Megi Llubani
1-Vit i ri, reshje të reja!
Shqipëria e nisi vitin e ri sërish me përmbytje. Ky nuk është një lajm që shkakton habi tek qytetarët. Këta të fundit janë mësuar tashmë me pamjet e qyteteve të tyre nën ujë pas reshjeve, sado modeste qofshin këto. Ajo që habit megjithatë dhe që ngre pikëpyetje për largpamësinë e politikbërësve të këtij vendi është qasja reaguese ndaj fenomeneve të tilla në vend të aplikimit të një qasjeje parandaluese.
Që në javën e parë përmbytjet prekën disa qytete të Shqipërisë, përfshirë këtu edhe Tiranën, lumi i të cilës doli nga shtrati për të përmbytur një pjesë të mirë të periferisë së kryeqytetit.Në datë 6 janar Ministri Tahiri u gjend në disa prej zonave të përmbytura së bashku me Drejtorin e Emergjencave Civile për të mbikqyrur situatën dhe dëmin e shkaktuar.E njëjta situatë vijoi edhe në ditët në vazhdim.Problemi qëndron se situata të tilla përsëritën në pafundësi edhe me praninë e ministrit për të parë përmbytjet. Çfarë po bën Ministria e Punëve të Brendshme për t’u siguruar se situata të tilla nuk kthehen në fatkeqësi natyrore të përmasave të mëdha edhe me reshje që përndryshe do të konsideroheshin me parametra të zakonshme për vende të tjera?
Niveli i parë i adresimit të një problemi publik është hartimi i politikave publike.Niveli i fundit është monitorimi dhe vlerësimi i impaktit të tyre në praktikë që mbyll ciklin e politikëbërjes.Në vitin 2014 Ministria e Brendshme duhet të hartonte Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile 2014-2018. Sipas Raportit të Komisionit Evropian të vitit 2015 deri në fund të vitit të kaluar kjo strategji ende nuk ishte miratuar dhe vijon të mos jetë e pranishme në portalet e ministrisë apo parlamentit. Për më tepër, në një deklaratë të një viti më parë Ministri Tahiri premtoi se brenda vitit 2015 do të ishte gati ligji i ri i emergjencave civile. Jemi në shkurt të vitit 2016 dhe asnjë prej dokumenteve ligjorë nuk i është paraqitur publikut apo parlamentit. Me këtë rast frojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme të sqarojë publikun e interesuar për vonesat e pashpjegueshme në hartimin e këtyre dokumenteve të rëndësishëm. Krahasimisht, në këtë fushë Ministria duket se po vepron pa busull orientimi.
Sipas një raporti të Institutit për Demokrci dhe Ndërmjetësim mbi menaxhimin e emergjencave civile në morinë e problematikave të shtruara vihet re se ‘’Me gjithë progresin e Shqipërisë në menaxhimin e emergjencave civile, është e domosdoshme të bëhet më shumë për përsosjen e legjislacionit, koncepteve doktrinore dhe planeve zbatuese, përpërmirësimin e rolit dhe kontributit të çdo institucioni me përgjegjësi ligjore ndaj emergjencavecivile, fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme për tëpërballuar një spektër të gjerë fatkeqësish natyrore apo të shkaktuara nga njeriu.[1]
- Sa pushime nga puna para se Policia të punojë për qytetarët?
Në fund të muajit shkurt, u përsërit një ngjarje që është evidentuar edhe në raporte më të hershme të APPAs rreth punës së Policisë së Shtetit.Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një sërë masash në përpjekje për të modernizuar dukjen e Policisë së Shtetit përmes prezantimit të uniformave të reja dhe instalimit të kamerave të trupit.Ndërkohë që Ministria merret me anën kozmetike të punës së policisë së shtetit, thelbi mbetet në mos i pandryshuar, gjithsesi problematik.Skandali i goditjes së një protestuese gjatë manifestimit kundër ndërtimit të parkut të lojërave tek Parku i Liqenit tërhoqi vëmendje kombëtare edhe për faktin që protestuesi i goditur pa asnjë të drejtë ishte grua.Megjithë masat e menjëhershme të ndërmarra për largimin e punonjësit të policisë që ushtroi dhunë mbi një qytetar protestues, çështja thelbësore mbetet ende e pa adresuar.Kujtojmë se një prej premtimeve dhe pikave kryesore të programit qeverisës të Partisë Socialiste ishte modernizimi i forcave të rendit dhe ndryshimi i perceptimit të publikut për rolin e tyre në komunitet. Në këtë kuadër është aplikuar edhe qasja e policimit në komunitet dhe janë marrë masa të tjera që në raste të tilla të shkeljes së detyrës ngjajnë më tepër me përpjekje sipërfaqësore se sa adresimin e vërtetë të mungesës së etikës, shkeljes së ligjit dhe perceptimin se përgjegjësitë gjenden tjetërkund.
Një nga parimet themelore të integritetit policor është procesi i ankimimit dhe hetimi i shkeljeve të etikës së sjelljes.Sipas këtij parimi hetimet për sjellje të paligjshme duhet të zhvillohen nga një entitet që ka përgjegjësi speciale për kryerjen e hetimit.Për më tepër, hetimet për sjellje të paligjshme duhet të jenë të plota dhe të paanshme dhe të bëhen në mënyrë të përshtatshme dhe në kohën e duhur.Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të zhvillojnë udhëzime për hetimet e sjelljeve të paligjshme nga ana e oficerëve të policisë.[2]
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online: www.punetebrendshme.gov.al
European Commission. 2015 Albania Report. Online: http://ec.europa.eu/enlargement/pdf/key_documents/2015/20151110_report_albania.pdf
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.Menaxhimi i Emegjencave Civile në Shqipëri. Online: http://idmalbania.org/ëp-content/uploads/2015/03/Menaxhimi-i-Emergjencave-Civile-ne-Shqiperi.pdf
[1]Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.Menaxhimi i Emegjencave Civile në Shqipëri. Online:http://idmalbania.org/ëp-content/uploads/2015/03/Menaxhimi-i-Emergjencave-Civile-ne-Shqiperi.pdf
[2]Principles for Promoting Police Integrity. US Department of Justice. Online: https://www.ncjrs.gov/pdffiles1/ojp/186189.pdf.