Gerion Treska
1-Amanetet e para-ikjes së Ministrit Ahmetaj, Programi i Reformave “muskuloze” Ekonomike
“Muskuloze” madje edhe të dhimbshme por mbi të gjitha të dobishme i konsideroi Ministri Ahmetaj reformat ekonomike në vend gjatëSeminarit të Bankës Botërore me temë “Përshpejtimi i rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në Shqipëri” në fund të muajit Janar.
Në brendësi të këtyre “muskujve” si në fjalimin e tij në Parlament por edhe në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018 shifrat dhe parashikimet duken mjaft pozitive dhe të ëmbla, aq optimiste madje sa edhe Standard and Poor’s përmirësoi vlerësimin e borxhit të Shqipërisë nga B në B+ me perspektivë stabël, kjo mbase duke u bazuar në fjalimin e Ministrit Ahmetaj por edhe njëkohësisht ashtu siç S&P deklaron, prezenca e FMN dhe marrëveshja me këtë institucion jep siguri dhe garanci për kryerjen e reformave të rëndësishme strukturore në disa fusha përfshirë atë të drejtësisë. Ajo çka bie në sy në këtë përputhje thuajse perfekte janë parashikimet si të Ministrit Ahmetaj edhe të S&P për rritjen ekonomike me mesatarisht 4% nga 2016-2019. Patjetër që kjo është një reklamë e mirë ndaj investitorëve të huaj, madje më e mirë se sa ajo e fundit tek The Economist që Qeveria pagoi nga taksat që vjel nga qytetarët shqiptar.
Duke folur për investitorët e huaj vihet re se çmimi i naftës jo vetëm po largon investitorët e huaj nga Shqipëria, megjithëse Ministri Ahmetaj thotë se në krahasim me 2014 investimet e huaja shkuan nga 621 milion euro në 714 milion në 2015, madje parashikohen që të shkojnë në 950 milion, por gjithashtu po lëkund strukturën ekonomike të vendit.
Sipas Monitor, në listën e 10 sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros për secilin vend të rajonit (përjashtuar bankat e shoqëritë e sigurimit), Shqipëria “shquhet” për numrin e madh të kompanive në sektorin e naftës, me 6 të tilla, duke reflektuar qartazi strukturën e paqëndrueshme të ekonomisë vendase. Ndërsa vendet fqinje po tërheqin investitorë me emër dhe po zënë vendin e tyre në industrinë e Europës Juglindore, Shqipëria mbetet zbuluar përballë rënies së çmimeve të naftës.
Në kundërshtim me këtë Kryeministri në samitin e BERZH-it në Londër, deklaroi se Shqipëria ka hyrë tashmë në një proces zhvillimi ekonomik, falë modelit të ri që ka vënë në funksion qeveria e tij ku modeli i sotëm mbështetet kryesisht tek eksportet. Në anën tjetër të dhënat na tregojnë një zhvendosje krejtësisht të ekonomisë nga kompanitë e ndërtimit tek ato të tregtimit dhe prodhimit të naftës. A do të thotë kjo se Qeveria po “mburret” me eksportin e naftës? Apo kjo tablo tregon se sa të paqëndrueshëm jemi “në këmbët tona” në modelin dhe sistemin ekonomik?
Mbështetësi kryesor i Qeverisë Shqiptare, FMN, shprehet mjaft konservator në lidhje me atë çka po ndodh sidomos në luftën ndaj informalitetit, një fushatë kjo e cila patjetër që afekton çdo xhep qytetari shqiptar, qoftë punëmarrës apo punëdhënës. Në raportin e saj mbi gjendjen e përgjithshme në Shqipëri, FMN shprehet se gjatë muajve të fundit, zyrtarë të Ministrisë së Financave pranuan nën zë se, ndonëse bizneset u trembën në periudhën e fushatës dhe regjistruan një numër të madh punonjësish, shumë u rikthyen te mosbindja duke i çregjistruar punonjësit më vonë. Dhe jo vetëm kaq por ndikimi i kësaj fushate ishte më shumë mikro se makro. Shprehimisht në raport theksohet se, shumica e bizneseve të reja të regjistruara janë biznese mikro apo të vogla, të cilat kanë ndikim shumë të kufizuar në të ardhura. Praktikisht nuk ka pasur rritje në xhiron e deklaruar të bizneseve të regjistruara me TVSH. Reagimet në sjelle të biznesit, të tilla si deklarimi pak më i ulët se sa limiti i regjistrimit si biznes i madh apo ndarja e bizneseve të disa njësi, mund të tresin më tutje ndikimin e fushatës në të ardhurat fiskale.
