besueshme sepse mendoj se investitorët gjermanë sigurisht kanë nevojën për t’iu besuar këtyre kushteve dhe situatës juridike. Është një aspekt i cili shënon edhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të rrugës suaj që prej marrjes së statusit të vendit kandidat deri në momentin e të bërit anëtarë të BE. Ne e mbështesim Shqipërinë në këtë drejtim”. Thënë nën justifikimin e merakut të investitorëve gjermanë, kancelarja tregoi se në sy objektiv, Shqipëria shihet si një vend ku demokracinë ende nuk e sundon ligji. Çështja e dytë që do ta trajtojmë shkurt, është ajo e azilkërkuesve shqiptarë në gjermani. Sigurisht që vendi europian, ka nevojë për krah pune, dhe këtë e deklaroi kancelarja, mirëpo e vërtetojnë edhe “Lista e Bardhë” dhe “Lista e Zezë” e profesioneve që ata kanë publikuar përmes Agjencisë Federale Gjermane të Punësimit. Kjo do të thotë se Gjermania, sikurse edhe disa vende të tjera të BE-së, nuk janë të gatshme dhe nuk do të ofrojnë azil politik, mbrojtje sociale, apo pensione për individë të huaj emigrant që kanë vështirësi ekonomike, por do të punësojë ata profesionistë për të cilët ka nevojë. E megjithatë, këtë dallim, nuk e ka sqaruar asnjëherë kryeministri ynë, që i sheh qytetarët e vet teksa arratisen çdo ditë, dhe aq më pak ka bërë thirrje publike ai, që qytetarët të mos e braktisin vendin. Ne këtë e quajmë papërgjegjshmëri politike, juridike dhe njerëzore.
Po të mbetemi në politikën e jashtme, më herët gjatë muajit, Këshilli i Ministrave, ka miratuar përmes kryetarit të vet, një marrëveshje mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe kjo meriton përgëzime. Teksti i këtij vendimi përmban miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme. Për t’u përgëzuar gjithashtu është edhe VKM e datës 15 korrik për “Miratimin, në parim, të marrëveshjes së ndihmës, me shkëmbim notash, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Japonisë, nëpërmjet një granti, për furnizimin me automjete të gjeneratës së ardhshme, miqësore ndaj mjedisit”.
5- Presidenti i Republikës.
Me një VKM të datës 7 korrik, këshilli i ministrave ka vendosur gjithashtu përmes kryetarit që: “Presidencës, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 750 000 (dhjetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për shpenzime korrente. Kjo VKM, tregon ose që qysh prej fillimit Këshilli i Ministrave i kishte lënë mangët institucionit të presidencës një shumë të caktuar parash, (gjë që shndërrohet në dyshim të fortë që prej kur justifikohet shtesa prej rreth 10 milion lekësh për shpenzime korrente); ose që presidenca, ka shpenzuar mbi buxhetin e vet (dhe kjo duhet vërtetuar si abuzim me buxhetin e shtetit). Kjo çështje meriton vëmendje të mëtejshme. Sidoqoftë, kjo ndihmë ndaj presidencës, duket se ka rënë në kontradiktë me faktin se në fund të muajit Presidentin e 7të të Republikës së 2-të të Shqipërisë e përjashtuan nga mundësia për të konsumuar ditët e pushimit zyrtar në një rezidencë verore shtetërore. Kështu, Presidenti, që në kushtetutë cilësohet: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Në nenin 86, pika 1. Si mund ta justifikojnë agjencitë shtetërore pushimin e personit të presidentit në një hotel privat me paratë e veta personale. A vazhdon ai ta përfaqësojë unitetin e popullit edhe në këto kushte?
Referenca:
Nis ndërtimi i TAP.
Strategjia e Punësimit dhe Aftësimit 2014-2020
Facebook: Edi Rama.
https://www.facebook.com/media/set/?set=a.10153067091941523.1073742771.138734771522&type=3
Ligji i ri për arsimin e lartë.
Hyrja e re e Parkut të Tiranës, një projekt strategjik për zhvillimin e kryeqytetit.
Merkel në Shqipëri
VKM 1 korrik 2015
VKM 07 korrik 2015