Për të përballuar me sukses këtë “valë” Qeveria Shqiptare punësoi 500 inspektorë të rinj taksash me supozimin se do të luftonte evazionin fiskal duke e rritur kështu koston e grumbullimit të taksave nga 1.5% në 2012 në 2% në 2015. Patjetër që numrat janë impresionues dhe 500 inspektorë është “një ushtri e tërë” por ndërsa propagandojmë dhe realizojmë numrin le të mos harrojmë për cilësinë e cila reflektohet më së miri në raportin e sipër përmendur të FMN.
Në të gjitha shifrat e mësipërme bëhet fjalë për para të cilat qarkullojnë brenda ekonomisë shqiptare por akoma më shumë para të cilat vilen dhe grumbullohen nga çdo qytetar shqiptar i cili ka gjithashtu të drejtën të kërkojë informacion se ku shkojnë ato çka paguan pavarësisht se i kthehet përgjigje ose jo.
2-Si të falimentojmë me nder dhe lobim?!
Sipas Bankës së Shqipërisë 35 kompanitë ose bartësit që kanë borxhet më të këqija përbëjnë 52% të totalit të kredive me problem. Pra në Shqipëri nuk ka vetëm monopol ose oligopol të tregut të të mirave apo shërbimeve por tashmë edhe të kredive të këqija. Po sipas BSH, këto kompani ose grupe tregtare, të cilat nuk bëhen të ditura, kanë gati 500 milionë dollarë kredi të këqija, duke u shndërruar në burimin kryesor të pasigurive në sistemin financiar dhe ekonominë kombëtare. Me fjalë më të thjeshta akoma janë 35 kompani të cilat luajnë me sistemin si të duan, marrin kredi sa të duan dhe nuk falimentojnë.
Megjithëse BSH po bashkëpunon me FMN për gjetjen e zgjidhjes së kësaj situate si dhe me bankat e nivelit të dytë për të patur një pasqyrë të qartë dhe reale mbi gjendjen kaq paralizuese që kanë krijuar këto kompani në nivel ekonomie kombëtare. Por masat do të merren vetëm pasi të miratohet ligji i ri i falimentimit. Fakti që këto kompani nuk bëhen transparente për publikun nuk lë një shije të mirë, pasi falimentimi ose rrudhja e këtyre kompanive patjetër që do të prekë ekonominë personale por edhe atë kombëtare. Ndërkohë që ligji i ri mbi falimentimin shkruhet, 35 kompanitë patjetër që mund të lobojnë dhe përgatiten për atë çka ky ligj i ri do të sjellë, madje eksperienca ka treguar se pavarësisht sa borxhe kanë ato mund edhe të shpëtojnë pa u hyrë ferrë në këmbë.
Referenca:
http://acp.al/news/1851/BSH,-ne-mars-paraqitet-zgjidhja-per-kompanite-me-kredi-te-keqija/
http://acp.al/news/1852/Renditja:-Sipermarrjet-shqiptare,-xhungla-e-rajonit/
http://acp.al/news/1834/Rama-ne-samitin-e-BERZH:-Shqiperia,-drejt-nje-modeli-te-ri-ekonomik/
http://acp.al/news/1771/Standard-and-Poors:-Shqiperia-B+,-permiresohet-vleresimi-per-ekonomine/
http://www.reporter.al/shpenzimet-per-mbledhjen-e-taksave-rriten-te-ardhurat-jo-edhe-aq/
http://www.reporter.al/fmn-numri-i-bizneseve-te-regjistruara-u-rrit-por-te-ardhurat-jo/